Nga BoldNews.al
Gjykata e Strasburgut u ka dhënë dritën jeshile strukturave kontraverse të Vetingut për të vijuar aktivitetin e tyre për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një vendim të shpallur paraditen e së Martës, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka konsideruar të rregullta procedurën e ndjekur fillimisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe më tej nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, të cilat konkluduan me shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.
Gjykata e Strasburgut u investua nga Xhoxhaj, pasi ajo u ankua se shkarkimi i saj në Tetor 2018 ishte kryer nga një trupë që nuk plotësonte kriteret e pavarësisë, paanësisë dhe cilësive profesionale.
Në një rast të ngjashëm, në Dhjetor 2020, Gjykata e Strasburgut pranoi kërkesën e një shtetasi islandez, i cili u ankua se ishte gjykuar nga një trupë gjykuese, në të cilën një anëtar i saj nuk plotësonte meritat për të qenë “gjyqtar”.
Por, Gjykata e Strasburgut e konsideroi ndryshe rastin e Shqipërisë, ku një prej pretendimeve të ankimueses Altina Xhoxhaj ishte fakti që anëtarët e trupave të rivlerësimit nuk plotësonin meritën e të qënit “gjyqtar”.
Trupa e Strasburgut, me një shumicë votash, vendosi përfundimisht se shkarkimi i Altina Xhoxhajt është kryer në përputhje me të drejtën e brendshme të Shqipërisë.
Vendimi për Altina Xhoxhaj pritet të ketë ndikim edhe tek një pjesë e ankimeve të tjera, të dorëzuara në Strasburg, prej shumicës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga Vetingu në dy vitet e fundit.
Ndikim politik?
Procedurat e iniciuara nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar shqiptarë në Gjykatën e Strasburgut, kanë ngacmuar edhe Komisionin Europian, një prej kontributorëve kryesorë financiare të realizimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, përfshirë edhe rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në Shtator 2019, Komisioni Europian i kërkoi Gjykatës së Strasburgut që të përfshihej si “palë e tretë” në proceset e nisura pranë saj nga ish-magjistratët shqiptarë.
Për Komisionin Europian, ligji i Vetingut dhe zbatimi i tij ishin në përputhje me standartet ndërkombëtare të procesit të rregullt ligjor dhe se ai duhet të mbahej në këmbë, pavarëisht problematikave të theksuara në zbatimin e tij.
Kjo lëvizje e Komisionit Europian, u konsiderua gjerësisht si “ndërhyrje politike” dhe duket se ka dhënë efektet e saj edhe mbi Gjykatën e Strasburgut, e cila financohet në një pjesë të madhe nga Brukseli zyrtar.
Vendimi i Strasburgut
Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin e tij, duke i dhënë përgjigje edhe disa pyetjeve thelbësore, sidomos ato që lidhen me faktin nëse strukturat e Vetingut janë të pavarura e të paanshme dhe nëse anëtarët e komisioneve të rivlerësimit konsiderohen ose jo “gjyqtarë”, aspekte të cilat lidhen me procesin e rregullt ligjor, sipas përcaktimeve të nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Strukturat e Vetingut, “gjykatë’
Gjykata e Strasburgut arriti në përfundimin se strukturat e Vetingut konsiderohen “gjykatë e paanshme, e pavarur dhe e krijuar me ligj”.
Me një vendim 5 me 2 të anëtarëve, gjykata konstatoi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit janë ngritur mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit (të Vetingut).
Gjykata nuk gjeti argumenta për të mbështetur pretendimet e ankimueses Altina Xhoxhaj për mungesë pavarësie së strukturave të Vetingut dhe për mënyrën se si janë zgjedhur anëtarët e organeve të rivlerësimit.
Anëtarët e Strasburgut deklarojnë se “Dokumentet në dosje treguan se, pas emërimit të tyre, ato nuk i ishin nënshtruar ndonjë presioni nga pushteti ekzekutiv gjatë shqyrtimit të rastit të kërkueses”.
Vetingu, në përputhje me ligjin
Gjykata e Strasburgut konstatoi gjithashtu se procedurat e ndjekura nga strukturat e rivlerësimit në rastin e ankimueses Altina Xhoxhaj, janë kryer në përputhje me parashikimet ligjore.
Gjykata, duke theksuar faktin se nuk dëshiron t’u mbivendoset strukturave kombëtare, konstatoi megjithatë se KPK dhe më tej KPA kishin zhvilluar një proces ligjor, sipas përcaktimeve në legjislacionin vendas.
Seanca publike
Gjykata e Strasburgut nuk gjeti ndonjë shkelje, edhe në faktin se Altina Xhoxhaj nuk pati mundësinë të paraqitej para trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Për gjyqtarët europianë, vendimi i marrë në dhomë këshillimi nga shkalla e dytë të Vetingut, nuk i ka pamundësuar ankimueses Xhoxhaj që të prezantonte mbrojtjen e saj me shkrim.
Shkarkimi, masa më e rëndë
Gjykata e Strasburgut vlerëson se “Shkarkimi nga detyra ishte mbase masa disiplinore më e rëndë që mund të jepej ndaj një personi, e cila kërkonte prova shumë bindëse të shkeljeve etike dhe profesionale”.
Megjithatë, sipas Strasburgut, në vlerësimin e domosdoshmërisë së marrjes së kësaj mase, gjykata mori parasysh “nevojën e domosdoshme shoqërore” në Shqipëri për të reformuar sistemin e drejtësisë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në gjyqësor.
Gjykata e Strasburgut nuk arriti të gjente elementë të mjaftueshëm për të përligjur shkarkimin e gjyqtares Altina Xhoxhaj me argumentin e “cënimit të besimit të publikut”.
Megjithatë, referuar konstatimeve për pasurinë, gjykata e Strasburgut arriti në konkluzionin se shkarkimi nga detyra i Altina Xhoxhajt ishte një “masë proporcionale”.