Komiteti Teknik i Eksertëve vendosi sot që të vijojë mësimi online në universitete për shkak të situatës epidemiologjike.
Ndrkaq, pritet që brenda javës të ketë një vendim për sezonin e provimeve të studentëve në auditore.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka bërë me dije vendimet bazuar mbi situatën epidemiologjike në vend.
“Në lidhje me kërkesën e universiteteve, që meqë hyjnë në sezonin e provimeve, t’i zhvillojnë ato nëpër auditore, po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave. Në takimin e sotëm të Komitetit të Ekspertëve u vendos që të vazhdojmë ndërprerjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një vlerësim tjetër, deri në një moment të dytë, ku do ta rivlerësojmë përsëri në varësi të dinamikës së situatës epidemiologjike”, tha Rakacolli.
Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, tha se vijon një trend i rritur i rasteve të konfirmuara gjatë javëve të fundit. Bino theksoi se ka një rritje te incidencës si edhe të grupmoshave të prekura.
“Kemi një rritje të incidencës javore në 209 raste për 100 mijë banorë. Rritje të madhe ka në Tiranë, Durrës, Fier, në bashkinë e Sarandës është rritja më e madhe dhe në disa bashki të tjera, por të marrim gjithë Shqipërinë ka rritje graduale. Ka rritje jo vetëm në grupmoshën e re, por ka rritje të rasteve në të gjitha grupmoshat”, tha Bino.
Shefja e shërbimit të Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo ka bërë një pasqyrim të situatës së shtrimeve në spitale, duke bërë me dije se ka një shtim të numrit të të shtruarve. Çomo tha se grupmosha më e prekur e shtruar është fasha 50-60 vjeçare, por ka shtrime dhe në mosha më të reja.
“Natyrisht një shtim i numrit të personave të sëmurë dhe padiskutim kjo pasqyrohet dhe në shtimin e personave të shtruar në spital, ku sigurisht dihet që të shtruarit nëpër spitale janë pacientët në formën mbi atë të moderuar dhe patjetër forma e rëndë ose forma kritike. Kemi persona të të gjitha moshave të shtruar në spitale, nga mosha 30 vjeçare deri në moshën 90-vjeçare dhe fasha më e prekur e shtruar në spital është ajo 50-60 vjeçare. Ajo çka dua të them është që edhe personat që janë në moshë të re, që janë të shtruar nëpër spitale paraqesin forma të rënduara të shëndetit të tyre”, tha Çomo.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj u shpreh se në ditët e fundit ka një rritje të misioneve në shtëpi dhe shtrimeve në spitale.
“Në 24 orët e fundit janë kryer 1802 thirrje , 443 misione, 165 për covid, 67 në spital dhe 89 në banesë. Ajo që bie në sy në ditët e fundit është fakti i rritjes së numrit të vizitave por edhe i pacientëve në spital, nga 35 në ditë në 60-65 në ditë”, tha Brataj.
Masa e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve pas orës 22:00 do të vijojë, ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të vijonë të zbatojnë me përpikmëri masat për mbrojtjen nga COVID19. Vendosjen e maskës në çdo ambient, distancimin social dhe ruajtjen e higjenës, pasi siç u shprehën ekspertët, ky është një moment delikat i epidemisë në vend.