Trans Adriatic Pipeline AG Albania është shoqëria që ka përfituar vlerën më të lartë të transaksioneve buxhetore në 2020-n, e ndjekur nga G. P. G Company, Gjoka 87 dhe Kastrati.
Open Data Albania ka publikuar të dhëna për Klientët më të Paguar gjatë vitit 2020 përmes Transaksione Thesari Buxheti i Shtetit. Të dhënat janë përmbledhur në këtë artikull renditës, duke përdorur informacionin nga DataBaza Transaksione Thesari, Databazë që mirëmbahet nga organizata AIS dhe ka të dhëna për çdo pagesë të ekzekutuar nga viti 2012 e vijim.
Në vitin 2020, në vendin e parë si biznes që ka përfituar vlerën më të lartë të transaksioneve buxhetore është shoqëria Trans Adriatic Pipeline AG Albania. Për këtë shoqëri në vitin 2020, Thesari ka regjistruar dhe ekzekutuar 16 transaksione me vlerë totale për 4 840 979 024 Lekë (katër milliard e tetëqind e dyzet million e nëntëqind e shtatëdhjetë e një mijë e njëzet e katër lekë). Nëse bëjmë një konvertim të thjeshtë janë përafërsisht 39.36 milion Euro. Arsyet e pagesave për këtë shoqëri janë Rimbursim Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi mallra dhe Shërbime Brenda vendit. Kompania Trans Adriatic Pipeline AG Albania është zbatuesi i punimeve në vendin tonë për projektin TAP Gazsjellësin Trans Adriatik.
Me renditje në vendin e dytë për vlerë më të lartë transaksionesh nga Thesari i Shtetit në viti 2020 renditet shoqëria e Biznesit G. P. G Company, shoqëri vendase e cila në vitin 2020 ka arkëtuar në total nga Thesari vlerën prej 2 782 494 664 Lekë (dy miliard e shtatëqind e tetëdhjetë e dy milion e shtatëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër Lekë).
Në euro përafërsisht 22.61 milion. Shoqëria ka një portofol të gjerë kontratash publike në fushën e investimeve. Autoritete kryesore kontraktore njëkohësisht paguese të saj janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shoqëria është themeluar në vitin 1996, ka një portofol voluminoz kontratash në sektorin publik, është zotëruese e tre shoqërive ky dy janë koncesionare në Sektorin Hidrik, dhe mban prej vitesh një pozicion të mirë në renditjen e bizneseve sipas vlerave të pagesave me fonde publike.
Në vendin e tretë renditet Gjoka 87, shoqëria që zbaton kontratën koncesionare për Përmirësim, Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës së Arbrit. Një pasaportë për shoqërinë Gjoka 87 si shoqëri koncesionare gjendet tek Regjistri i Koncesioneve një databazë e mirëstrukturuar, e krijuar nga ekipi promotor i Open Data Albania. Gjoka 87 është themeluar në vitin 2018 nga shoqëria mëmë Gjoka Konstruksion e cila fitoi të drejtët për Koncesionin me titull Rruga e Arbrit, koncesion i prokuruar por pas një Propozimi të Pakërkuar të vlerësuar me bonus prej 10%.
Në vitin 2020, për shoqërinë Gjoka 87 janë bërë në total 6 transaksione me vlerë 2 520 000 000 Lekë (dy miliard e pesëqind e njëzet milion lekë). Në Euro janë rreth 20.48 milion. Nga fillimi i aktivitetit të saj koncesionar shoqëria ka marrë në total nga Buxheti i Shtetit vlerën prej 6.3 miliard lekë.
Vendi i katërt i përket shoqërisë Kastrati e cila ka arkëtuar përmes thesarit vlerën prej 1 854 703 398 Lekë (një miliard e tetëqind e pesëdhjetë e katër milion e shtatëqind e tre mijë e treqind e nëntëdhjetë e tetë lekë). Arkëtimet e kësaj shoqërie janë për furnizime në karburant dhe vaj. Kastrati është vetëm një nga shoqëritë e Kastrati Group, shoqëri mëmë për 12 shoqëri të tjera biznesi; zotëruese e tre kontratave të koncesioneve dhe përfitues i disa terreneve të Ministrisë së Mbrojtjes përmes të Programit për Investitor Shqipëria 1 Euro.
Një pasaportë të Grupit është e mirë strukturuar me informacion në databazën Open Corporates Albania; Informacion për Shoqëritë Koncesionare të Zotëruara nga Kastrati Group janë të afishuara në databazën për Regjistrin Koncesionar bashkë me të dhëna për të gjitha shoqëritë koncesionare PPP që veprojnë në vend.
Vendi i pestë në renditje i takon shoqërisë Fusha e cila këtë vit ka shënuar transaksione në vlerën 1 805 847 034 Lekë ( një miliard e tetëqind e pesë milion lekë e tetëqind e dyzet e shtatë mijë e tridhjetë e katër Lekë). Kjo shoqëri ka një listë të gjatë kontratash publike me institucione të qeverisjes vendore dhe lokale sikurse është aksionare në tre shoqëri koncesionare. Informacion mbi shoqërinë, kontratat dhe pozicionin e saj si zotëruese janë te mirë-strukturuara në Pasaportën e Shoqërisë përgatitur në databazën Open Corporates Albania.
Renditja vijon me Salillari vlerë transaksionesh të urdhëruara në vitit 2020 është 1 674 844 813 Lekë (një miliard gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër milion e tetëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind e trembëdhjetë lekë); Alb-Star transaksionesh për vitit 2020 në vlerën 1 661 045 960 Lekë (një miliard e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e një milion e dyzet e pesë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) Lekë; Gjikuria me transaksione të përfituara gjatë vitit 2020 në vlerë 1 635 825 256 Lekë (një miliard e gjashtëqinde tridhjetë e pesë milion e tetëqind e njëzet e dy mijë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë Lekë).
Një tjetër shoqëri koncesionare që shfaqet tek renditja e dhjetë klientëve më të paguar nga Transaksione thesari i shtetit është shoqëria AYEN-AS Energy. Edhe në rastin e saj pagesat përkojnë me Rimbursim Tatim në Vlerën Shtuar. AYEN-AS Energy është një shoqëri me paketë aksionesh të origjinës në Turqi e cila po zbaton kontratën koncesionar për Ndërtim Operim, transferim të hidrocentraleve Peshqesh, Ura e Fani Fangut. Vlera e transaksioneve të bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për këtë shoqëri koncesionare është 1 457 441 814 Lekë (një miliard e katërqind e pesëdhjetë e shtatë milion e katërqind e dyzet e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë lekë).
I dhjeti në renditje na paraqitet shoqëria Agbes Construction shoqëri kontraktore në fushën e investimeve. /Monitor/