Bëma e radhës e Ergys Verdhos/ S’kualifikon firmën që ofroi më pak në tender se “është ofertë shumë e ulët!”

Nga BoldNews.al

Ergys Verdho, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, vijon të shpërdorojë hapur fondet publike. Dhe, mbi të gjitha, mos të ketë asnjë hetim penal apo administrativ, duke i lënë “dorë të lirë”. Ai vijon të mbrohet me fanatizëm nga ministrja Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama, pasi mjafton vetëm një hetim apo verifikim i tenderëve të fundit dhe do të zbardhen dhjetëra afera; fitues të paracaktuar, firma që ofrojnë miliona euro më shumë, ARRSH në shërbim të oligarkëve, e shumë e shumë të tjera.

“Boldnews” ka investiguar dhjetëra procedura të tenderëve, ku ARRSH, me veprimet e titullarëve, i ka kushtuar arkave bosh të buxhetit, qindra milionë euro. Për më tepër, standarti i rrugëve në vendin tonë ngjason me vende të botës së tretë. Pas skemave të mëparshme, ku firmat që ofronin më pak s’kualifikoheshin pasi nuk plotësonin kriteret e vendosura nga ARRSH, Verdho ka gjetur një skemë të re; s’kualifikohesh pasi ke ofruar shumë pak! Normalisht, kriteri kryesor i fitimit të një tenderi është “oferta më e ulët”.

Por, për Verdhon ky kriter ka ndryshuar, dhe me ato që kemi denoncuar, ARRSH ka vendosur një kriter të ri; fitues bëhesh kur ofron më shumë! Normalisht, ai që ofron më shumë ka më shumë mundësi që të kënaqë të gjithë shtetarët… Dhe, e tillë procedurë është kryer edhe për tenderin “mirëmbajtje rutinë me performancë rruga “Rreshen – Shpal, Shpal- Q.Bene- K.Hadroj, Shpal-Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë.

Në këtë tënder morën pjesë 4 kompani. Ofertën më të ulët e kishin bashkimi i operatorëve ekonomikë “ALB SHPRESA” & “MELA” & “XHAST”, për 150.000.000 lekë. Ndërkohë, fitues është shpallur bashkimi i firmave “AEK MUNELLA” & DRINI -1″. Këto kompani ofruan vlerën prej 197.273.824 lekë! Më saktësisht, 47.273.824 lekë më shumë se oferta më e ulët. Ose, me TVSH, rreth 500 mijë euro.

Në tender, kjo ishte edhe oferta më e lartë, dhe për Verdhon duhej të shpallej fituese. Duket se ARRSH nuk i ka problem paratë, pasi po shpejton që t’i harxhojë gjatë këtyre muajve. Verdho po shpejton që të hapë dhjetëra procedura prokurimi, studime, apo edhe konsulenca. Dhe të gjitha, kur jemi në 100 ditëshin e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Në tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve, Boldnews hulumtoi dokumentet e vetë ARRSH, ku u konstatua se oferta më e ulët u s’kualifikua pasi “është ofertë shumë e ulët!”.

LEXO EDHE  Marrëveshja Rama- Erdogan, gjuha turke në shkollat shqiptare

Një nga arsyet e s’kualifikimit të firmave qe ofruan më pak është se janë oferta “anomalisht e ulët”. Firma që bëri këtë ofertë pretendon se rruga është në gjendje shumë mirë, prandaj ofroi edhe atë shumë. “Ju sqaroni, stafi, makineritë dhe puntoria e Kthellës do të organizohen nga Rrësheni ç’ka na shmang kostot e tepërta nga transporti. Nuk është bindës argumentimi i juaj” thotë ARRSH. Por vetëm kaq, asnjë e dhënë më shumë! Kompania i shkruan ARRSH-së se punimet e kategorisë mirëmbajtje rutinë janë punime të paparashikueshme dhe pa referenca në manualet zyrtare. Askush nuk mund të parashikojë:

Sa mm shi do bjerë e çfarë pasojash do sjellë në punimet e mirëmbajtjes rutinë,

Sa cm borë do bjerë e çfarë pasojash do sjellë në punimet e mirëmbajtjes rutinë,

Sa aksidente do të ndodhin e çfarë pasojash do të sjellin në punimet e mirëmbajtjes rutinë.

Për sa më sipër nënkupton se firma do të gjykojë vetë ajo, me uljen e saj se çfarë fitimi apo risku do të marrë përsipër dhe kjo na takon neve të gjykojmë dhe duke qënë se ky objekt është rikonstruktuar së fundmi, ne mendojmë se një ulje 37-38% për këto punime është e pranueshme.

Por, ARRSH i përgjigjet se është totalisht e gabuar koncepti juaj për mirëmbajtjen me performancë të rrugëve. Dhe në fund, e ka s’kualifikuar, duke shpallur fituese firmën që ofroi 500 mijë euro më shumë.