Përse Rama, Lleshaj, Veliaj, Mazniku dhe Veliu dalin nga konteksti?

Nga Boldnews.al

“Armiqtë përëndimorë na e kanë me të hedhur, donin të bënin sabotim, por nuk ia arritën, ata na kanë në thepin e pushkës, ne i kemi në grykën e topit…”. Ky është një postulat që gjezdiste nëpër kooperativat e lodhura të komunizmit, apo nëpër ndërmarrjet shtetërore. Disa edhe i besonin, përfshi edhe atë fshatarin që punonte me orar të zgjatur për të marrë 80 lekë të vjetra për ditë pune, që i vlenin për të blerë vetëm dy bukë.

Dukej se ishte harruar ajo marrinë kolektive, ku qytetarët mbaheshin nën fre me trysninë e tmerrshme të regjimit që të burgoste e internonte dhe me frymën malinje të propagandës, trullosnin njerëzit që për ta kërkuar armikun jashtë e brenda vendit, por asnjëherë përgjegjësinë tek vetja. Sot në një kohë të ngjashme është kryeministri ynë Edi Rama.

Pasi ka humbur çdo kredencial si individ jashtë vendit, ku BE ia ka bërë të qartë se nuk hap negociatat me vendin për tre çështje themelore; korrupsioni dhe krimi i organizuar; mungesa e zgjedhjeve të lira e ndershme, dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë.
Si kurrë më parë ka nisur një fushatë kundër vendeve të BE-së. Fillimisht duke i bërë përgjegjës për mos hapjen e negociatave dhe në mendjen e tij e lidhte me shtimin e partive ekstremiste dhe euskeptike, ndërsa sot akuzon disa vende të BE-së se janë bërë pengesë për të dërguar vaksinat anti-covid në Ballkanin Përëndimor. Ndër të tjera ai përmendi Francën, duke e marrë shembull se mban stok vaksina në vendin e saj dhe nuk i shpërndan në mënyrë të drejtë.

Kjo bëri që për herë të parë pas 30 vitesh “demokraci hibrite”, Ambasada e Francës në Tiranë të reagonte publikisht, gati një notë proteste ndaj deklarimeve të kryeministrit Edi Rama. Po kryeministri ynë edhe pse nuk hoqi dorë nga kritikat për “armiqtë e jashtëm që e kanë halë në sy Shqipërinë si ‘fanar ndriçues’”, u detyrua ta konsideronte si “nxjerrje nga konteksti” të fjalëve të tij.

“Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje”! – reagoi Rama ndaj një komentuesi që i kujtoi notën e protestës së Ambasadës Franceze në Tiranë.

LEXO EDHE  Pandemia/ Epidemiologu: Vatrat kryesore të infeksionit janë familjet

Por Rama nuk është i vetmi që del nga çdo “kontekst” normal… Pak javë para se të dorëhiqej i detyruar, ish-Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, duke iu drejtuar deputetit të vetëshpallur opozitar Myslym Murrizi i tha: “Polic ke qenë dhe polic mbete”. Një zhargon fyes, diskriminues dhe përbuzës për rreth 12 mijë efektivë të policisë në të gjithë vendin.
Më vonë Lleshaj u justifikua se fjalën e tij e kishin nxjerrë nga konteksti. Po në këtë frymë pak muaj më parë u soll edhe numri një i policisë së Shtetit Ardi Veliu.

“Shikojeni këtë video, në të shfaqet nëna e 15-vjeçarit që mban një pistoletë në dorë. Jua tregova për tu bindur se nga çfarë familje vjen ai djalë” – tha Veliu, duke justifikuar dhunën çnjerëzore të policisë mbi të miturin 15-vjeçar që u dhunua nga policia vetëm për faktin se kishte shkelur karantinën. Vetëm pak orë pas këtij reagimi të rëndë doli e vërteta se nëna e 15-vjeçarit ishte aktore dhe pistoleta që, mbante në duar ishte lodër dhe u përdor në një dubël filmi. Edhe Veliu u justifikua: “Ma nxorrën nga konteksti fjalën”, madje me këtë justifikim e mbrojti edhe Rama.

Po ka edhe nga ata që përdorin zhargon lacësh dhe kjo i ndodhi Lali Erit “të kujdeshëm”, që në një intervistë u shpreh: “Çunat shqiptarë janë zdromsa”…. Edhe ai e kishte mu bash e në majë të gjuhës justifikimin: “ma nxorrët nga konteksti”

Duket se në Bashkinë e Tiranës nga ferra del po ferra! Nënkryetari i Bashkisë Arbër Mazniku, ndërsa hargalisej në Dubai kur në Shqipëri kishte përmbytje masive dhe në krye të tavolinës ushqehej me biftekët e artë të Nusretit, u shpreh: “Video ka dalë nga konteksti”…!

Në fakt janë të gjithë të dalë nga konteksti, por jo i fjalës, i të menduarit. Për ta ekziston vetëm një Shqipëri dhe ajo është surreale që qarkullon në mendjet perverse të pushtetit. Gjithçka tjetër për qeverinë realisht ka dalje nga binarët dhe jo nga konteksti!