Nga BoldNews.al
Drejtuesja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Pamela Qirko, u mbështet në mënyrë abuzive tek e drejta e kufizuar për informacion, duke shmangur përgjigjen se përse institucioni që ajo drejton nuk ka vendosur ende ndalimin 15-vjeçar për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, i cili dha dorëheqjen pasi kishte hyrë në fuqi ligji i Vetingut.
Në një komunikim të mëparshëm, zonja Qirko konfirmoi për “Boldnews.al” se Henrik Ligori është shortuar për t’u përfshirë me kërkesë të tij në procesin e rivlerësimit, në Qershor 2020, me të drejtën që u njeh ligji ish-prokurorë që kanë ushtruar funksionet para se të niste zbatimin ligji “Për rivlerësimin kalimtar…”, në Janar 2017.
Redaksia i tregoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit disa dokumenta zyrtarë, të cilat janë prej kohësh edhe në dispozicion të atij institucioni, në të cilat provohet se Henrik Ligori ka dhënë dorëheqjen në Korrik 2018, pra pas hyrjes në fuqi të ligjit të Vetingut.
Bazuar në këto dokumenta, “Boldnews.al” pyeti sërish Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se përse (ish) magjistratit Ligori po i kryhet rivlerësimi “me kërkesë të tij”, ndërkohë që, bazuar në ligjin e Vetingut, ai duhej ndaluar për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet, si pasojë e dorëheqjes.
Por, në një përgjigje të dytë, drejtuesja e KPK-së, Qirko, pa fshehur notat e nervozizmit për atë që e konsideroi si “kërkesë të përsëritur”, deklaron për “Boldnews.al” se kërkesa mbi procedurat e ndjekura për procesin e rivlerësimit të ish-magjistratit Ligori “përbën një të drejtë të kufizuar, pasi çështja është ende nën hetim…”.
Në përgjigjen e saj, zonja Qirko i referohet nenit 4 të ligjit “Për Vetingun”, i cili parashikon mundësinë e kufizimit të informacionit publik, në rastet kur vlerësohet se i shkaktohet një dëm i rëndë procesit.
Por, në rastin konkret, “Boldnews.al” iu drejtua Komisionit të Vetingut me kërkesa që lidhen me aspekte proceduriale të ndjekura nga KPK dhe që nuk përfshihen në të dhënat e deklaruara nga subjekti Henrik Ligori.
Kërkesat e redaksisë drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i është vënë në dijeni edhe trupës vëzhguese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), e cila nuk ka dhënë asnjë koment mbi procedurat e dyshimta të ndjekura nga shkalla e parë e Vetingut në rastin e subjektit Ligori.
Përballja
Në një raportim të fillim-dhjetorit 2020, redaksia publikoi të dhëna mbi ato që mund të konsiderohen si “pirueta” të institucioneve të drejtësisë për t’i hapur rrugën ish-prokurorit të dorëhequr, Henrik Ligori, të rikthehet pa probleme në sistemin e drejtësisë.
Gjithçka nisi kur, në Qershor 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) njoftoi se kishte përfshirë në shortin për rivlerësim subjektin “Henrik Ligori, prokuror pranë Krimeve të Rënda”.
Sipas njoftimit zyrtar, emri i Ligorit, si edhe të tjerë prokurorëve të përfshirë në atë short, ishte gjeneruar nga lista e përcjellë prej Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në Nëntor 2019.
KLP, disa muaj më parë, i kishte konfirmuar redaksisë se, në momentin e krijimit të tij, në Dhjetor 2018, emri i Henrik Ligorit, tashmë avokat dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës, nuk figuronte në listat e prokurorëve në detyrë.
Por, kur “Boldnews.al” i kërkoi informacion se përse emri i “prokurorit Ligori” i ishte përcjellë strukturave të Vetingut prej KLP-së në Nëntor 2019, pra një vit pas krijimit të institucionit, titullari i saj, Gent Ibrahimi, zgjodhi heshtjen.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se Henrik Ligori ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i prokurorit në 3 Korrik 2018 dhe një ditë më pas, pra në 4 Korrik, është njoftuar edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për mbarimin e statusit të tij të magjistratit.
KPK e ka marrë këtë informacion, por nuk rezulton të ketë zhvilluar procedurën për konstatimin e mbarimit të statusit të Henrik Ligorit dhe ndalimin e tij për t’u angazhuar për një periudhë 15- vjeçare në sistemin e drejtësisë, sipas përcaktimeve ligjore.
Fshehje pas “konfidencialitetit”
Deri në Korrik 2018, kohë kur ka dhënë dorëheqjen ish-magjistrati Henrik Ligori, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte dhënë të paktën 3 vendime me ndalimin “15-vjeçar” për magjistratë të dorëhequr. Madje, një prej këtyre vendimeve ishte konfirmuar edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), shkalla e dytë e Vetingut.
Por, KPK nuk ka ndjekur të njëjtën logjikë ligjore për rastin e ish-magjistratit Ligori, ndërkohë që iu shmanget sqarimeve mbi rastin, duke qëndruar pas “konfidencialitetit”.
Kryetarja Pamela Qirko deklaron se “trupa gjykuese (e rivlerësimit për subjektin Henrik Ligori, shën.red) do të shprehet për të gjitha gjetjet me vendim të arsyetuar në përfundim të hetimit administrativ”.
Ekzistojnë disa elementë në përgjigjen e Qirkos për të forcuar dyshimet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po vijon procedurat normale të rivlerësimit për subjektin Henrik Ligori.
Së pari, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ngritur një trupë të posaçme për shqyrtimin e rasteve të dorëheqjeve. Kjo trupë është krijuar në 26 Shkurt 2019 dhe, për ironi të fatit, në përbërje të saj është edhe vetë Pamela Qirko.
Pra, dorëheqja e Ligorit do të duhej të shqyrtohej nga kjo trupë e posaçme. Por, siç rezulton nga të dhënat zyrtare, emri i tij është përfshirë në short normalisht dhe ndaj tij po vijojnë procedurat.
Së dyti, titullarja Qirko pranon se trupa gjykuese e Ligorit “do të shprehet për të gjitha gjetjet në vendimin e arsyetuar”.
Në rastet e dorëheqjeve, KPK nuk investigon dhe nuk zbulon “gjetje”, “informacione” apo “të dhëna”.
Shqyrtimi i dorëheqjeve nga ana e subjekteve të rivlerësimit konsiston vetëm në faktin nëse akti vullnetar i largimit nga detyra është ose jo në përputhje me parashikimet ligjore. Këto vendime pasohen me “ndalimin 15-vjeçar”.
Së treti, Pamela Qirko mbështetet në “kufizimin e të drejtës për informacion”, pavarësisht se nuk u kërkuan të dhëna personale për subjektin Ligori.
Qëndrimi i titullares së KPK-së dëshmon se procesi ndaj Ligorit është në vijim, pavarësisht dorëheqjes së tij.
Çfarë po luhet?
Henrik Ligori ka qenë prej shumë vitesh pjesë e sistemit të prokurorisë. Bashkëpunëtorë të tij e konsiderojnë si një lidhje e afërt me Fatmir Xhafajn, drejtues i Komisionit për Reformën në Drejtësi dhe më pas ministër i Brendshëm në kabinetin “Rama 2”.
Ligori ka qenë gjithashtu ekspert i Nivelit të Lartë për draftin e Reformës në Drejtësi. Zëra në korridoret e drejtësisë dhe politikës besojnë se “lojërat” për t’i siguruar atij statusin e magjistratit mund të jenë një parathënie e emërimit të Ligorit në krye të institucioneve të reja të drejtësisë.
Projekti i Reformës në Drejtësi parashikonte se Ekspertët e Nivelit të Lartë nuk mund të emëroheshin në strukturat e reja.
Por, disa ndryshime të “minutës së fundit” e eliminuan këtë ndalim, duke u dhënë mundësi disa prej ekspertëve të jenë titullarë në “Drejtësinë e Re”.
Gent Ibrahimi, Ekspert i Nivelit të Lartë për reformën kushtetuese, aktualisht është kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Eksperti i Nivelit të Lartë për të drejtën penale, Arben Rakipi, u emërua Drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
Po ashtu, edhe Sokol Sadushi, një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i Fatmir Xhafajt, u emërua në krye të Gjykatës së Lartë.
Tashmë, duket se edhe Henrik Ligori po “pilotohet” për një pozicion kyç në atë që konsiderohet si “Drejtësia e re”.