Skënderbeu pret ditën e nesërme në shtëpi, Partizanin. Korçarët, që vijë pas katër pikëve në dy ndeshjet e fundit, nuk kanë mundur ende të federojnë lojtarët e afruar në merkato, teksa kjo pjesë i krijon shumë vështirësi trajnerit Julian Ahmataj.
Ky i fundit në konferencë për shtyp, thekson se beson te lojtarët në dispozicion por janë të brishtë dhe të paktë në numër, megjithatë shpresë i jep fakti se ndaj ekipeve të forta kanë marrë rezultate të mira.
“Akoma nuk jemi të qetë, sepse afrimet e merkatos nuk janë federuar akoma. Duhen edhe disa procedura që të jenë gati për ndeshjen, nuk e dimë do t’i kemi nesër apo jo. Nga momenti në moment pritet të zhbllokohet merkato. Lojtari që ka bllokuar merkaton nuk ka dhënë akoma konfirmimin, ky konfirmim ka vonuar deri ditën e sotme. Besoj se do të zgjidhet.”
Formacioni? “Kemi shumë vështirësi, sepse jemi shumë të brishtë dhe të paktë në numër. Përzgjedhjet janë të limituara. Rritet shkalla e vështirësisë, por jam i bindur që të gjithë lojtarët që janë në dispozicion do të japin maksimumin për të bërë një gjë të mirë në ndeshjen me Partizanin. Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë. Kemi marrë rezultate të mira me skuadra të forta, por kemi çeduar me disa skuadra të ‘vogla’.
Nuk ka ndeshje të lehta, vështirësohen me vazhdimin e lojës, ose i thjeshtëson ti me mënyrën se si e përgatit ndeshjen. Si futbollist kam luajtur në borë, por si trajneri është hera e parë që do drejtoj ekipin në borë. Vijmë nga dy ndeshje pozitive. Mendoj që skuadra bëri një punë shumë të mirë ndaj Kastriotit, pavarësisht barazimit që pësuam në fund. Duhet të jemi edhe më të impenjuar, pasi inercia në futboll nuk vlen.”- u shpreh Ahmetaj.