Deri tani drita e gjelbër është dhënë për vaksinën anti Covid të Pfizer/BioNTech në 21 dhjetor, dhe në 6 janar për vaksinën Moderna. Agjencia europiane e mjekimeve bëri të ditur se do të ketë një analizim të shpejtë për të marrë një vendim brenda këtij muaji nëse të dhënat do të jetë mjaftueshëm “të forta dhe të kompletuara”
Bashkimi Europian dhe kjo agjenci janë nën presion për të përshpejtuar miratimin e vaksinave të reja kundër virusit që ka shkaktuar më shumë se 620 mijë viktima në të gjithë kontinentin.
Presidentja e komisionit të Bashkimit Europian, Ursula von der Lejen, mirëpriti kërkesën për miratim të vaksinës AstraZeneca/Oxford, duke e cilësuar si një lajm të mirë.
Vaksina AstraZeneca/Oxford jo vetëm është një nga më ekonomiket për t’u prodhuar në krahasim me konkurentet e saj, por është dhe më e lehtë për t’u magazinuar dhe transportuar – sidomos në krahasim me Pfizer/BioNTech, e cila duhet ruajtur në temperatura shumë të ulëta deri në minus 70 gradë celsius.
Një dozë e vaksinës AstraZeneca kushton 6 euro, ajo e Moderna kushton 10 herë më shumë, ndërsa ajo e Pfajzer/BionNTech, kushton 33 euro.
Sipas rezultateve të para, vaksina e re do të ndihmonte në reduktimin e transmetimit të virusit duke reduktuar infektimet asimptomatike. Nga ana tjetër, vakinat Pfizer dhe Moderna janë më efikase për të pakësuar rastet e rënda me Covid-19.
Shërbimi shëndetësor britanik, miratoi dhe nisi ta përdorë para krishtlindjeve, duke publikuar dhe një listë me përbërësit e saj. Mund të mos jetë lista e plotë por bëhet fjalë për përbërësit që ndoshta shkaktojnë reagimin imunitar.
Vaksina Oxford/AstraZeneca nuk opërdor teknologjinë revolucionare gjenetike mRNA, atë të mesazherit RNA, që aplikohet nga Pfizer dhe Moderna
Nuk injektohet pra ajo që shërben për të prodhuar proteinën që i lejon virusit të koronavirus të kapet tek qelizat.
Kjo vaksinë mbështetet më shumë në tipologjinë tradicionale të vektorit viral. Përbërësi kryesor është një adenovirus që shkakton të ftohurën tek shimpanzetë, gjenetikisht i modifikuar në mënyrë që të mos zhvillohet dhe të riprodhohet në trupin e njeriut.
Adenovirus janë një familje shumë e zakonshme virusi që shkaktojnë sëmundje të ndryshme si tek njerëzit ashtu dhe tek kafshët. Dhe pse nuk tingëllon shumë joshëse, kjo teknologji është ajo që përdoret prej dekadash, më e qëndrueshme dhe më e përpunuar, ndërsa ajo që mbështetet tek mRNA sintetike e Pfizer dhe Moderna është tërësisht e re.
Vaksina e universitetit të Oksford dhe AstraZeneca, replikon ndër të tjera, si bëjnë dhe dy vaksina të tjera, sekuencën gjenetike të proteinës S të koronavirusit të ri, atë lloj grepi të vogël që virusi përdor për të pushtuar qelizat tona.
Virusi, në këtë pikë bëhet i padëmshëm, dhe përmban një sekuencë ADN-je që mundëson prodhimin e proteinës nga organizmi i pacientit. Sistemi imunitar merr në këtë pikë informacionet e duhura dhe mëson të mbrohet nga Kovid 19 kur gjendet i ekspozuar, duke krijuar anti-trupa neutralizues dhe një përgjigje nga ana e qelizave T të sistemit imunitar.
Pjesa më e madhe e përbërësve janë pak a shumë të zakonshëm. Në ndryshim nga vaksinat Pfajzer dhe Moderna, nuk kërkon lipide për ruajtjen e saj
– L-histidina, është një aminoacid thelbësor që ne e konsumojmë çdo ditë në ushqimin tonë;
– L-histidine hidroklorur monohidrat, një formë tjetër kimike e këtij aminoacidi;
– Heksahidrat klorur magnezi: një lloj kripe shumë e zakonshme;
– Polysorbate 80: një shtesë trashëse e pranishme në barna dhe kozmetikë që ka një veprim mbi yndyrnat;
– Etanol (alkool);
– Saharoze (sheqer);
– Klorur natriumi (i zakonshëm, kripë kuzhine);
– Acid etilenediaminatetraacetik (EDTA). Përdoret si shtesë në ushqim dhe në ilaçe për të hequr metalet e rënda, si antikoagulues dhe përdoret gjithashtu për të parandaluar formimin e biofilmave nga bakteret;
– Ujë për injeksione;
Për sa i përket efekteve anësore, kjo vaksinë është e ngjashme madje më e mirë se Moderna. Rreth 60% e pacientëve pranojnë ndjeshmëri në zonën e injektimit, 50% pohon se kanë dhimbje të kufizuar në zonën ku injektohet virusi, dhimbje koke apo lodhje; 40% dhimbje muskulare apo shqetësime, 30% ethe apo temperaturë të lartë, 20% flet për dhimbje muskujsh dhe të vjella.
Zakonisht flitet për simptoma të lehta që kalojnë brenda pak ditësh. Njëosj si për dy vaksinat e tjera, të moshuarit duket se i përballojnë më mirë se të rinjtë. Vaksina e Oxford/AstraZeneca është kritikuar për shkak të rrëmujës në rezultatet e përkohshme të studimeve klinike
Ka pasur probleme dhe për sa i përket gabimeve të dozimit. Laboratori britanik kishte paralajmëruar në muajin nëntor se vaksina e tij kishte një efikasitet mesatar të 70%, në krahasim me atë të më shumë se 90% të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe Moderna. Efikasiteti i vaksinës AstraZeneca/Oxford rezultoi në 90% për vullnetarët që kanë marrë fillimisht një gjysmë doze, më pas një dozë të plotë muajin e ardhshëm, por deri në 62% në një grup tjetër të vaksinuar me më shumë frekuencë, me dy doza të kompletuara me një distancë kohore prej një muaji
Injektimi me gjysmë doze në fakt ndodhi gabimisht. Vetëm një grup i vogël kishte ndjekur protokollin e dytë. Kjo kishte shkaktuar shqetësime dhe detyroi kompaninë që të deklaronte në 26 nëntor se do të zhvillohej një studim i mëtejshëm për të verifikuar rezultatet e para
Sipas presidentit të AstraZeneca, Paskal Soriot, janë kryer studime të reja dhe formula e re është “ajo fituese për arritjen e efikasitetit, me dy doza, aq të larta sa ajo e konkurrentëve”.
AstraZeneca ka kryer prova klinike me pak më shumë se 23 mijë pacientë dhe po e vë vaksinën e saj në dispozicion për qëllime jofitimprurëse. Sidoqoftë, polemikat shpërthyen kur u deklarua se nuk do të mblidhej asnjë fitim për kohëzgjatjen e pandemisë, por në të njëjtën kohë kompania rezervon të drejtën të deklarojë fundin e pandemisë në korrik 2021. Kompania gjithashtu premtoi se vaksina e saj do të jetë e përballueshme “në përjetësi” për vendet në zhvillim.