Ndërsa vaksina e Pfizer pritet me padurim të mbërrijë në javën e tretë të janarit në Tiranë për stafin mjekësor, të ndikuar nga teoritë konspirative, qytetarët mbeten të dyzuar nëse duhet të vaksinohen apo jo.
Të premten më 1 janar, kryeministri Edi Rama njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me kompaninë farmaceutike Pfizer për blerjen e 500 mijë vaksinave kundër COVID-19.
“Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer,” tha Rama. “Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por padyshim vaksina është e këshillueshme për të gjithë,” shtoi kryeministri.
Rama theksoi se 10,750 dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë në Shqipëri brenda janarit dhe vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat madhore mbi 75 vjeç.
Edhe pse është paqartë se kur do të mbërrijnë mjaftueshëm vaksina për të realizuar një mbulim të gjerë të popullatës, një pjesë e shqiptarëve mbeten skeptikë mbi efektet e vaksinës kundër COVID-19, të ndikuar nga teoritë konspirative që qarkullojnë rreth saj.
Vaksina e kompanisë Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim nga Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Europian, ndërsa së fundmi u miratua edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Të hënën, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektuan Qendrën e Parë të Vaksinimit anti-COVID në Stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë, ku është parashikuar të nisë vaksinimi gjatë javës së tretë të muajit të parë të vitit.
Manastirliu theksoi se janë marrë masat për të gjithë elementët e sigurisë.
“Do të kemi skuadrat e vaksinatorëve, të mjekëve si dhe të koordinatorëve që do të lehtësojnë këtë proces,” tha ajo.
“Do të kemi ekipet e urgjencës për çdo eventualitet, të cilët do të vendosen në postacione të përcaktuara, qoftë jashtë “Arenës”, qoftë në ambientet e vetë stadiumit,” shtoi ministrja e Shëndetësisë.
Sipas saj, vaksinimet e para do të kryhen sipas planit të vaksinimit të grupeve të riskut. Në moshën 65 vjeçare, Makbule Hoxha, e cila e përshkruan veten si një qytetare autoktone e Tiranës, është brenda grupeve të riskut të COVID-19.
“Unë mendoj më mirë ta bëj vaksinën,” tha Makbulja për BIRN. “Nisem me hamendësimin se jetëgjatësia e njerëzve ndër vite, që prej kohës së komunizmit e deri sot, është rritur pikërisht prej ilaçeve dhe vaksinave,” shtoi ajo, duke arsyetuar me zë të lartë mendimin e saj, ndërsa shtoi se ‘besoj se dhe kësaj radhe kjo vaksinë do na ndihmojë.”
Megjithëse ka vendosur ta bëjë vaksinën e COVID-19 nëse ajo do t’i ofrohet nga qeveria, Makbulja nuk e fsheh frikën nga efektet anësore që inokulimi mund të ketë, e amplifikuar dhe nga lajmet që ka dëgjuar se disa persona që kanë bërë vaksinën, kanë vdekur.
“Tani ku i dihet çfarë kanë pasur, thonë se alergjikët nuk duhet ta bëjnë,” tha Makbulja. “Po kur mendoj se po më kapi korona do vdes e vetme si qen, them më mirë të marr riskun e vaksinës,” shtoi 65-vjeçarja.
Edhe Mario, një djalë i ri 32-vjeçar që administron një kompani farmaceutike, i tha BIRN se pavarësisht se nuk është kundër vaksinimit, ai kishte dyshimet e tij në lidhje me përmbajtjen e vaksinës kundër COVID-19.
“Me thënë të drejtën, mendoj se të gjithë ne të rinjtë që do vaksinohemi nuk do jemi më në gjendje të bëjmë fëmijë,” tha ai. I pyetur se ku e bazonte këtë dyshim, Mario shtoi se edhe pse nuk kishte ndonjë provë apo fakt konkret në lidhje me këtë teori, ai bazohet në fjalë të përgjithshme dhe opinionin e tij ‘me aq informacion sa ka nga fusha”.
Ashtu si Mario, edhe Sofia – një vajzë 26-vjeçare e cila sapo është martuar, shprehu frikën se vaksina mund ta bënte infertile.
“Unë dhe bashkëshorti kemi vendosur mos ta bëjmë vaksinën,” tha ajo.
Sofia theksoi se i druhej se nëse do ta bënte vaksinën, nuk do të ishte në gjendje të bëhej me fëmijë dhe për të njëjtën arsye i kishte kërkuar dhe burrit që të mos vaksinohej.
“Ose përndryshe të nisim njëherë të bëjmë fëmijë, e më pas të vaksinohemi,” shtoi ajo.
Nuk ka asnjë bazë shkencore që të sugjerojë se vaksina e COVID-19 mund të ndikojë fertilitetin, as në femra dhe as në meshkuj. Fatkeqësisht, ajo nuk është e vetmja teori konspirative që qarkullon në Shqipëri rreth vaksinën kundër COVID-19.
Sipas një sondazhi të kryer prej në tetor nga Instituti për Zhvillim dhe Alternative Kërkimore, IDRA, në Shqipëri gjatë mbi perceptimin e qytetarëve për vaksinimin ndaj Covid-19, 54% e të anketuarve deklarojë se “më së shumti jo” ose “absolutisht jo” kur pyeten nëse do e bëjnë vaksinën kur ajo të jetë gati.
Vetëm 19% e të anketuarve janë të vendosur të vaksinohen, ndërsa 18% deklarojnë “më së shumti po, do e bëjmë vaksinën” kur ajo të jetë gati.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (53%) i druhen efekteve anësorë të vaksinës, ndërsa 20% janë kundra vaksinave në parim dhe 11% dyshojnë në efektshmërinë e saj.
Bona Tabaku, 50 vjeç nga Tirana i tha BIRN se dyshimet e saj mbi efektshmërinë e vaksinës ishin shtuar me shfaqjen e mutacioneve të reja të virusit SARS-CoV-2; megjithatë, ajo theksoi se e shihte vaksinën si të keqen më të vogël në krahasim me përhapjen e pandemisë.
“Besimi në efektshmërinë e vaksinës – aq më tepër tani me daljen e fakteve të reja mbi mutacionet e Sars-CoV-2 është ulur, sepse na rrethon një pasiguri e madhe, pikërisht dhe nga surprizat që mund të na ofrojë dhe efekti ‘vaksinë’,” tha ajo.
“Në përfundim, duke mos patur rrugëzgjidhje më të mirë se mosvaksinimi – pasi në rast të tillë virusi do të vijonte të qarkullonte në popullatë, them se jemi të detyruar ta bëjmë vaksinën,” shtoi ajo.
Më shumë se gjysma e të anketuarve është përgjigjur se i beson disa nga teoritë konspirative që qarkullojnë rreth COVID-19. Rreth 70% e të anketuarve besojnë se COVID-19 është krijuar në një laborator në Kinë. Nga ana tjetër, teoria se ky virus është krijuar nga personat me pushtet apo kompanitë farmaceutike për qëllime përfitimi monetar dhe pushteti, pranohet nga 65% e të anketuarve.
Arjan Dini është një prej atyre që i besojnë teoritë e konspiracionit. Ai i tha BIRN se virusi ashtu edhe vaksinat janë bërë për qëllime fitimi dhe kontrolli.
“Sigurisht besoj në ekzistencën e COVID-it, por jam i bindur se ka dalë nga laboratori,” tha ai, ndërsa shtoi se nuk ka shumë besim në efektivitetin e vaksinave.
“Tani po bëhet luftë mes kompanive, kush të shesi vaksinën më të mirë dhe me çmim më përfitues,” tha Arjani, ndërsa shtoi se “çdo gjë është e stisur.”
“Personalisht, unë do zgjedh mos të vaksinohem,” përfundoi ai. /BIRN/