Sikur të mos mjaftonte plaga e hapur nga tërmeti i 26 Nëntorit të viti të shkuar, dhe ende pa ju gëzuar mbështetjes financiare që mori në Bruksel për rindërtimin, vala e Koronavirusit që ra mbi mbarë globin, goditi pashmangshëm dhe Shqipërinë. Por ndërsa pandemia mbizotëroi jetën e qytetarëve, përplasjet e forta politike, të ushqyera nga ethet e zgjedhjeve të ardhshme nuk munguan.
PANDEMIA
Më 9 Mars, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë, kryeministri njoftoi se “laboratori virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, ka konfirmuar mesnatën e mbrëmshme dy raste me COVID 19”.
Bëhet fjalë për babë e bir të cilët kishin vizituar Italinë në fundt të muajit shkurt dhe kishin hyrë në Shqipëri nga pika e Murriqanit. Ata dërgohen në Spitalin Infektiv, i cili kthehet në një zonë karantinë.
Përballë një situate me shumë të panjohura, Qeveria njofton për masat e para kufizuese me efekt të menjëhershëm.
Më 11 Mars regjistrohet dhe vdekja e parë, një 73 vjeçare humb jetën në spitalin e Durrësit, ku menjëherë më pas mjekë e infermierë karantinohen.
Paralelisht me frikën që shtohet, rriten dita ditës kufizimet. Të parat që mbyllen janë Tirana e Durrësi. Brenda një harku të shkurtër kohor, i gjithë vendi e sheh veten në izolim. Më 15 Mars, kryeministri do të bëjë të ditur se “perimetri i blinduar do të njehsohet me kufirin e Republikës së Shqipërisë. Dhe praktikisht e gjithë Shqipëria do të jetë javën tjetër, siç ishin Tirana dhe Durrësi fillimisht këtë javë”.
Kufizimet sa vijnë e shtohen. Këmbësorët mund të lëvizin vetëm sipas një orari të caktuar. Ndërsa fundjavat kthehen në izolim i plotë, detyruar dhe nga shpërfillja ndaj rregullave. “Kush nuk e ka marrë vesh me hir, do ta marrë vesh me pahir”, paralajmëron zoti Rama më 21 Mars. Autoblindat e ushtrisë dhe të policisë marrin në kontroll akset kryesore të rrugëve, veçanërisht në kryeqytet.
Mbrëmjen e 24 marsit Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Rastet rriten çdo ditë, dhe përhapja e virusit prek thuajse të gjithë vendin, duke shënuar viktima. Testimet do të jenë në qendër të debateve që nuk do të rreshtin. “Përqindja e viktimave në raport me shifrat e konfirmuara mbetet e lartë, çka tregon, sipas shumë ekspertëve se numri i testimeve është jashtëzakonisht i uët”, deklaron më 31 Mars kryetari demokrat Lulzim Basha. Autoritetet këmbëngulin se strategjia e përballjes më Koronavirusin është përcaktuar nga ekspertët.
Në fillim të Prillit kurba e infektimeve nis të shënojë një rënie. Kryeministri njofton më 10 Prill se kufizimet do të nisin të lehtësohen duke zgjatur orarin e lëvizjes. Dora dorës, përgjatë gjithë prillit dhe majit, rihapen thuajse të gjitha aktivitetet. Në fillim të Qershorit, dhe kufijtë tokësor janë hapur e në fuqi kanë mbetur vetëm pak kufizime. Deri më 9 Qershor Shqipëria rregjistroi 35 vdekje dhe 1236 raste.
Situata u përmbys në muajt që pasuan, me një shtim progresiv të viktimave, rasteve të reja dhe të shtruarve në spitale. Ndërsa BE-ja vijon t’i mbajë të mbyllura dyert për udhëtarët nga Shqipëri, autoritetet nga ana e tyre hapën kufijtë, duke pritur një numër të madh vizitorësh kryesisht nga Kosova. Në vend megjithatë mbizotëron një atmosferë gati shpërfillëse ndaj Koronavirusit. Në fillim të shtatorit numri i viktimave është thuajse i nëntëfishuar ndërsa të infektuarit janë rritur mbi 8 herë.
Tendenca drejt përkeqësimit do të vijojë përgjatë gjithë periudhës së mbetur të vitit. Disa nga masat kufizuese rikthehen. “Maskat do të jenë të detyrueshme kudo”, deklaron kryeministri më 10 Tetor. Autoritetet njoftojnë se mësimi në universitete do të zhvillohet online, ndërsa pjesa tjetër e sistemit arsimor vijon normalisht, por vetëm për pak, pasi edhe këtu mësimi në klasa do të gërshetohet më vonë me atë në distancë.
Rritja e shpejtë e rasteve e për pasojë dhe të shtruarve, detyron autoritetet të hapin në fund të Tetorit spitalin e tretë. Pak javë më pas do të hapet dhe COVID 4. Më 11 Nëntor, në të gjithë vendin rikthehen dhe kufizimet në qarkullim nga ora 22.00 deri në 06.00 të mëngjesit. Polemikat për administrimin e situatës vetëm sa shtohen. “Për përgjigjen ndaj pandemisë, aboslutisht ka qenë një keqmenaxhim dhe një dështim total”, këmbëngul zoti Basha. Por kryeministri kundërpëgjigjet menjëherë se “rritja e numrit të të infektuarve nuk është absolutisht jashtë parashikimit”.
Askush ende nuk di të thotë me siguri sa do të zgjasë kjo gjendje. Shqipëria ka paguar mbi 4 milion dollarë për të rezervuar vendin pranë nismës COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të siguruar 1.14 milion doza. Autoritetet deklarojnë se paralelisht kanë ndërmarrë dhe tratativa të tjera. “Unë dua të sjellë vaksinën këtu në fillim të vitit”, deklaron zoti Rama më 15 Dhjetor.
EFEKTET E PANDEMISE MBI EKONOMINE
Koronavirusi nuk vë në provë vetëm sistemin e Shëndetësisë por dhe ekonominë e brishtë të vendit e detyruar të stopojë. Në harkun kohor të gati një muaji, ndërmjet Marsit dhe Prillit, Qeveria ndërhyn me dy paketa financiare në mbështetje të bizneseve, duke ofruar dhe dy garanci sovrane, përmes të cilave merr përsipër interesat e kredive që sipërmarrja do kërkojë nga bankat. Por për opozitën “të dyja paketat nuk janë të mjaftueshme dhe zbatimi i të dyja paketave lë shumë për të dëshiruar”, shprehet zoti Basha më 16 Prill.
Banka e Shqipërisë ndërkohë ul me 0.5 pikë përqndje normën e interesit, dhe shtyn për tre muaj shlyerjen e kredive bankare të bizneseve.
Debati për mbështetjen ndaj ekonomisë do të vijojë përgjatë gjithë vitit. Opozita do prezantojë në vjeshtë një plan me 5 pika, me një kosto sipas saj prej 312 milion eurosh. për t’i bërë ballë 6 muajve e ardhshëm. Zoti Basha kërkon që qeveria “të marrë në shqyrtim një nga një të 5-ta propozimet pa humbur asnjë ditë kohë”.
Kryeministri Edi Rama e konsideron propozimin një mungesë serioziteti dhe përdor tone mospërfillëse ndaj kreut demokrat Basha: “Eshtë shalqi me provë, domethënë i pangrënshëm”
Në fund të Nëntorit, Fondi Monetar vlerëson se për shkak të nivelit të lartë të Borxhit Publik paketat mbështetëse të Shqipërisë ishin me të vogla se ato të vendeve të rajonit. Ndërsa rënia ekonomike, pritet të jetë ndër më të lartat. Përkundër Qeverisë e cila parashikon një tkurrje prej 6.1 përqind, institucionet ndërkombëtare, janë edhe më skeptike, duke paralajmëruar një rënie nga 7.5 në 9 përqind, me shpresën për një rimëkëmbje në 2021.
LEMSHI I REFORMES ZGJEDHORE
E zvarritur pa fund, Reforma zgjedhore ze nje vend qendror në skenën e debatit politik që nga Janari deri në fund të vitit. Një marrëveshje që përfshiu dhe opozitën jashtëparlamentare çon në ndryshime konsensuale të kodit zgjedhor, por shumica shkon përtej. Ajo prek më pas dhe kushtetutën duke ndryhuar skemën e listës së kandidatëve e duke përjashtuar koalicionet, në formën e organizuar deri më tani.
Opozita bën të qartë që në ditët e para të Janarit se Reforma zgjedhore, e nisur prej një kohe të gjatë, është prioriteti i saj kryesor. Nën trysninë ndërkombëtare, më 14 Janar, ngrihet Këshilli politik, ku socialistët do të ulen me të dy opozitat, atë parlamentare dhe demokratët me LSI-në, duke firmosur një dokument të përbashkët. Të gjitha palët duken të kënaqura. “Ky dokument sot, garanton atë që ne kemi kërkuar prej kohësh. Që reforma zgjedhore të realizohet me consensus”, shprehet Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike. “Gjetëm një modalitet që opozita të jetë pjesë e punës së Komisionit të Reformës zgjedhore”, thekson nga ana e tij socialisti Damian Gjiknuri.
Marrëveshja duartrokitet nga komuniteti ndërkombëtar, i cili do të mbiqyrë çdo hap, duke mbajtur një rol aktiv, që do të rezultojë përcaktues për fatin e Reformës.
Kërkesat që hidhen në tavolinë nuk kanë pika takimi. Opozita këmbëngul për një qeveri kujdestare para çdo palë zgjedhjesh parlamentare dhe moratorium nga Vettingu për anëtarët e Kolegjit zgjedhor. Shumica nga ana e saj kërkon depolitizim të administratës zgjedhore.
Kompromisi duket i largët, aq më tepër kur si afat është dakortësuar 15 marsi. Dallimet e forta konfirmohen dhe pas një takimi me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar më 4 Mars. “Partia Demokratike, siç thotë populli të vijë me këmbë në tokë për disa gjëra”, thekson Gjiknuri. E menjëhershme replika e Bylykbashit: “Nëse Partia Socialiste vjen me idenë se mund të vendosë ajo se cilat janë propozimet e arsyeshme dhe me këmbë në tokë, e çfarë jo, atëherë ka hyrë gabim më 14 Janar”.
I ndërprerë për shkak të pandemisë, procesi do të rinisë në Maj me të njëjtat problematika. Dakortësia e vetme është ajo për të caktuar një afat të ri fundor, 31 Majin. Por ditët kalojnë, dhe në lojë futet sërish Komuniteti ndërkombëtar. Ambasadorja amerikane, më 26 Maj, kërkon pas një takimi me kryedemokratin Basha, që udhëheqësit politik të mbajnë premtimet dhe “të përmbyllin Reformën zgjedhore brenda 31 Majit”.
Palët nuk lëshojë pe. “Qeveria tranzitore është një kërkesë e padiskutueshme e jona”, këmbëngul Bylykbashi. Afati i 31 Majit digjet. Ambasadorja amerikane thekson se nuk mund të insistohet në pozicione të pamundura. Për dy ditë me radhë mbledhja e Këshillit politik spostohet në rezidencën e ambasadores Kim. Palëve u kërkohet tëë heqin dorë nga kërkesa që shkojnë përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Vonë, në mbrëmjen e 3 Qershorit, ambasadorja amerikane do të njoftojë se kishin “në dorë atë që mund të quhej një marrëveshje shumë e mirë” dhe se “është koha” që kryetari opozitës “miku im Luli Basha të thotë PO, për popullin shqiptar”.
Zoti Basha shfaqet po atë mbrëmje me një deklaratë të shkurtër: “Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua të siguroj shqiptarët se Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithshka për votën e lirë dhe të ndershme”.
Marrëveshja arrihet pas dy ditësh. Përfaqësuesi demokrat bën të ditur se është siguruar “identifikimi biometrik në masën 100 përqind të qendrave të votimit dhe riformatim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”. Ndërsa për socialistin Gjiknuri “ne sakrifikuam dhe rekomandime të rëndësishme të ODHIR-it vetëm e vetëm që PD të hyjë në garë politik”
Më shumë se sa përmbajta, duket se i rëndësishëm është thjesht fakti se u ra dakort mbi rrugën që do ndiqet drejt zgjedhjeve të ardhshme. Por në të vërtetë do të jetë një rrugë që shpejt do shfaqet me kthesa të papritura. Një takim, më 6 Qershor, në residencën amerikane nuk ndryshon qëndrimin e opozitës parlamentare e cila prej një kohe të gjatë këmbëngul për ndryshim sistemi dhe lista të hapura. “Shprehëm qartë dhe prerë votën tonë kundër pazarit të pistë të atyre që kanë marrë peng zgjedhjet prej 25 vitesh në Shqipëri”, shprehet kryetari i grupit më të madh të opozitës Myslym Murrizi.
Në mungesë të numrave në parlament, kryeiministri Rama ulet në 10 Qershor, në bisedime me opozitën parlamentare. Ai shfaqet sërish skeptik ndal listave të hapura, përkundër një opinion të gjerë që siç shprehet, beson se ato kanë një efekt çudibërës. “Unë nuk e besoj këtë”, thotë ai. Pak javë më vonë javë më vonë, ndërsa propozimet e opozitës kanë hyrë në procedurë parlamentar, ai deklarohet i gatshëm për listat e hapura “dhe për të arritur në një konsensus trepalësh”
Tre ditë më pas, më 10 Korrik, njofton se kanë vendosur “të mbështesim si Parti Socialiste një hapje të listave”. Për kryetarin demokrat Basha, kryeministri “ka hedhur në erë marrëveshjen e 5 Qershorit”. Për opozitën, synimi i kësaj lëvizjeje, është ndalimi i koalicioneve në formën ekzistuese.
Ditët që pasojnë do të jenë intensive. Me reagime të shumta ndërkombëtare, takime të reja dhe në Këshillin politik. Ndryshimet Kushtetuese ofrojnë në të vërtetë, një hapje të pjesshme, duke lënë sërish në duart e kryetarit të partisë peshën kryesore mbi emrat që mund të ulen në parlament.
Më 21 Korrik kryeministri firmos marrëveshje me opozitën parlamentare. Pas dy ditësh miratohet Reforma e 5 Qershorit. Një javë më pas, më 30 Korrik, kalojnë dhe ndryshimet Kushtetuese. Përkundër reagimeve të shumta ndërkombëtare, kryeministri deklaron se “nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë, as me ambasadoren amerikane, as me ambasadorin e Bashkimit europian, duke i respektuar maksimalisht”.
Debati për listat do të vijojë në shtator ndërsa nisin diskutimet për të përshtatur dhe në Kodin zgjedhor, ndryshimet të cilat miratohen në 5 Tetor. Për ambasadën amerikane nuk bëhet fjalë për shkelje të Marrëveshjes së 5 Qershorit por për “ndërhyrje shtesë”.
Presidenti ka caktuar tanimë 25 prillin si datë të zgjedhjeve. Tejet aktiv në kundërshtimin e nismës së shumicës, ai kthen pas ndryshimet e fundit dhe i drejtohet Komisionit të Venecias për interpretim. Më 11 Dhjetor, Komisioni publikon opinionin përfundimtar sipas të cilët procedurat e ndekura për ndryshimet kushtetutese kishin qenë “jashtëzakonisht të nxituara”, por se ato nuk mund të konsiderohen ndryshime thelbësore që cënojnë parimin e stabilitetit të ligjit zgjedhor.
KOMISIONI I VENECIAS DHE KALVARI I KUSHTETUESES
Opinioni mbi ndryshimet kushtetues nuk do të jetë i vetmi. Komisioni i Venecias do të thirret të bëjë arbitrin edhe për çështje të tjera të nxehta, mes të cilave dhe përplasja për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ndërhyrja e Venecias, i vë frerët dhe nismës së diskutueshme të qeverisë për rregullimin e mediave online.
Në mënyrë të pashpjegueshme, shumica nxiton ta kalojë të ashtuquajturën Paketë Antishpifje, të cilën presidenti Ilir Meta ja rikthen parlamentit në ditët e para të janarit. Pavarësisht kritikave dhe të institucioneve ndërkombëtare, socialistët pretendojnë se të dy ligjet e kësaj pakete “janë çertifikuar tërësisht nga parteri ynë i rëndësishëm, OSBE”, thotë kryetari i Grupit socialist Taulant Balla.
Por po atë ditë, pikërisht përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, deklaron se rivotimi i hap rrugë përmirësimeve të nevojshme. I njejti pozicion rikonfirmohet pak ditë më pas, më 21 Janar, dhe nga Brukseli, ndërsa Këshilli i Europës ndërmerr hapin e pazakontë për t’ju drejtuar vetë Komisionit të Venecias.
Shumica megjithatë rrëzon dekretet në komisionet parlamentare, me arsyetimin se ndërhyrje të tjera mund të bëhen me akte nënligjore. “Nëse Komisioni i Venecias do të sjellë ndonjë rekomandim të cilin do të duhet ta respektojmë, padyshim që do ta përmirësojmë”, shpjegon ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Por një javë më pas, kur kishin njoftuar votimin në seancë, socialistët bëjnë prapakthehu. Zoti Balla kërkon që “të shtyhet diskutimi derisa Komisioni i Venecias në 20-21 Mars të na sjellë raportin e vet”.
Opinioni do të miratohet në 19 Qershor, duke sugjeruar rishikimin e plotë të Paketës, pasi, siç theksohet, ndryshimet e propozuara mund t’i bëjnë më shumë dëme se sa të mira, lirisë së shprehjes në Shqipëri.
PLOTESIMI I GJYKATES KUSHTETUESE
Ndërsa institucionet e reja të Drejtësisë nisin të marrin formë apo të plotësohen me anëtarët e tyre, Gjykata Kushtetuese mbeti në vendnumëro përgjatë gjithë vitit. Debati për emërimet e kryera në Nëntorin e 2019-ës, nuk është mbyllur. Kërkesës drejtuar Komisionit të Venecias nga Parlamenti, i shtohet, më 23 Janar, dhe ajo nga ana e presidentit Ilir Meta.
Ndërsa ekspertët e Venecias ishin në Tiranë, shumica ndërmorri një tjetër hap që do acaronte më tej marrëdhëniet, prej kohësh të tendosura. Në parlament miratohet më 12 Shkurt, një ndryshim i procedurës së betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që nuk e kufizon atë vetëm te Kreu I Shtetit.
Presidenti Meta reagon me tone të forta, duke folur për një “atentat të rëndë të mazhorancës ndaj Kushtetutës, me qëllimin e vetëm, kontrollin mafioz të procesit të emërimeve”. Pas 48 orësh, ai do të rikthehet per të njoftuar një miting në bulevardin qëndror më 2 Mars ku “do firmoset dekreti i parë kundër grushtit të Shtetit”.
Ditët që do të pasojnë deri në daljen në shesh do të jenë të ngjeshura me akuza që presidenti drejton kundër kreut të Këshillit të Emërimeve, Ardian Dvorani, e po ashtu dhe ndaj Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për “përpjekje për të vënë nën kontroll procesin e emërimeve” duke tentuar sipa tij “të marrin kompetencat e Kreut të Shtetit, apo duke falsifikuar shkresat për botimin në Fletoren zyrtare”. Për të dy ai do të dorëzojë padi në SPAK. Ndërsa po një nismë e tij pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, çon në largimin e zotit Dvorani nga Gjykata e Lartë e për pasojë dhe nga KED-ja.
Mbrëmjen e 2 Marsit, siç ka premtuar, zoti Meta firmos në shesh dekretin që i kthen pas parlamentit, ndryshimet ligjore lidhur me betimin e anëtarëve të Kushtetueses. Ndonëse Kushtetuta ja kufizon hapësirat për rastet e shpërndarjes së parlamentit, zoti Meta paralajmëron se do të ndërmarrë nje veprim të tillë nëse shumica nuk tërhiqet. “Unë Ilir Meta, betohem se atë dekret nuk do të firmos këtu, por do ta firmosë në parlament, atje, në mes të krimit”. Kryeministri Rama kundërpërgjigjet qetësisht: “Ai mund të firmosë dhe një dekret për t’i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara, por parlamenti nuk do ta njohë”.
Një opinion paraprak i Venecias, më 6 Mars, i publikuar nga Zëri i Amerikës, vlerëson se “nisma për procedurën e betimit nuk është kushtetuese”, ndërsa i jep të drejtë kreut të Shtetit për mënyrën se si veproi në rastin e përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetues, duke theksuar për pasojë se ajo nuk mund të përbëjë një bazë për shkarkimin e tij. Kjo qasje do të rikonfirmohet dhe në opinionin përfundimtar, publikuar në Qershor.
Nisma e ndërmarrë nga shumica që në 2019 për shkarkimin e zotit Meta përfundon me këshilla për veprimtarinë e Kreut të Shtetit. Parlamenti më 27 Korrik voton kundër, ndonëse sipas kryeministrit “Ilir Meta meriton të shkarkohet, sipas këndvështrimit tonë. Por përderisa kemi këtë rekomandim nga Venecia, i nënshtrohemi kësaj”.
Ashtu si dhe për reformën Zgjedhore, trysnia ndërkombëtare do të jetë vendimtare dhe për ecurinë e reformës në Drejtësi. Më 22 Maj ambasadorja amerikane deklaron se “ka ardhur kohë të rreshtet së bëri lojëra. Është koha të realizohet Reforma në Drejtësi”. Ajo, por dhe homologu i saj europian Luigi Soreca, do të përsërisin në mënyrë të vazhdueshme se Kushtetuesja duhet të bëhet funksionale brenda fundit të vitit. Dhe në fakt, çka që nuk u realizua përgjatë 12 muajve, konkretizohet në ditët e fundit të dhjetorit. Emërimet e reja e çojnë në 7 numrin e anëtarëve të Gjykatës.
Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është një ndër kushtet kryesore për Shqipërinë, së cilës në Mars i jepet drita jeshile për nisjen e bisedimeve, por sërish procesi mbetet në vend. Në mbledhjen e dhjetorit, vendet anëtare nuk arritjnë konsensusin për të miratuar kornizën e bisedimeve dhe organizmin e Konferencës së parë ndërqeveritare, e cila shënon zyrtarisht nisjen e bisedimeve për anëtarësim.
SHEMBJA E TEATRIT DHE VRASJE E 25 VJEÇARIT
Dy ngjarje të veçuara lanë shenjë gjatë viti për nga reagimi i fortë që ato zgjuan. Prishja në orët e natës të godinës së Teatrit Kombëtar, dhe vraja po natën e një të riu në Tiranë, e cila u pasua me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.
Projekti me shumë dritëhije, ai i prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godine të re moderne, u rikthye në fokus pasi Bashkia njofton më 26 Shkurt, se nuk kishte arritur marrëveshjen e duhur financiare me kompaninë “FUSHA”, por se angazhohej të realizonte, projektin e arkitetit danez Bjarke Ingel, me fonde publike.
Në 8 Maj qeveria miraton vendimin me të cilin ja kalon Teatrin në pronësi Bashkisë së Tiranës. Ngjarjet rrokullisen me shpejtësi. Më 12 Maj kryeministri deklaron se “mezi pres të shoh të ndërtohet Teatrin e ri Kombëtar. Dy ditë më vonë, duke kundërshtuar nismën, presidenti Ilir Meta, thekson se “ky kompleks godinash është një pasuri publike që ka status dhe rregjim juridik të ndryshëm nga pasuritë e paluajtshme shtetërore”. Po atë ditë presidenti dorëzon padi në Gjykatën Kushtetuese. Në mbrëmje, Këshilli Bashkiak kalon vendimin për prishjen e godinës
Një grup artistësh dhe ajo pjesë e shoqërisë civile që e kanë kundërshtuar që në gjenezë projektin, qëndrojnë 24 orë pranë ndërtesës. Në mbështetje të tyre është dhe opozita. Pavarësisht dhe thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar, më 17 Maj, ende pa gdhirë policia ndërhyn me forcë duke nxjerrë nga mjediset ata që qëndronin brenda në mbrojtje të Teatrit.
Pak më pas fadromat do ta rrafshojnë ndërtesën. Për gati 10 orë ndërsa godina ishte rrafshuar plotësisht, zona përreth kthehet në një fushë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë e cila nuk kursen askënd. Për kryetarin demokrat “vendi drejtohet nga një kriminel dhe një hajdut ordiner”. Ndërsa artisti Edmond Budina, i cili bashkë me të tjerë rezistuan për gati dy vjet, deklaron se “këta sot kryen një gjest kriminal”. Por për kryebashkiakun Erion Veliaj “na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzakonisht të vështirë”. E ulur në rrugë me protestues të tjerë, kryetrla e Lëvizjes Socialite për Integrim Monika Kryemadhi bën thirrje për të “mos ju nënshtruar Edi Ramës”.
Reagimet ndërkombëtare do të jenë kritike. Protesta vazhdojnë për disa ditë me radhë. Angazhimi i zotit Veliaj për nisjen e ndërtimit të godinës së re që në shtator, mbetet vetëm një deklaratë
VRASJA E KLODIAN RRASHAJT
Për disa ditë me radhë, në dhjetor, kryeqyteti do të përjetojë momente kaosi, për shkak të protestave të dhunshme që pasuan vrasjen nga një punonjës policie, në orët e natës, gjatë kohës së ndalim qarkulllimit, të 25 vjeçarit, Klodian Rrashaj, pranë banesës së tij në Tiranë.
Grupe kryesisht të rinjsh, një pjesë e mirë dhe të mitur qëllojnë me gurë dhe sende të forta policinë, sulmojnë institucionet publike si dhe dëmtojnë e djegin semaforë, sinjalistikën rrugore apo dhe dekorin e Festave të fundvitit. Policia nga ana e saj përgjigjet duke përdorur ujëhedhësat, spërkatësit me piper dhe gazin lotsjellës.
Opozita bën përgjegjëse kryeministrin. Sipas zotit Basha “vartësi i tij, po të kishte patur një fije dinjitet do të kishte dhënë dorëheqja”. Të nesërmen, i sapokthyer nga një uhdëtim në Shtetet e Bashkuara, kryeministri bën të ditur se “menjëherë pasi ka marrë njoftim për ngjarjen Ministri i Brendshëm më ka informuar dhe më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij”.
Kryeministri merr në mbrojtje Policinë, ndërsa e konsideron vrasjen “një episod të shkëputur, fatal e të dënueshëm, por pa asnjë lidhje me punën e policisë”, siç u shpreh ai.
Reagimi ndaj protestave do të jetë më i vendosur, dhe ato shuhen shpejt. Vetëm atëherë, zoti Rama njofton më 16 Dhjetor, emrin e ministrit të ri të Brendshëm, Bledi Çuçi, të cilin e prezanton personalisht./VOA/