Nga Ilir Kalemaj
Viti që po lëmë pas ishte ndër më dëshpëruesit si në rang global, ashtu dhe në vendin tonë që u godit pas tërmetit dhe nga karantina dy mujore si rezultat i pandemisë e cila fatkeqësisht po vijon të marrë jetë, të përhapet masivisht dhe të vërë në pikëpyetje balancën e brishtë mes emergjencës mjekësore dhe nevojës për të shpëtuar sa më tepër jetë nga njëra anë dhe rrokullimës ekonomike ku deri tani vetëm për 2020-ën është vlerësuar se janë humbur rrumbullak 1 miliardë euro nga ekonomia apo se kemi rritjen më të madhe të borxhit në Europë (si përqindje ndaj PPB-së), apo se kemi shpenzuar më pak nga të gjithë (vetëm 1.2 përqind të PPB-së) jo vetëm krahasimisht me vendet e BE-së por të fundit absolut edhe në rajon për mbështetjen shtetërore të bizneseve në krizë ku shpeshtësia e falimentit të tyre krahasohet vetëm me vitin e mbrapshtë 1997, njëlloj si rënia ekonomike e këtij viti.
Në botë, ku ndryshimet tashmë janë jo me dekada dhe vite por me muaj dhe javë, kemi disa ndryshime të forta strukturore dhe disa të tjera që mund të shfaqen si kërcënime apo mundësi në muajt që vijnë. Një nga ndryshimet më të mëdha sic raportonte një shkrim së fundmi në Financial Times ka për të qenë ndryshimi ndoshta permanent i konceptit të zyrës. Ajo që për një kohë mjaft të gjatë ka qenë vendi klasik i ndërtimit të karrierave dhe jo vetëm të burokratëve shtetërorë por dhe të kompanive dhe korporatave, që ka qenë puna e ëndrrave për krijimin e barazisë së kushteve, shpëtimit të grave nga katër muret e shtëpisë, për emancipimin dhe ngjitjen hierarkike por edhe shpirt-dërrmuese sic e kanë konsideruar pafundësisht filozofë, poetë dhe romancierë, duket se ka ardhur në fund të një cikli me disa kompani që kanë deklaruar që nuk do t’i kthejnë më punonjësit e tyre në zyrë edhe pas përfundimit të pandemisë.
Puna nga distanca, shkollimi në distancë, përshtatja me teknologjitë e reja të komunikimit dhe inteligjenca artificiale e përhapur në masë me shumë gjasa, në mos do ta eleminojnë krejt do ta bëjnë plotësisht të mundshme alternimin e punës në zyrë me punën nga shtëpia apo atë që njihet më gjeneralisht si “remote ëork” ku puna mund të bëhet nga cilido vend i globit. Ashtë sa sfidë për individin dhe kompanitë, po aq edhe mundësi për vende të ndryshme që nëpërmjet ofrimit të incentivave fiskalë, kushteve optimale të punës nga distanca që përfshijnë ndër të tjera internetin e shpejtë etj., që të arrijnë të tërheqin ata që njihen si “digital nomads” dhe që përfaqësojnë “jakat e bardha” të së ardhmes së afërt. Shtete të ndryshme që kanë filluar sakaq të operojnë mbi këtë filozofi të re si Italia apo Gjeorgjia, apo vendet e Gjirit, kanë gjasa të mira të jenë dhe ndër përfituesit e mëdhenj të kësaj vale të re migratore të punonjësve të mirëkualifikuar.
Nga ana tjetër, gjeopolitikisht, kemi për të pasur një orientim të ri të SHBA që ka për të qenë më multi-lateral, me riaktivizimin e disa marrëveshjeve klasike apo të reka, si një rol më aktiv të SHBA në NATO, riaktivizimi i OBT-së dhe Marrëveshjes së Klimës e cila do shohë një konsensus më të gjerë nëse SHBA do t’i bashkangjitej, apo marrëveshjeve globale për sigurinë kibernetike apo rritjes së konservimit të energjisë përmes baterive jetëgjata. Natyrisht kërcënimet nuk kanë për të munguar, nga një kërcënim i ri i Koresë së Veriut, te ri-aktivizimi i luftërave proxy në Lindjen e Mesme nga Irani, te kërcënimi kinez në detin e Kinës së Jugut apo mbi Taivanin.
Apo ndryshime të mëdha strukturore ku rritja e borxhit global ka arritur në plot 365 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të botës, rikthimi i krizave humanitare dhe urisë në masë në vendet nën-Sahariane apo reduktimi për herë të parë qysh prej periudhës pas Luftës së Dytë Botërore të rritjes proporcionale në nivel global të shtresës së mesme. Për herë të parë këtë vit vetëm në Amerikën Latine mbi 50 milionë njerëz humbën statusin e të përkiturit në shtresën e mesme duke rrëshkitur në varfëri. Për vende si Shqipëria kjo është akute, pasi vetëm një fije e hollë peri i ndan një të tretën e popullsisë që kanë statusin të vet-punësuar nga rrëshkitja në varfëri për mos të përmendur ata të zhytur në kredi, ata që kanë burim mirëqënie vetëm një ngastër tokë apo 690 mijë pensionistët që mezi i’a dalin të shtyjnë muajin vençarisht në këto kohë ku shpenzimet për ilaçe janë shtuar në mënyrë dramatike.