Nga Ilir Kalemaj
Një nga debatet që është prekur herë pas here në rrethet akademike apo të politikë-bërjes në vend, është ajo e fenomenit të ‘rrjedhjes së trurit’ (braing drain) si dhe politikave apo strategjisë për rikthimin e tij (brain gain). “Rikthimi i trurit” duhet të jetë një prioritet për çdo politikan shqiptar. Por ky prioritet mesa duket do të mbetet përgjithmonë projekt. Deri tani “rikthimi i trurit” nuk është bërë realitet, kurse “rrjedhja e ditëve” është e pamëshirshme dhe e pafalshme.
Rrjedhja e trurit, dhe këtu kam parasysh jo vetëm profesionistët e formuar dhe që fitojnë një kontratë punë në Perëndim por edhe të rinjtë që ikin me biletë vetëm vajtje është kthyer në trend shqetësues vitet e fundit. Për shembull, një studim nga Ilir Gëdeshi dhe Russell King sipas një sondazhi që ata kryen, raportojnë se një “52% e popullsisë shqiptare të moshës 18–40 vjeç ka ndërmend të migrojë nga Shqipëria.
Krahasuar me studimin e vitit 2007, kur migrimi potencial ishte në 44.2%, shtytja për të migruar tani është rreth 8 përqind më e lartë. Ndërkohë rreth 140,000 të rinj kanë migruar nga vendi në 10 vitet e fundit. Trendi vazhdon ndërsa flasim sepse vetëm në 20 muajt e fundit më shumë se 24,000 të rinj nën moshën 34 vjeç janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil politik në një nga vendet e BE. Por si mund të nxiten të rinjtë dhe profesionistët të rikthehen në vend?
Kohë më parë ka pasur një program qeveritar me qëllim rikthimin e trurit në Shqipëri, programi “Brain Gain Albania.”
Ky program ka pasur disa suksese për tu vlerësuar dhe duhet të ishte vetëm hapi i parë në kontekstin e proçesit të rikthimit të trurit në Shqipëri. Ka pasur gjithashtu ndonjë politikë e veçantë për ndalimin e derdhjes së trurit, por ka munguar konsistenca në hartimin e një bashkësie politikash të mirëfillta, të koordinuara, dhe të zbatuara në vazhdimësi. Për më tepër, ka munguar një proçes për vlerësimin publik të rezultatit të politikës egzistuese, që të qartësohet ku duhet të ndryshohet dhe ku funksionon ashtu siç është parashikuar.
Politikat e “Brain Gain” janë të shumëllojshme, dhe vende të ndryshme kanë eksperimentuar me politika të tilla me mjaft sukses. Shembuj janë Korea e Jugut në vitet 1960-të dhe Tajvani në vitet 1970-të, vende të cilat kanë gëzuar një hov të fuqishëm në zhvillim gjatë shekullit të kaluar. Apo një model që zbatohet prej disa vendeve afrikanë me përkrahjen e Austrisë, ku akademikë të ndryshëm nxiten të kthehen për periudha të shkurtra në vendlindjet e tyre dhe atje të punojnë si këshilltarë pranë institucioneve për të cilat janë të kualifikuar.
Një model i tillë siguron që një akademik apo profesionist i talentuar të krijojë kontakte dhe të përfitojë një njohje më të mirë të kushteve në Shqipëri, si dhe në të njëjtën kohë të mos shkëpusë lidhjet me vëndin ku ai jeton. Njëkohësisht është edhe një urë që lidh dy botë që tani për tani kanë aq shumë diferenca mes tyre.
Shqipëria duhet t’i përshtasë kushteve të saj politikat që kanë dhënë rezultat në këto vende. Deri tani tek ne janë zbatuar sporadikisht të ashtuquajturat “politika te stimulimit,” si për shembull, një “incentive package” për ata studentë që rikthehen në Shqipëri për të punuar në administratë apo në universitetet publike dhe private.
Megjithatë, akoma nuk dihet se sa efikase është kjo politikë. Efikasiteti i saj duhet vlerësuar dhe duhet bërë publik, në mënyrë që kjo politikë të evoluojë e t’i përshtatet sa më mirë kërkesave dhe kushteve në vend.
Përveç politikave të stimulimit, frenimi i derdhjes së trurit duhet të mbështetet dhe me politika kontrolluese. Këto politika sigurojnë që personat që studjojnë jashtë me fonde publike (si p.sh. “Fondi i Ekselencës”) jo vetëm të kthehen në Shqipëri, por dhe të vendosen në një punë që përdor në maksimum talentin dhe shkollimin e personave në fjalë. Në Shqipëri akoma mungon koordinimi ndër instancat e duhura për tu gjetur këtyre personave punë përkatëse.
Një tjetër politikë e nevojshme është dhe politika ndaj diasporës, një proçes afatgjatë që lidh kapitalin njerëzor që punon jashtë Shqipërisë me komunitetet përkatëse brenda vendit. Çdo program efikas kundër rrjedhjes së trurit duhet të bazohet mbi rrjetëzimet egzistuese, si të studentëve shqiptarë nëpër botë, ashtu dhe të organizatave të ndryshme profesioniste shqiptare jashtë vendit. Këto rrjete japin qasje direkte dhe të pakushtueshme ndaj individëve dhe grupeve të studentëve të diplomuar dhe profesionistëve në shënjestrën e politikave “Brain Gain.”