Në Shqipëri, java e shkuar shënoi një përmirësim të situatës së koronavirusit. Ndërsa rastet e reja të konfirmuara mbetën thuaje në të njejtat kuota, numri I vdekjeve ra, mesatarja 7-ditore e pozitivitetit u ul, dhe në spitale, u reduktua numri i pacientëve e po ashtu dhe i atyre që janë në gjendje kritike.
Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës dëshmojnë se rastet e reja arritën në 5508 të prekur, vetëm 7 më shumë se java pararendëse. Ndonëse të shtunën u shënua shifra rekord prej 879 të infektuarish në 24 orë, mesatarja ishte 786 të prekur në ditë. Në 24 orët e fundit, u rregjistrua dhe kuota më e ulët e javës me 661 raste pozitive, të identifikuara identifikuar në këto bashki: 178 raste në Tiranë, 51 në Shkodër, 45 në Berat, 43 në Fier, nga 34 raste në Durrës, Elbasan, 28 në Vlorë, 20 në Lezhë, nga 18 raste në Korçë, Mat, 16 në Kuçovë, nga 15 raste në Kavajë, Mirditë, Gjirokastër, 13 në Lushnje, nga 11 raste në Has, Pogradec, 10 në Mallakastër, nga 9 raste në Kurbin, Pukë, Përmet, 8 në Peqin, nga 7 raste në Devoll, Kukës, Tepelenë, Dibër, 5 në Kolonjë, nga 4 raste në Malësi e Madhe, Sarandë, Librazhd, Krujë, dhe 2 në Skrapar. Në total, që nga fillimi i marsit kur u shënuan rastet e para, përllogariten mbi 49 mijë të infektuar. Aktualisht 22 850 qytetarë janë ende pozitivë.
Java e shkuar shënoi dhe numrin më të lartë të testimeve, me një totale prej 17.812 tamponësh, ose një mesatare prej 2545 testimesh në ditë. Krahasuar me periudhën 1-7 dhjetor, rritja është gati 13 përqind.
Edhe pozitiviteti (raporti mes tamponëve dhe rasteve të konfirmuara) u ul ndjeshëm në 30.9 përqind, nga 35.4 përqind që ishte në javën pararendëse. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Numri i vdekjeve gjithashtu u ul, duke zbritur në 94 viktima, ndërsa u luhat gjatë javës mes 12-15 humbje jete në ditë. Në 24 orët e fundit u shënuan 13 viktima: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetar nga Durrësi, 2 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Korça, të moshave 38-82 vjeç. Që nga fillimi i pandemisë deri tani, kanë humbur jetën 1016 persona.
Pas një tendence në rritje, veçanërisht shqetësuese, përgjatë gjithë muajit nëntor, dhe javës së parë të dhjetorit, në 7 ditët e fundit dhe situate në spitale erdhi lehtësisht duke u përmirësuar. Numri i pacientëve ra, e po ashtu u reduktua dhe ai i atyre që janë në gjendje kritike. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave zyrtare “në 4 spitalet COVID, po trajtohen 433 pacientë, 24 në terapi intensive nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar”. /Voa