Nga Boldnews.al
Prej kohësh flitet për përfshirjen e emigrantëve në procesin zgjedhor, pra mundësinë që ata duhet të kenë për të votuar nga vendet ku jetojnë dhe punojnë.
Në zgjedhjet e kaluara janë aplikuar metoda të ndryshme, ku emigrantëve, kryesisht ata që jetojnë në Greqi dhe janë banorë të zonave në jug të vendit, u është ofruar transport i organizuar, për të ardhur në Shqipëri, votuar dhe më pas janë kthyer në vendin fqinj.
Një proces që jo pak herë ka prodhuar akuza dhe debate lidhur me faktin se kush i sjell, për kë votojnë dhe sa siguri ka që vota shprh vullnetin e tyre.
Sot në diskutim në KQZ është një tjetër variant, ai i votimit përmes postës. Pra një shtetas shqiptar, pasi regjistrohet në E-Albania, verifikohet, më pas njoftohet se ka ose jo të drejtën për të votuar, më pas mund të shkarkojë nga faqja e KQZ fletën e votimit dhe pasi e plotëson e nis me postë.
Përtej çdo teknikaliteti, pikëpyetja kryesore dhe hijet e dyshimit mbi këtë proces ngrihen në faktin se kush e administron atë.
Pra për një moment le të pranojmë se shkarkimi i fletës së votimit ka 100 % siguri, edhe transporti i saj me postë nga x destinacion në Shqipëri do të bëhet brenda afateve që mund të përcaktohen.
Pyetja që lind është: sa siguri ka fakti se në Postën Shqiptare zarfet e mbërritura nuk do të hapen dhe fleta e votimit nuk do të dëmtohet?
I gjithë ky procesi i krijimit të kushteve për t´u mundësuar emigrantëve pjesëmarrjen në votime ka dy elementë: mirëbesim dhe vullnet politik, për të garantuar paprekshmërinë e votës, fshehtësinë e saj dhe numërimin.
Të dy elementët, jo vetëm për shkak të situatës politike, por edhe personave që administrojnë procesin, janë në kufijnë e zeros.
KQZ drejtohet nga Ilirjan Celibashi, ndërsa Posta Shqiptare nga Laert Duraj. I pari, me një profil të nxirë nga zgjedhjet e 2001, dhe i dyti me një profil pabesueshmërie dhe po aq të nxirë nga skandalet e denoncuara publikisht lidhur me abuzimet me tenderat.
Garancia zero e Celibashit dhe Durajt
KQZ drejtohet nga Ilirjan Celibashi, i cili e ka të dokumentuar se partinë e do më shumë se zgjedhjet e lira. Prova më e fortë është procesi i 2001-it, kohë kur KQZ drejtohej nga Kryekomisioneri i sotëm. Madje duket se për shërbimin e kryer në atë kohë ndaj partisë në 2013, Celibashi u emërua si ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, pozicion që më pas u dorëhoq dhe mbahet nga Elisa Spiropali.
Referuar çdo raporti ndërkombëtar, zgjedhjet e zhvilluara në 24 qershor 2001, pas atyre të 26 majit 1996, janë më të kontestuarat, më problematikat dhe që detyruan ndërkombëtarët që të ushtronin presion ndaj PS-së, që drejtuesit e institucioneve që zgjidheshin me shumicë të cilësuar votash, të mos kalonin pa konsensusin e opozitës.
Praktikisht PS në atë kohë iu njohën vetëm 71 mandate deputetësh, pavarësisht se kishte mbi 84 të tilla në sallë. I njëjti person që atëherë menaxhonte procesin e zgjedhjeve, do të menaxhojë edhe procesin e 25 prillit, me të vetmin ndryshim, quhet Kryekomisioner Shtetëror. Pavarësisht deklarimeve publike dhe faktit se kanë kaluar 20 vjet nga 2001, Celibashi nuk mund të ofrojë asnjë garanci sa për ndershmërinë e procesit dhe përmbushjen e standardeve. Imagjinoni për një moment që standardet zgjedhore të garantohen nga paraardhësi i Spiropalit.
Laert Duraj, si drejtor i Postës Shqiptari, është pika tjetër kyçe e procesit, të paktën për ato mijëra vota emigrantësh që mund të sillen me postë dhe që duhen administruar.
Duraj, ish-kandidat i PS-së për deputet në Qarkun e Gjirokastrës, me origjinë nga Tepelena, me biznese dhe pasuri disa milionëshe, me dyshime mediatike mbi burimin financiar, u emërua nga Kryeministri Edi Rama për të drejtuar Postën Shqiptare.
Shpesh ky institucion është përdorur si “hambar votash” për shkak të numrit të lartë të punonjësve që ka dhe skemave tashmë të njohura të shkëmbimit të votës me një vend pune.
Duraj drejton gjithashtu Sekretariatin për Emigracionin në PS dhe përtej çdo skandali të denoncuar në media, apo kontrolleve të vazhdueshme nga KLSH dhe zbulimit të shkeljeve në Postën Shqiptare, sot po tentohet që ti “varen në qafë” edhe votat e emigrantëve, të cilat përkthehen në mandate deputetësh, pavarësisht se kjo varet edhe nga pjesëmarrja.
Boldnews.al ka mësuar se propozimi për administrimin e votave me postë është bërë nga Dritan Caka, një prej komisionerëve socialistë në KQZ dhe me shumë gjasë është e paramenduar si skemë.
Në rastin më të mirë kjo mënyrë e propozuar do të ulë numrin e votuesve nga rradhët e diasporës apo emigracionit për shkakun se procesi ka hije të forta dyshimi në administrim. Në rastin më të keq vullneti i tyre ose do të tjetërsohet, duke nxjerrë votën e pavlefshme, ose zarfi me votën do të humbasë diku në zyrat e Postës Shqiptare.
Nëse sot ka raste pa fund denoncimesh kur pakot e thjeshta të qytetarëve hapen apo humbasin, merreni me mend se çfarë mund të ndodhë me ato mijëra vota emigrantësh, që do të depozitohen në hambarin e Postës, dhe që nesër mund të përcaktojnë qoftë edhe me 1 mandat fituesin e zgjedhjeve.
Nëse në 2001, në kohën e Celibashit 20 vjet më të ri, u përdor Policia e Shtetit për të mbushur kutitë apo për t´i thyer ato, duke i bërë të pavlefshme, sot rolin e saj mund ta zerë Posta Shqiptare. Thjesht këta të fundit nuk do të jenë njerëz me uniformë, por ato militantët që janë punësuar apo të tjerë që do t´I duhet të mbajnë vendin e punës, qoftë duke hapur zarfet për të parë votat, qoftë duke i dëmtuar apo zhdukur ato.
Ky nuk është paragjykim, është një paralajmërim për atë që mund të ndodhë me votat e 25 prillit, përmes një skeme e cila duket se nuk ofron asnjë garanci.
Nëse votat me postë sot përdoren në Kosovë, si një mënyrë për ti mundësuar diasporës atje për të votuar, në Shqipëri nuk mund të merret shabllon një model i tillë, përsa kohë procesi mund të administrohet nga njerëz që nuk japin garanci.
Dhe e gjitha kjo më shumë ngjan, jo me faktin për ti mundësuar diasporës një të drejtë që e kërkon dhe flitet prej vitesh, por për ti dhënë Postës Shqiptare me administrator Laert Durajn, një prej sekretarëve të PS, disa miliona më shumë në administrim, si e ardhur nga kostot e procesit, përveç faktit se do të ketë në dorë edhe vullnetin e pothuajse aq votuesve sa marrin pjesë në Shqipëri.