Pretendimet e Presidentit Donald Trump për manipulim të zgjedhjeve kanë krijuar dyshime mes shumë republikanëve. Një nga ato shtete që u përball me procesin e rinumërimit pas zgjedhjeve presidenciale është Xhorxhia, banorët e së cilës nuk kanë votuar për një demokrat si president, që nga viti 1992. Zëri i Amerikës sjell larminë e opinioneve mes republikanëve mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Atlanta, me një popullsi prej gjysmë milioni banorësh, është qyteti më i madh në Xhorxhia. Brandon Nivens u zhvendos këtu nga San Francisko katër vite më parë. Ai punon në industrinë e teknologjisë dhe e sheh Atlantën si një vend ku jetesa është më e përballueshme.
“Duke qenë pakicë, homoseksual, nuk jam ndjerë kurrë i kërcënuar këtu dhe asnjëherë nuk e jam ndjerë i paragjykuar”, thotë Brandon Nivens, mbështetës i zotit Trump.
Zoti Nivens, i cili votoi për ish-Presidentin Barack Obama, vendosi të votojë për zotin Trump katër vite më parë dhe sërish në 2020.
“Zgjodha Trumpin sepse ai ishte një republikan që i thoshte gjërat më hapur se të tjerët. Është një brez i tërë ose një grup njerëzish në këtë vend që po harrohen dhe tek kjo gjeta veten”.
“Ai (Trump) ishte në serialin televiziv Princi i Bel-Air-it , e dini?! Ai merrte pjesë në të gjitha programet e afro-amerikanëve. Ndaj kurrë nuk e kisha parë anën që po portretizojnë aktualisht, si racist”.
Por kur flitet për rezultatin e zgjedhjeve….
“Nëse ka diçka duhet zbuluar. Nëse jo, duhet të bëjmë përpara”, thotë zoti Nivens.
Meghan Smith, me profesion mësuese e që jeton në periferi të Atlantës ka një mendim më të qartë mbi rezultatin e zgjedhjeve.
“Besoj se këto zgjedhje u manipuluan. Në çdo palë zgjedhje ka manipulim, por mendoj se këtë herë ishte më e shfrenuar sesa herët e tjera. Është shumë e rëndësishme që t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, sepse zgjedhjet e lira e të ndershme, na shquajnë ne si amerikanëve”, thotë Meghan Smith.
Pjesëmarrësit në këtë takim mes të rinjve republikanë pajtohen se nuk janë në një zë kur bëhet fjala mbi çështje të ndryshme qoftë dhe zgjedhjet.
“Ka shumë njerëz që kanë mendime të ndryshme. Nuk shkojmë të gjithë në të njëjtin drejtim, jemi të ndarë. Sinqerisht, do të thosha se partia është pak e ndarë për këto zgjedhje. Gjysma e njerëzve janë të bindur se këto zgjedhje janë vjedhur, gjysma tjetër janë të bindur se ky është rezultati”, thotë Allen English, i cili punon në sektorin e pasurive të patundshme.
Rezultati i ngushtë në zgjedhjet presidenciale në Xhorxhia pasqyron ndryshimin e mjedisit politik në këtë shtet. Shumë njerëz kanë ardhur nga pjesë të tjera të vendit, duke krijuar më shumë larmi politike. Pikëpamjet e ndryshme mes republikanëve mbi zotin Trump janë një tjetër faktor që bëri që presidenti të mos dilte aq mirë në Xhorxhia, thotë eksperti politik Scott Buchanan.
“Kishte republikanë që votuan për Bidenin ose thjesht nuk votuan për presidentin (Trump), sepse përndryshe, republikanët nuk do të dilnin aq mirë sa dolën për garat e tjera”, thotë Scott Buchanan, profesor i shkencave politike, në Kolegjin e Xhorxhias dhe Universititetin Shtetëror.
Sipas zotit Buchanan është e paqartë se si do të duket Partia Republikane në katër vitet e ardhshme.
“A do të kandidonte sërisht Donald Trumpi?! Nuk do të çuditesha”, thotë ai.
Zoti Nivens thotë se ai do ta konsideronte sërish mundësinë për të votuar për zotin Trump.
“Nëse nuk ka asnjë kandidat tjetër të mirë nga ana e republikane, patjetër që do ta bëja. Dua të them, se Amerika e Trumpit ka qenë mjaft argëtuese. Të fuste gjithnjë në mendime. Por gjithashtu në të njëjtën kohë mendoj se është koha për të tjerët në Partinë Republikane, të ngrihen”, thotë Brandon Nivens, përkrahës i zotit Trump
Nëse gara e ardhshme presidenciale në Xhorxhia do të jetë po kaq e ngushtë sa në këto zgjedhje, kjo do të varet shumë nga ata që do të kandidojnë./VOA/