Kosi i Spiropalit…!

Nga Boldnews.al

Ajo shquhet për mendjemprehtësinë e saj. Është “nëna” e batutave që të lenë të habitur, gjithnjë me dilemën se sa mendje brilante është Elisa Spiropali që i vijnë majë gjuhës shprehje që do të mbesin lapidar.

Edhe në Parlament Elisa zuri foltoren dhe nisi një fjalim domethënës, të asaj natyre që me kalimin e kohës do të futet në librat e liderëve më të mëdhenj të politikës botërore që kanë lënë aforizma të cilat janë kthyer në modele qeverisëse.

Duke mbrojtur vendimin e qeverisë për të mos përfshirë një “paketë të tretë” për biznesin dhe qytetarët në vështirësi për shkak të pandemisë, Elisa tha: “Nga njëra anë pretendojnë se ne ta bëjmë detin kos… Që të rrisim ndihmën dhe të vijojmë mbështetjen e biznesit sikur buxheti të ishte ‘sofra’ e Sudes”-argumentoi ajo, duke i dhënë shprehjes së saj edhe gjestikolacione për ta çimentuar edhe më shumë thënien. Dhe mirë e ka, vetëm një politikane e nivelit të tillë kurajoz mund t’i thotë hapur qytetarit se as mos e mendojë një paketë të tretë ekonomike, sepse fundja ai duhet të mbijetojë me çfarë ka, qoftë edhe sa për bukë thatë (jo përshesh me kos), dhe mos mendojë se vërtetë “u bë deti kos”.

Fundja ky qytetari vërtetë mund ta ketë nevojën për një pagë nëse ka humbur punën, apo një mbështetje finaciare për biznesin e vogël që po i falimenton, ama ta ketë të qartë se buxheti i shtetit ka si prioritet pagesat për konçesionet për një grup oligarkësh.

Dhe nuk është hera e parë që Elisa “godet” kaq shumë me shprehjet popullore, apo të krijuara nga fjalori i saj i gjerë dhe i trashë. Ajo e quajti Edi Ramën “Skënderbeu ynë”, fjalët e aktorit Timo Flloko në filmin “Liria a vdekje”, ia atriboui sikur i kishte thënë vetë Çerçiz Topulli. E quajti Don Kishotin si “personazh të letërsisë shqipe”. Ajo argumentoi me fakte se bëhen edhe filma me përdhunime, duke e relativizuar përdhunimin në grup të një minoreneje në Kavajë.

Vetëm një mendje pjellore dhe me vizion përtej atyre që shohim ne qytetarët e thjeshtë mund të artikulojë kaq bukur. Dhe Elisa Spiropali është gruaja më e arrirë brenda së majtës. Karriera e saj do njihte vetëm ngritje që nga momenti kur vendosi të futej në grevë urie në vitin 2009 me moton: “hap kutitë ose largohu”-një thirrje që i drejtohej kryeministrit të kohës Sali Berisha. Gjithëkush e mban mend atë çast kur ndërsa jashtë mbahej miting nga Rama dhe mbështetësit socialist, Elisa doli e drobitur me një barrelë, aq sa detyroi Ramën të përlotoj dhe përcillte me një lëmsh në grykë atë moment dhimbjeje.

LEXO EDHE  VIDEO/ Reshjet sjellin sërish probleme, vështirësohet qarkullimi në disa akse

Elisa u “sakrifikua”, duke ndenjur disa orë pa ushqim, por as ai nu kia harroi… Ia vlejti për të, sepse nga një vajzë e paveshur mirë dhe pa të ardhura, në pushtet kapi majat dhe kjo është meritë e madhe.  Elisa dhe partia e saj nuk i hapën kutitë, por për të u hap një horizont i madh i “dijes” dhe karrierës. Në vitin 2013 u bë drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave. Ishte kohë kur u hodhën edhe akuza drejt saj, po Elisa i mori me sportivitet dhe përbuzje. Që nga ajo kohë i duhet dhënë meritë e padiskutueshme; u bë promotore e gruas së luksit, në veshje, në sjellje, në mënyrën e të ushqyerit dhe në pjesën e artikulimit dhe në përmbledhjes me sharje e trysni kujtdo kundërshtari të Ramës, aq sa tipa si Endri Shabani ajo i ha për mëngjes…

Ti thuash Ramës “Skënderbe” nuk është pak dhe këtë vetëm Spiropali di ta bëjë, ndonëse shumë gra të tjera aty në PS-do ta donin ta thonin të parat, por nuk e kishin bagazhin e duhur intelektual. Ajo solli “revolucion” brenda së majtës, duke e mësuar brezin e ri që ka dy mënyra në jetë për të ecur përpara; me zotësi dhe me servilizëm. Se cilën rrugë zgjodhi ajo kuptohet, sepse edhe servilosja është zotësi. Hairin ia ka parë. Sot është Ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin dhe nuk rresht së mbrojturi Ramën dhe lëshuar pafund fjalë të “mençura” si: Nuk u bë deti kos, apo sofra e Sudes… Jemi ende shpejt, kjo ministre ka premisa që gjatë fushatës në vijim të lëshojë të tjera shprehje që mbahen mend.