Padia e çuditshme/ Alfred Balla i KLP: Dua të jem vartës i anëtarëve të Gjykatës së Lartë

Nga BoldNews.al

Mund të duket absurde, por nënkryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, nuk dëshiron të qëndrojë më në këtë detyrë, duke preferuar të jetë vartës i anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Të paktën, kjo lexohet në një padi që Balla ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon që Gjykata e Lartë t’i njohë statusin e ndihmësit ligjor dhe ta rikthejë në atë detyrë, të cilën e ka mbajtur në vitin 2017.

“Kërkoj nga i padituri (Gjykata e Lartë) të më njohë statusin e këshilltarit/ndihmësit ligjor jomagjistrat dhe të më kthejë në detyrën e Këshilltarit Ligjor”, thuhet ndër të tjera në padinë që Alfred Balla i ka drejtuar gjykatës së kryeqytetit.

Padia është regjistruar në 16 Shtator 2020 dhe është në shqyrtim nga gjyqtarja Enkela Bajo (Vlora).

Dëshira e pazakontë e Alfred Ballës për t’u emëruar këshilltar në Gjykatën Supreme, do të thotë që ai heq dorë, ndër të tjera, edhe nga paga aktuale, të cilën e ka në nivelin e gjyqtarëve të lartë, për të marrë gjysmën e shumës.

Rasti i Ballës do të ishte atipik, nëse e vërteta do të ishte vetëm kaq. Por, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, jo vetëm që nuk heq dorë nga privilegjet e postit, por kërkon të marrë edhe një shumë të konsiderueshme parash nga Gjykata e Lartë.

Ai pretendon se ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori e ka larguar padrejtësisht nga detyra në Korrik 2017 dhe për këtë arsye ai kërkon pagesat e plota prej asaj kohe, e deri në Dhjetor 2018, kur u emërua si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Nënkryetari i KLP-së kërkon që gjykata të shpallë të pavlefshëm Urdhërin nr. 200, dt. 31 Korrik 2017, të kryetarit të Gjykatës së Lartë, me të cilin atij iu ndërprenë marrëdhëniet e punës.

Nëpërmjet kësaj padie, ai kërkon të përfitojë gjithashtu një të drejtë, atë të statusit të magjistratit, nëpërmjet një procedure ekstra-ligjore.

LEXO EDHE  Rusia shpreh gatishmëri për dialog me SHBA

Emërimi/largimi nga Gjykata e Lartë
Alfred Balla është emëruar në vitin 2012 si ndihmës-ligjor jo-magjistrat në Gjykatën e Lartë, i atashuar pranë ish-gjyqtarit Aleksandër Muskaj.

Bazuar në rregullat që normonin më herët aktivitetin e brendshëm të Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë qëndronin në detyrë për aq kohë sa ishin në funksion edhe gjyqtarët, pranë të cilëve ishin atashuar.

Ish-gjyqtari Aleksandër Muskaj u largua nga detyra në Korrik 2017, pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.

Rrjedhimisht, nga detyra duhej të largohej edhe ndihmësi i tij, Alfred Balla. Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, nxori urdhërin nr. 200, dt. 31.07.2017, në të cilën vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve të punës së ndihmësit ligjor, Alfred Balla.

Për rreth 3 vjet, Balla nuk reklamoi asnjë pretendim mbi urdhërin e Zaganjorit, të paktën zyrtarisht.

Madje, atij karriera i eci mbarë, pasi në Dhjetor 2018 u emërua nga Parlamenti si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pavarësisht se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) konstatoi se ai nuk plotësonte kriteret formale ligjore.

Magjistrat “nga dritarja”
Tashmë që ka arritur thuajse në mesin e mandatit si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla kërkon t’i njihet statusi i këshilltarit ligjor në Gjykatën e Lartë.

Por, kërkesa e tij duket si një tentativë për të fituar statusin e magjistratit, në një mënyrë ekstra-ligjore.

Paketa ligjore e Reformës në Drejtësi ka parashikuar si ndihmësit ligjorë në Gjykatën e Lartë duhet të kenë statusin e magjistratit. Pra, kandidatët për këtë post, ose duhet të jenë gjyqtar, kryesisht në nivelit të parë, ose më së paku të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës.

Alfred Balla nuk plotëson asnjë prej këtyre dy kërkesave. Ai nuk është gjyqtar në funksion dhe as nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës.

Por, nëpërmjet kësaj padie, duket se ai po shpreson që hija e postit aktual të ndikojë mbi gjykatën, për të pranuar padinë e tij e për t’a njohur si magjistrat, megjithëse nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës.