Nga Belind Këlliçi
Këto ditë vjeshte Tirana gumëzhin nga lajmi se kryeministri Rama i kishte dërguar një mesazh të gjatë ish futbollistit dhe trajnerit të njohur serb, Sinisha Mihajlloviç. E parë sipërfaqësisht, një mesazh urimi për shërim të shpejtë nuk ka pse të bëjë lajm, as të ngjallë ububunë nacionaliste që ushqen urrejtjen ndëretnike. Dialogu ndëretnik lufton paragjykimet dhe krijon hapësira për bashkëpunim.
Cilido prej nesh mund të ketë një shok, koleg, ortak apo fqinj serb. Nuk janë të paktë shqiptarët që pëlqejnë këngët e Lepa Brenës, lojën virtuoze të tenistit Novak Gjokoviç apo rakinë e kumbullës Shljivovica. Nuk është mëkat të kesh miq serbë, as të martohesh me ta e as të duash të jetosh në paqe me serbët. Deri këtu shumë mirë.
Ndodh që gjatë leximit të përhumbesh mes rreshtave, t’i rikthehesh një paragrafi apo të ndërpresësh leximin me mendimin se nuk është e nevojshme t’i shkosh deri në fund, pasi thelbin e ke kuptuar. Me një lexim të plotë të mesazhit, përpos adhurimit të kryeministrit tonë për personalitetin sportiv të Mihajlloviç, bie në sy orvatja për t’u shfaqur mendjehapur, shoqëruar nga një mbidozë inferioriteti dhe mungesë e pamasë e figurës së shtetarit. Nuk e kemi parë kurrë kryeministrin tonë të shfaqë kaq përulje përballë një sportisti shqiptar, apo të respektojë një shqiptar të çfarëdo profesioni pa manifestuar marrëdhënien vertikale pushtetar-qytetar, tonin e zërit autoritar dhe prezencën e tij gjatoshe veshur okë e pikë.
I kam ndjekur kronikat e kryeministrit me qytetarë, fshatarë, artistë, futbollistë e mjekë. Kanë një emërues të përbashkët: shpërfilljen. Ai nuk i sheh në sy teksa flasin, ndonjëherë as nuk u hedh sytë, shpesh i ndërpret, i përqesh, ironizon apo u vendos epitete. Dikujt i komenton flokët, celularin, gruan; dikujt burrin, prejardhjen, dialektin ose të dyja bashkë. Kryeministrit nuk i pëlqejnë ankesat, as argumentet. Ai merret me formën. Përmbajtja është sport i vështirë për të. Kur dikush ankohet se punët nuk venë mirë, kryeministri e kthen në tabelë qitjeje.
E kështu zhvendoset vëmendja.
Shqiptarët vihen përballë njëri-tjetrit me armët që u jep kryeministri i tyre. Armë si biografia, mentaliteti kolektiv dhe përkatësia partiake.
A ju kujtohen fjalët e kryeministrit kur studentët e lodhur nga fjalët boshe, linin sallën në shenjë proteste?
“Edukatën!”. “Kujdes edukatën!”.
E thënë nga njeriu që paraardhësit të tij i thoshte gjatë seancës plenare “o rrotë k…” apo kur si kryebashkiak i Tiranës para kamerave thonte “S’ka bir nëne e bir ku..”.
Kjo sepse politikani Rama e njeh shumë mirë elektoratin e tij besnik. “Kush je ti që kundërshton kryeministrin?”, “Kush je ti që i flet ashtu kryeministrit?”, “Nga je ti që fliske kështu?”, e pyetje të kësaj natyre që synojnë të kategorizojnë shqiptarin e pakënaqur.
Kur një student shpreh pamundësinë e tij për të paguar tarifën e masterit, veteranët besnikë të kultit të udhëheqësit gjejnë 1001 e të zeza te studenti. Vërshojnë lumenjtë me epitete nga uniteti i çeliktë Parti-elektorat. Asociohet figura e studentit me “kafenetë” me komente e kritika që lëshohen po nga kafenetë. Elektorati i papunë që dergjet kafeneve të Tiranës, i bindur në supremacinë e tij morale, kritikon njëzëri studentët për mungesën e edukatës.
Kryeministri që rrëmonte të kaluarën e çdo studenti protestues për të gjetur ndonjë njollë në biografi, nuk arriti të gjente diçka sado të vogël në karrierën kriminale të deputetëve të tij.
Skena të ngjashme ishin dhe ato me artistët e Teatrit Kombëtar. Kush guxonte të shprehte një mendim ndryshe nga kryeministri, zhvishej në sekondë nga profesioni. Ju kujtohen parrullat “Artist i thënçin!”, “Gjoja artist”, për të përfunduar me “Nuk ju takon të merreni me politikë!”, a thua se të merresh me politikë quhet ende “Agjitacion e Propagandë kundër pushtetit”. Ndaj kryeministri gjen terren për t’i parë shqiptarët nga koka te këmbët. Ata nuk vishen dot si ai. Nuk jetojnë si ai.
Kryeministri lodhet kur dëgjon ankesa nga banorët e prekur nga tërmeti, nga banorët që presin t’u bëhet rruga e t’u ndriçohet lagjja. “Jeni të paduruar” thotë. Duhet edhe një mandat. Edhe një tjetër.
Kur Rama flet me kompetencë për shëndetësinë, mjeku duhet të heshtë.
Kur Rama flet për pallatet e kartonit të Gjushit në Durrës, inxhinieri specialist duhet të heshtë.
Kur Rama flet për teatrin, artisti duhet të heshtë.
Kur Rama flet për arsimin, studentët duhet të heshtin.
Kur Rama flet për Kosovën, Haradinaj duhet të heshtë.
Duhet të flasë vetëm ai, që prezantohet si miku i Vuçiç, për t’i bërë elozhe një sportisti që nuk e fsheh admirimin për Arkanin famëkeq.
Miku i Vuçiç që nuk mendohet dy herë për të paditur Ramushin, shqetësohet shumë për shëndetin e një sportisti serb. Nuk e kemi parë kryeministrin tonë të shqetësohet po kaq për shëndetin e një ish-sportisti shqiptar. T’i dërgojë një mesazh adhurimi dikujt, nga vendi i tij.
Atij që thotë “Nuk keni parë gjë akoma”, i themi se kemi parë boll.
Duke filluar nga 25 prilli, prezantimet si miku i Vuçiç do t’i bësh si qytetar i thjeshtë, jo si përfaqësuesi i Shqipërisë.