Situata e Koronavirusit në Shqipëri, po përkeqësohet dita-ditës. Në 24 orët e fundit u rregjistrua një tjetër rekord i rasteve të reja me koronavirus e po ashtu dhe i viktimave.
Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë bënë të ditur se janë konfirmuar 836 të prekur. Gati 67 përqind e tyre (560 të prekur) janë vetëm në Tiranë. Pjesa tjetër rezulton e shpërndarë në 24 bashki të ndryhme të vendit: 31 raste në Fier dhe Elbasan, 30 raste në Vlorë, 28 raste në Durrës, 24 raste në Kurbin, 21 raste në Shkodër, 16 raste në Kurjë, 15 raste në Pogradec, 14 raste në Mirditë, 10 raste në Kuçovë, 9 raste në Gramsh, 8 raste në Malsi e Madhe, 7 raste në Pukë, 5 raste në Lushnje dhe Kolonjën, 4 raste në Korçë, Sarandë, 3 Devoll dhe Gjirokastër, 2 raste në Mallakastër, Mat dhe Dibër, 1 rast në Tepelenë dhe 1 rast në Peqin.
Bie në sy se pavarësisht rritjes së tamponëve (2677 testime në 24 orët e fundit) pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) po vijon të rritet, duke u ngjitur në 31.2 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Në të gjithë vendin numri i të prekurve që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 31.459 të infektuar. Aktualisht 15.732 janë ende aktivë. Më shumë se gjysma e tyre gjenden në kryeqytet. Durrësi dhe Fieri janë dy qarqet me mbi 1 mijë persona aktivë, ndërsa qarqet e tjera janë poshtë kësaj kuote.
Në 24 orët e fundit u shënua dhe shifra më e lartë e vdekjeve, me 15 viktima. Mes tyre dhe një foshnjë 16 muajshe. Autoritetet shpjeguan se “i ndjekur dhe trajtuar në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për Sindromën Kaëasaki, gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve dhe më pas është dërguar në terapinë intensive ku, megjithë mjekimin me terapinë e plotë të trajtimit dhe përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëminore si pasojë e COVID19”. Që nga fillimi i pandemisë, janë 672 persona që kanë humbur jetën.
Edhe numri i të shtruarve në spitale po vijon të rritet në mënyrë sistematike. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, deri pasditen e së premtes “në 3 spitalet COVID, po trajtohen 436 pacientë, 10 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar”.
Ndërsa Tirana mbetet epiqendra e epidemisë, përmasat e infektimit po zgjerohen kohët e fundit edhe në Qarkun e Gjirokastrës. Autoritetet po marrin masa duke mbyllur biznese, institucione arsimore dhe administrative. Shqetësimi më i madh lidhet me prekjet nga infektimi të personelit të spitaleve dhe shëndetit publik, të cilat po përballojnë analizat dhe trajtimin paraprak të të sëmurëve.
Qarku i Gjirokastrës u rendit të enjten pas Tiranës me rreth 71 raste pozitive me koronavirus, Pandemia po i zgjeron përmasat në Qarkun e vogël në Shqipëri, me një humbje të madhe të popullsisë vitet e fundit, për shkak të lëvizjeve demografike.
Përgjatë tetë muajve Qarku që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin ishte një “zonë e gjelbër”, ndërsa prej disa ditësh është një “zonë e kuqe” me rritje infektimesh në të tre rrethet që përfshijnë shumë institucione arsimore dhe administrative njësi biznesi dhe personel shëndetësor.
Shefi i Epidemiologjisë në Gjirokastër Arenc Brahimi thotë për Zërin e Amerikës se vatrat janë të shumta sidomos në bizneset e prodhimit të veshjeve. I pyetur se cilat janë shkaqet e kësaj përhapje zoti Brahimi u përgjigj:?“Sipas një studimi që kemi bërë ne si shërbim epidemiologjik kjo ka ardhur si pasojë e lëvizjes së njerëzve në këtë periudhë pandemie në qytete të ndryshme, por edhe si pasojë e virozave të ndryshme stinore që njerëzit i neglizhojnë, sepse kujtojnë se janë grip i thjeshtë, por ato viroza janë “COVID 19”
Shefi i Epidemiologjisë në Gjirokastër pohoi se nga infektimet janë prekur personeli nga njësitë e kujdesit shëndetësor, por deri tani nuk është paralizuar puna e tyre: “Edhe ne nuk bëjmë përjashtim, edhe në institucione shtetërore ka të prekur nga “Covid pozitiv”. Ne punojmë me një staf të reduktuar por deri tani situatën e përballojmë shumë mirë”.
Prekja e mjekëve në spitalin civil si dhe personelit ndihmës shihet me shqetësim pasi ky spital shërben edhe si qendër ku të sëmurët me ndërlikime të shëndeti nga infektimi paratrajtohen para se të nisen në spitalet COVID në Tiranë. Shefi i Epidemioligjisë në Gjirokastër kërkoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos rrezikuar përhapjen e mëtejshme:?“Duhet një ndërgjegjësim më i madh i qytetarëve që kanë shenja për Covid, duhet të vetëizolohen dhe të mos dynden tek mjeku i familjes por të futen në karantinë në shtëpi.”
Ndërkohë Bashkia e Gjirokastrës mbylli 5 kopshte për shkak të prekjes nga infektimi të personelit. Drejtoresha e Arsimit Doriana Demo tha se masat janë vendosur për të mos rrezikuar përhapjen e infektimit:?“Është java e dytë që ne kemi pjesën më të madh të kopshteve të mbyllura në qytet, deri tani janë 5 me një numër të madh të infektimeve të stafit mësuesor dhe stafit mbështetës, të cilët janë karantinuar në banesa.”
Zonja Demo tha më tej se masa plotësuese vijojnë të ndërmerren nga Bashkia. Përhapja e infektimeve ka ngjallur edhe reagime. Ish deputeti i Gjirokastrës në Parlament Tritan Shehu kërkoi shpalljen e qarkut si “zonë e rrezikut të vecantë” si dhe masa për të forcuar kapacitetet e strukturave shëndetësore vendore. Zoti Shehu ka këmbëngulur ditët e fundit përmes komunikimeve me gazetarët se disa aktivitete publike në Gjirokastër kanë nxitur përhapjen e virusit, ndërsa autoritetet vendore kanë pohuar se pretendime të tilla nuk qëndrojnë, pasi stafet e njësive akomoduese të vizitorëve nuk kanë njohur infektime. /VOA