Deklarimi i drejtorit të Policisë së Tiranës se Kastriot Islami u shoqërua në komisariat për shkak të fjalorit fyes të përdorur ndaj efekivëve policor, është rrëzuar me argumenta juridik nga ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Manjani zbërthen nenin 109 për shoqërimin në polici dhe thekson se asnjë individ nuk mund të shoqërohet për shkak të fjalorit. Madje ai shprehet se ky nen thyehet rregullisht nga ana e policisë dhe kërkon nga prokuroria që të bëj shembull rastin e shoqërimit antikushtetues të Kastriot Islamit.
Postimi i plotë: Lexova reagimin e drejtorit të Policisë së Tiranës për shoqërimin e Kastriot Islamit.
Drejtori thotë se “… e shoqëruam për shkak të fjalorit”.
Lexojeni, ju lutem nenin 109 të ligjit për Policinë e Shtetit! Ky ligj është “Kushtetuta e Policisë”.
Në asnjë rast, në asnjë kuptim apo nënkuptim, shtetasi shoqërohet në polici për punë “fjalori”!!!
As për mungesën e kartës së identitetit nuk shoqërohet njeri në polici. Identifikimi në polici, sipas pikës dh, bëhet vetëm në kuadër të një hetimi penal.
Lexojeni!
Është e thjeshtë për t’u kuptuar. Ska nevojë të jesh jurist për të kuptuar se si ky nen e nxjerr bllof Policinë me shoqërimet pa shkaqe ligjore. Nuk është thjesht rasti i Kastriot Islamit, por i shtetasve të Republikës, që policia i trajton në shkelje të ligjit!
Lexojeni edhe dallimin që shoqërimi nuk është as ndalim e as arrestim, aq më pak hakmarrje!
Neni 109/ Shoqërimi në polici
Punonjësi i policisë bën shoqërimin e personave në ambientet e Policisë ose institucionin urdhërdhënës në kushtet dhe rastet e mëposhtme: kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente; për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose ndonjë detyrimi të përcaktuar me ligj; kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale; për të parandaluar kryerjen e një vepre penale;
kur është larguar pas kryerjes së një vepre penale; për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, sipas kushteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale; për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose shoqërimin e tij në organin kompetent; kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë; për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose ekstradimit.
Personi i shoqëruar nuk trajtohet në të njëjtat kushte me personin e ndaluar ose të arrestuar dhe, në çdo rast, shoqërimi duhet të zgjasë deri në sqarimin e çështjes, por jo më shumë se 10 orë.
Personi i shoqëruar ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e shoqërimit. Ai/ajo duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me një person të besuar dhe avokatin.
Efektivi i policisë njofton menjëherë qendrën operative për gjenealitetet e personit të shoqëruar, kur ato njihen, orën e saktë të shoqërimit dhe shkaqet e tij. Të dhënat e komunikuara nga efektivi i policisë hidhen menjëherë në sistemin elektronik të mbajtjes dhe përpunimit të të dhënave. Mosrespektimi nga efektivi i policisë i detyrimeve të përcaktuara në këtë pikë përbën shkelje të rëndë të disiplinës në punë. Punonjësi i policisë, dokumenton në proces-verbal veprimet e kryera me personin e shoqëruar. Procesverbali nënshkruhet në fund të çdo flete nga punonjësi i policisë që ka kryer veprimet dhe personi i shoqëruar. Një kopje e procesverbalit i vihet në dispozicion personit të shoqëruar.
Punonjësi i policisë ka detyrimin të njoftojë menjëherë eprorin e vet ose institucionin e interesuar për sqarimin e çështjes. Të dhënat e veprimeve të kryera me personat e shoqëruar dokumentohen gjithashtu në regjistrat/librat që mbahen për këtë qëllim në ambientet e policisë ku është bërë shoqërimi i personit.
Për rastet e shoqërimit për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, për dëbimin ose ekstradimin, procedurat dhe afatet e mbajtjes përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.
Rregullat teknike të shoqërimit, evidentimit, mbajtjes dhe trajtimit të personave të shoqëruar në ambientet e policisë përcaktohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit.”
Edhe një gjë të fundit. Prokuroria ka në dorë ta ndalë këtë praktikë të shëmtuar të Policisë, e trashëguar që nga policia komuniste.
Ky nen shkelet rregullisht nga policia e cila shoqërimin e konsideron praktikisht si ndëshkim, pa prova e pa ligj.
Prokuroria mund të bëjë një shembull model që ta ndalojë këtë praktikë antikushtetutë.