Festivali i 58-të i këngës në RTSH u shoqërua me shumë polemika dhe qarkulluan shumë lajme ku thuhej se fituesja ishte paracaktuar dhe ajo do të ishte Elvana Gjata. Për të folur rreth kësaj eksperience të zhurmshme, i ftuar në “Ftesë në 5”, ishte Popi Kola, menaxheri i Arilena Arës.
Ndonëse për një kohë të gjatë ka punuar së bashku me regjisoren Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiun, Popi, me këtë të fundit nuk ka më kontakte. Arsyeja lidhet me statusin që bëri moderatorja pas fitores së Arilenës, ku shprehu hapur përkrahjen e saj për Elvana Gjatën.
“Jo nuk flas me Alketën. Në fakt në rrethana të tjera do ta shmangia këtë pyetje. Ishte sigurisht festivali. Jo festivali por ajo që doli pas festivalit, i gjithë ndodhi pas statusit që u bë. Normalisht për të gjithë njerëzit që gjatë gjithë jetës time kam bashkëpunuar, në asnjë moment nuk kam lënë gjë mangut, shkon ashtu siç unë dua. Ky është goli që unë kam dashur të realizoj me jetën time.
Nuk është aspak e këndshme, dashje pa dashje na ndodh që të ndodhemi para disa rrethanave. Shkëputja, mos komunikimi, ka ndodhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, të menjëhershme. Është të mbash qëndrim, ndaj një gjëje të pavërtetë që thuhet rëndomti. Ajo që unë personalisht nuk bëj dot marrëveshje, është kur thuhen disa gjëra të pavërteta.
E pavërteta e madhe ishte e gjithë zhurma që u krijua artificialisht, për mua është një gjë që nuk më jep asnjë lloj kënaqësie. I respektojmë vendimet tona. E vetmja palë e përfshirë ka qenë Arilena. Heshtja jonë nuk ka qenë asgjë për t’u marrë për pranim. Kjo ka qenë një qëndrim për të mos qenë pjesë e vorbullës”, u shpreh Popi.