Në këto pak javë të mbetura të vitit mund të thirren jo vetëm punonjës sezonalë por edhe jo sezonalë për sektorët e autotransportit, ndërtimit dhe turizmit. Risia tjetër, vetëm në sektorin e bujqësisë, kërkesat mund të paraqiten nga shoqatat profesionale të punëdhënësve
Romë, tetor 2020 – Më në fund mbërrin dekreti i flukseve, e vetmja normativë që mundëson ardhjen për të punuar në Itali. Zakonisht bëhet muajt e parë të vitit, por këtë radhë, për shkak të koronavirusit, dekreti i flukseve është nënshkruar nga Kryeministri në verë, më 7 korrik, dhe është botuar më 12 tetor në Gazetën Zyrtare.
Njësoj si vitet e fundit, vë në dispozicion 30.850 kuota. 18 mijë për të mundësuar ardhjen në Itali për punë të varur sezonale të punonjësve të huaj, 6.150 për konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune, të të huajve tashmë rezidentë në Itali, apo që kanë një lejeqëndrim afatgjatë CE të lëshuar nga një vend tjetër i BE-së.
Këtë herë vihen në dispozicion 6.700 për punë jo sezonale dhe autonome, 6 mijë prej të cilave për për sektorët e autotransportit, ndërtimit dhe turizmit për qytetarë të vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi me Italinë për migrimin e ligjshëm.
Kuotat e hyrjeve për punë jo sezonale
– 6.700 për punonjës të huaj për motive punë të varur jo sezonale e pune autonome.
Kuota e përgjithshme është e ndarë si më poshtë:
6.000 kuota rezervohen për punësime në sektorët e autotransportit, ndërtimit dhe turizmit (hotele dhe restorante) për qytetarë vendesh që kanë nënshkruar apo po nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për migrimin e ligjshëm.
Në veçanti, nga këto 6 mijë hyrje, 4.500 rezervohen për punonjës që janë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Algjerisë, Bangladeshit, Koresë, Bregut të Fildishtë, Egjiptit, El Salvadorit, Etiopisë, Filipineve, Gambias, Ganësa, Japonisë, Indisë, Malit, Marokut, Mauritiusit, Moldovës, Nigerit, Nigerisë, Pakistanit, Senegalit, Sri Lankës, Sudanit, Tunizisë dhe Ukrainës. 1.500 të tjerat mbeten në dispozicion për qytetarë të vendeve me të cilat do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mbi migrimin gjatë këtij viti.
Qarkorja ndërministrore e12 tetorit 2020, e botuar njëherazi me dekretin e flukseve saktëson që për sektorin e autotransportit të mallrave për llogari të të tretëve, do të mund të lëshohet autorizim ardhjeje vetëm në favor të punonjësve shoferë, të pajisur me patentë profesionale të barasvlefshme me patentat e kategorive CE, qytetarë të vendeve që lëshojnë leje dhënieje makine të barasvlefshme me kategorinë CE e të konvertueshme në Itali në bazë të marrëveshjeve të reciprocitetit. Në këtë pikë, qarkorja jep edhe listën e vendeve që kanë në fuqi marrëveshjen e konvertimit të patentave, e këtu nuk bën pjesë Shqipëria, pasi marrëveshja e skaduar dhjetorin e vitit të shkuar, fatkeqësisht akoma nuk është përtërirë.
– 100 kuota për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;
– 100 kuota hyrjeje për punonjës me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Venezuelë;
– 500 kuota për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të ngrenë në Itali një sipërmarrje Start-up apo të hapin një aktivitet privat duke investuar jo më pak se 500.000 € e që parashikon hapjen e të paktën 3 vendeve të reja pune, apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.
Të interesuarit për procedurën e marrjes së vizës së hyrjes për punë të pavarur, mund të konsultojnë portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane.
Kuotat e hyrjeve për punë sezonale
Dekreti parashikon 18.000 kuota për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik.
Këto kuota janë për punonjësit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Bengali, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Salvadori Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.
Risia e këtij që sjell ky dekret fluksesh, me qëllim parandalimin e ndërmjetësimit të paligjshëm qëndron në faktin që 6.000 prej këtyre kuotave, vetëm për sektorin e bujqësisë, të mund të kërkohen në emër të punëdhënësve nga organizatat profesionale të poshtërenditura:
– Cia
– Coldiretti
– Confagricoltura
– Copagr
– Alleanza delle cooperative (përfshin Lega cooperative dhe Confcooperative).
Së fundi, 1.000 nga 18 mijë kuotat u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare, me fjalë të tjera, punonjësve që janë thirrur për të bërë punë sezonale në Itali, të paktën njëherë në pesë vjetët e fundit dhe për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare. Kjo do t’u lejojë ndërmarrjeve t’i sjellin në Itali vitet e ardhshme sapo të kenë nevojë për ta, pa pritur një dekret fluksesh.
Konvertime
Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:
– 4.060 lejeqëndrimeve për punë sezonale;
– 1.500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 200 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;
Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:
– 370 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 20 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.
Paraqitja e kërkesave
E gjithë procedura për të sjellë e punësuar në Itali punonjësin e huaj jokomunitar nis me aplikimin online nga ana e një punëdhënës italian apo i huaj me qëndrim të rregullt në Itali. Duke filluar nga mëngjesi i sotëm, 13 tetor, në Sportelin Unik të Imigracionit (SUI) të portalit ministrisë së Brendshme italiane, https://nullaostalavoro.dlci.interno.it, mund të nisë përpilimi dhe ruajtja e formularëve që do të nisen gjithnjë online duke filluar nga datat e mëposhtme:
– Nga ora 9:00 e 22 tetorit 2020 për punonjësit josezonalë, të pavarurit dhe konvertimet do të mund të nisen online nga ora 9:00 e 16 prillit 2019. Hyjnë në këtë grup edhe kërkesat për autorizimet për punonjësit josezonalë të autotransportit, ndërtimit dhe turizmit për shtetasit e vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mbi çështjet e migrimit të ligjshëm. Për shtetasit e vendeve që do t’i nënshkruajnë ketëj e tutje, kërkesat do të mund të nisen 15 ditë pas botimit të marrëveshjes në Gazetën Zyrtare.
– Nga ora 9:00 e 27 tetorit 2020 do të mund të nisen kërkesat për punësimin e punonjësve sezonalë.
Duhet mbajtur parasysh që ashtu si edhe vitin e shkuar në sistemin https://nullaostalavoro.dlci.interno.it mund të hyhet vetëm përmes kodit identifikues SPID. Kjo do të thotë që para se të niset procedura për flukset, punëdhëniësi (në rastet kur kërkohet kuotë për punë të varur sezonale e jo sezonale) apo i interesuari (në rastin e konvertimeve) duhet të jenë të pajisur me kodin identifikues SPID.
SPID – Sistem Publik i Identitetit Digjital është kod identifikues digjital (përdorues e fjalëkalim) që lejon hyrjen në të gjitha shërbimet online të Administratës Publike italiane qoftë nga kompjuter, nga tablet apo celular. Ky kod mund të kërkohet në adresën https://www.spid.gov.it/. /Nga Keti Biçoku/Shqiptariiitalise.com