Lufton me kancerin prej 8 vitesh/ Bridgette Johnson ka një mesazh të rëndësishëm për të gjitha femrat

Për muajin e ndërgjegjësimit të kancerit gjirit, Bridgette Johnson ndan përvojën e saj të luftës kundër kancerit të gjirit për 8 vjet. Ajo jep dhe disa këshilla për gratë që duhet ‘ta dëgjojnë trupin e tyre’.

“Isha 35 vjeç kur për herë të parë ndjeva një gungë në gji. Shkova te një mjek i cili më tha, pasi ekzaminoi gjoksin tim: ‘Ju keni gjinj të mëdhenj, është thjesht ind i dendur. Ju jeni e re. Mos u shqetësoni për këtë.’ Ndoshta po tregohem paranojake, mendova.

Ndërsa vazhdoja me vizitat mujore të gjirit, vura re se ajo që ndieja në gjoksin tim po rritej. Shkova për t’u kontrolluar në një mjek tjetër, i cili më tha po të njëjtën gjë: ‘Ju keni gjinj të mëdhenj; është ndoshta thjesht një ind i dendur. Ju jeni e re. Mos u shqetësoni për këtë.’ Pas kësaj e vendosa përfundimisht që isha paranojake. Kaloi disa kohë dhe vura re që gunga ishte zmadhuar tepër. Vendosa të bëj një mamografi, pas saj mjeku më tha që kam një cist, i cili do më largohet me kalimin e kohës.

Muaj më vonë, fillova të ndieja dhimbje në gji kur flija. U ktheva te mjeku dhe e pyeta nëse mund të bëja edhe një mamografi. Këtë herë më dhanë një mamografi 3D dhe dy ditë më vonë, më ra telefoni.

Zëri në anën tjetër tha: ‘Më vjen keq t’ju informoj, por ju keni kancer të gjirit.’

Nuk ishte paranojë!

Isha 37 vjeç dhe e shkatërruar. Me familjen dhe miqtë e mi që qëndronin pas meje, vendosa të jem e guximshme dhe fillova udhëtimin tim të ri. Vizitat e mia të para në zyrën e mjekut ishin një turbullirë, pasi mjeku më shpjegoi procesin e operacionit. Bazuar në mënyrën se si dukej tumori, mjeku më tha se ishte diagnoza e fazës 2.

Kirurgut iu desh të vepronte shpejt, sepse gunga ime ishte mjaft e madhe. Në shtator 2012, hyra në operim. Ndërsa isha drejt shërimit, mësova se kanceri im u përhap nga gjiri në nyjet limfatike dhe diagnoza ime u rrit në fazën 3. Unë duhej t’i nënshtrohesha një trajtimi agresiv, i cili përfshinte disa muaj kimio dhe rrezatim.

I gjithë procesi ishte hutues për mua, por e konsideroja veten mjaft të shëndetshme. Shkoja në palestër pothuajse çdo ditë.

Fillova të pyes veten: ‘Pse mua?’ Por më vonë vendosa ta kthej pyetjen dhe fillova të pyes: ‘Pse jo unë?’ Kjo ishte karta që më dhuruan; tani më takonte mua të LUFTOJ.

Në vitin 2013 unë përfundova trajtimet. Më thanë që kanceri ishte zhdukur dhe tani mund të vazhdoja të jetoja jetën time. Pas kësaj unë oranizohesha në panele televizive me histori frymëzuese. Qëllimi im ishte të inkurajoja gratë të dëgjonin trupat e tyre dhe nëse diçka nuk u dukej në rregull, të bënin një mamografi.

Kur arrita 5 vjet e çliruar nga kanceri, organizova një festë të madhe gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Isha aq e ngazëllyer që arrita në atë moment historik. Nuk e dija që e gjithë kjo do të mbaronte shumë shpejt.

Ishte verë 2019 kur fillova të ndiej dhimbje në këmbë. Në fillim mendova se ishte si pasojë e stërvitjes ose ndoshta kisha tërhequr ndonjë muskul. Vendosa të shkoj tek një mjek, i cili tha se gjithçka dukej mirë. ‘Thjesht merrni pak ibuprofen me recetë. Ju duhet të ndiheni më mirë brenda një jave apo më shumë.’ Kështu që unë bëra vetëm atë dhe vazhdova rutinën time normale. Pas një kohe, pjesa e poshtme e këmbës filloi të më fryhej. Shkova tek një tjetër mjek i cili më rekomadoi fizioterapi.

Terapisti vuri re enjtjen dhe se lëkura ishte me shkëlqim dhe më rekomandoi të bëja një rreze X. Një mjek më tregoi rrezen X dhe pashë një ‘glob’ të madh që dilte tek femuri im.

E pyeta ‘A është kancer?’ dhe ai u përgjigj: ‘Po, është’.

Unë u dërgova me urgjencë në një spital tjetër për të hequr një pjesë të kofshës time dhe për të vendosur një shufër. Para operacionit, unë bëra një tjetër skanim, këtë herë në të gjithë trupin tim. Kur rezultatet u kthyen, më thanë që qelizat e kancerit ishin përhapur gjithashtu në shpinë dhe kafkë, dhe kanceri ishte në fazën 4. Më vonë mësova se këto ishin qelizat e kancerit të gjirit që udhëtonin në këto pjesë të trupit.

Përsëri, me gjithë këtë lajm shkatërrues, unë ende u mbajta fort në besimin tim në Zot dhe nuk kam humbur shpresën. Unë jam në terapi fizike duke mësuar të rieci dhe të marr forcë. Pas një pune të madhe, kam lëvizur nga karroca dhe mund të eci me paterica. Shpresoj që një ditë të jem në gjendje të eci vetë, pa ndihmën e asgjëje.

Pas një skanimi të fundit, mësova se nuk kisha më qeliza aktive të kancerit. Megjithëse e kam marr këtë lajm të mrekullueshëm, nuk mund të heq dorë nga lutjet. Vazhdoj vizitat tek mjeku, si dhe të ushtrohem dhe të ushqehem siç duhet në mënyrë që të qëndroj e shëndetshme dhe shpresoj të qëndroj në këtë status.

Nëse ka ndonjë këshillë që mund t’ju jap, nga udhëtimi im, është:

1. Dëgjoni trupin tuaj! Nëse ka diçka që nuk e ndjeni si duhet, shkoni te mjeku menjëherë.

2. Nëse nuk jeni të sigurta me  atë çfarë ju thotë një mjek, merrni gjithmonë një mendim të dytë. Unë madje do të rekomandoja marrjen e një mendimi të tretë ose të katërt, derisa të ndiheni rehat dhe të sigurta me informacionin që ju japin.

3. Ju jeni avokat i vetes. Kur dyshoni, kërkoni një test.

4. Mbani afër njerëz mbështetës, të mirë dhe pozitivë. Fytyra të qeshura dhe shpirtra të qetë me siguri do t’ju ndihmojnë ta bëni udhëtimin tuaj shumë më të butë.

5. Ju mund ta bëni këtë – madje edhe vetëm. Që nga pandemia, unë jam bërë kujdestare e vetes dhe kur njerëzit mund të më ndihmojnë, unë jam mirënjohëse. Unë përsëri kam vënë një fytyrë të guximshme dhe kam grumbulluar forcë për t’u kujdesur për vaktet e mia, për të shkuar në takime mjekësore, për të bërë shëtitje të shkurtra, stërvitje etj. Situatat mund të ndryshojnë në jetë, por ju lutem, ta dini se mund ta bëni. Edhe vetëm. Mos u dorëzo kurrë. Vazhdoni të luftoni!

6. Më e rëndësishmja, beso në Zot dhe mos e humb kurrë besimin ose shpresën!”