Katër ish-zyrtarë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë nën hetim nga SPAK në lidhje me një procedurë tenderimi të OSHEE, zhvilluar në vitin 2016.
Për ish-shefen e kabinetit të drejtorit të OSHEE, Albana Ferra, ish-drejtorin e prokurimeve të OSHEE, Erlis Bushati dhe dy ish-zyrtarë të tjerë, Irma Dërguti e Athinta Papa, janë lëshuar nga Gjykata e Posaçme të Dielën e 18 Tetorit, masa sigurimi “arrest me burg” dhe “arrest në shtëpi”.
Më konkretisht:
- “Arrest me burg” është vendosur për Albana Ferrajn, si e dyshyar për veprat penale: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojënë funskione publike” dhe “pastrim i produkteve të veprimtaris kriminale”.
- “Arrest me burg” për Elis Bushatin për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
- “Arrest në shtëpi” për Irma Dërgutin, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
- Arrest në shtëpi dhe për Athinta Papan, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Masat u kërkuan nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas hetimeve, Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në OSHEE, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131 880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A në procedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.
Hetimet
Sipas SPAK, objekt i hetimeve paraprake janë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”, me fond limit 138 500 000 lekë (të reja). Kjo procedurë prokurimi është zhvilluar në vitin 2016 nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime se shtetasit Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi dhe që kanë shqyrtuar dhe vlerësuar ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin “Për prokurimin publik”, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A, me seli në Milano, Itali.
Njëkohësisht, nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime se shtetasja Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131 880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A në procedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.
Me qëllim marrjen dhe përfitimin e kësaj shume monetare, që përbën njëkohësisht produkt të veprës penale të korrupsionit pasiv, Albana Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë “COM METODI” S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, duke fshehur dhe mbuluar natyrën e kundërligjshme të origjinës së shumës monetare të mësipërme, duke e ditur që shuma monetare përbën produkt të veprës penale.