Ish-kapiteni i Shqipërisë, Rudi Vata, kritikoi trajnerin e Shqipërisë, Edi Rejën, pas barazimit 0-0 ndaj Kazakistanit.
Në një lidhje direkte me “Rubrikën Sportive” të “RTSH Sport”, ish-futbollisti shkodran u shpreh se Reja bëri pak zëvendësime sot ndaj ekipit kazak sepse ka pak besim te lojtarët që ka në dispozicion.
Pas 3 ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Shqipëria duhej të kishte grumbulluar 9 pikë sipas Vatës.
“Duhet të kishim 9 pikë. Ekipe si Kazakistani duhet t’i dominojmë. Edhe gjendja fizike nuk është optimale. Duhet të kishim 9 pikë. Edhe Broja ato raste i krijoi prej aftësive individuale. Nuk ishte i lumtur me shërbimin, e lanë vetëm, Kallaku u lodh pas minutës së 65-të. I ra kreativiteti.
Sot u humbën dy pikë të rëndësishme. Përderisa nuk bën shumë zëvendësime do të thotë që Reja nuk besim te lojtarët që ka në dispozicion. E ka mendjen te një grup lojtarësh. Mund të mendohet se do shkojmë aty ku duam me një grup futbollistësh.
Nuk e shoh me optimizëm, nuk ndryshon kursin e lojës. Nuk ka entuziazëm, as stoli, as stafi. Tramexani ka qenë i rëndësishëm për De Biasin. Nuk ekziston një lidhje kimike mes tyre. Është përgjegjësi e madhe për Kallakun, Brojën dhe lojtarët e tjerë të rinj që luajnë në ndeshje direkte. Sytë tek janë tek ata. Kanë talent, por kanë pak eksperiencë. Të shikojmë për ndeshjen tjetër.
Të luash mirë duhet të dominosh dhe të shënosh. Duhet t’i dominojmë këta kundërshtarë. Ata të Kazakistanit luajnë të frikësuar, rrinin mbrapa dhe prisnin ndonjë top të dilte në kundërsulm. Dyshonin te vetja dhe nuk janë më të mirë se ne. Ato filluan të luanin futboll sepse i lamë ne. Ne nuk krijuam presionin e duhur.
Fitorja të jep pozitivitet. Kemi djem të gjatë, të pashëm, që luajnë në Serinë A, nuk kanë grintën e Canës që duan të fitojnë ndeshjen. I mungojnë, grinta, ‘motori’ si Lala. Nuk kanë një shembull si të fitojnë.
Me Lituaninë dhe Kazakistanin të marrim 1 pikë është humbje e madhe. Pretendimet tona janë të mëdha. Futbollistët tanë duhet të mendojnë se luajnë Seria A përballë Serisë C. Është absolutisht e pajustifikueshme. I bie të vazhdojmë me justifikime. Duhet të analizohet se çfarë bëmë keq.
Nëse qoftë mendojmë për 2024, këto eliminatore mund të na vënë përballë kundërshtarëve më të fortë. Si do të përballemi me Uellsin, Irlandën, kur nuk mundim as këta?!
Trajneri jonë bën analizën vetëm të ekipit të tij, nuk e studion fare kundërshtarin. Trajneri i Lituanisë që mori 3 pikë ndaj nesh, tha se e analizoi në detaje Shqipërinë. Ata erdhën na presuan dhe fituan dyluftimet. Duhej të analizonim kundërshtarin, s’është i rrezikshëm, ka probleme në qendër të mbrojtjes. Skema 3-5-2 mund të jetë mirë për ne, por duhet të llogarisim kundërshtarin. Qendra e mbrojtjes së tyre ishte e ngadaltë dhe e dorëzonin topin dhe e bënë një rast me Brojën. Ne nuk duhej t’i linim të merrte frymë.