Ndryshimet në kryesinë e PS-së pritet të prekin emra si Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, apo Mimi Kodheli që nuk e kanë pranuar përjashtimin që u bëri Rama nga qeverisja. Për të spastruar ministrat, do përdoret platforma online e votimit nga elektorati, në të njëjtën mënyrë do vendoset dhe për deputetët, një ide pak e besueshme po të kemi parasysh moshën e personave që votojnë të majtën që përbëhet kryesisht nga nostalgjikët e regjimit të shkuar. Lëvizjet e kryeministrit në publik perceptohen dhe si kompleks inferioriteti pasi vijnë në një moment kur kundërshtari i tij ka dërguar kandidatët të testohen me votë direkt nga baza.
Revanshi që ka marrë kampi kundërshtar, por edhe përplasja mes klaneve në PS ka detyruar Edi Ramën, që të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare të PS. Për të shmangur ndonjë të papritur, Rama ka zgjedhur si vend parkun kombëtar të Liqenit, ku sipas programit ndër pikat kryesore që do diskutohen do jenë zgjedhja e kryesisë dhe prezantimi i një platforme online, ku do të vlerësohet jo vetëm puna e deputetëve por edhe ajo e ministrave të qeverisë, duke përjashtuar vetëm Edi Ramën si kryeministër.
Më shumë se një mbledhje rutinë, duket se asambleja e PS-së po i shërben Ramës për të shkarkuar fajin te të tjerët në lidhje me disa dështime të njëpasnjëshme që janë vërejtur në fushën e rendit ku parcelat me hashash vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, siç ishte rasti i Malësisë së madhe, procesit të integrimit por dhe gjendjen e rënduar ekonomike.
Kjo ka qenë një praktikë që e ka bërë dhe në zgjedhjet e mëparshme. Vonesat në mbledhjen e asamblesë së PS-së, që duhet të mblidhej në maj, vetë kjo parti i ka justifikuar me gjendjen e krijuar nga COVID-19. Por duket se ky justifikim nuk shkon sepse, situata e pandemisë vazhdon ende ndërsa hapja totale është bërë që në fillim të qershorit.
Gjithsesi, duket se ky event ka si qëllim në radhë të parë zëvendësimin e anëtarëve të kryesisë ku në pikëpyetje është ekzistenca e Fatmir Xhafajt, Ditmir Bushatit, Mimi Kodhelit, që njihen për hatërmbetjet e tyre pas ndryshimeve në qeveri, por edhe zëvendësimi i Valentina Leskaj, e cila ka mbajtur një profil të tërhequr që nga zgjedhjet e vitit 2017.
Inferioriteti
Por, një arsye tjetër duket se është dhe kompleksi i inferioritetit që ka krijuar tek e majta hapja e PD-së. Kjo u pa dje dhe në fjalën e sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla për ABC news, ku me akuza të paargumentuara, duke shigjetuar kreun e PD-së, apo duke përmendur ndonjë rast sporadik konflikti që ende nuk është konfirmuar, rrekej të zhvleftësonte aksionin e PD-së.
Për t’iu kundërvënë votimit të hapur që ka ndërmarrë e djathta, të majtët kanë menduar për një platformë online. “Kemi nisur një proces ku po pyesim anëtarësinë e partisë për deputetë aktual. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për ministrat, por në një hapje më të madhe. Nuk duhet të jenë vetëm anëtarësia e partisë, por duhet të jenë edhe qytetarët e këtij vendi, jo vetëm ata që na kanë besuar, por edhe ata që nuk na kanë besuar”, tha Balla.
Pra, sipas Ballës ministrat duhet të rrinë të qetë sepse do pritet vlerësimi i elektoratit online për punën e tyre. Një pretendim disi qesharak ky, po të mendosh që në shumicë elektorati i majtë janë nostalgjikë të regjimit, shumica të moshës së tretë që nuk kanë shumë akses në botën digjitale. Gjithsesi, nga ky vlerësim duket se do të përjashtohet vetëm Rama që me sa duket ruan një mendim të padiskutueshëm në bllok për arritjet e tij.
Të deleguarit
Pas emërimit të të deleguarve politik në qarqe u vu re një lloj hatërmbetje, sidomos te disa ministra të qeverisë, të cilët e panë këtë lëvizje si një përjashtim që po u bënte Rama nga zgjedhjet e ardhshme. Viktima e parë do ishte Besa Shahini, ish-ministrja e Arsimit, e cila pa ndonjë arsye të qenësishme do e shfaqte shkarkimin nga Rama si dorëheqje.
Duket se në shënjestrën e Ramës është dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u përjashtua nga delegimi në Lezhë. Shmangia e Lleshajt, ministrit që mori jo pak kosto politike teksa sulmonte protestuesit e opozitës me gaz lotsjellës, është raportuar në media se ka sjellë jo pak debate mes tij dhe vetë kryeministrit.
Kjo solli dhe një rrëmujë deklaratash në gojën e ministrit, i cili një herë u shpreh se “askush nuk është i përjetshëm në post” një deklaratë që më pas do e ndryshonte kur tha se do ishte ministër deri pas zgjedhjeve. Burime në qeveri shprehen se shkarkimi i tij u parandalua nga ndërhyrja e një përfaqësuesi diplomatik në Tiranë, por sërish kjo nuk i ka fashitur konfliktet mes tij dhe kryeministrit.
Diskursi
Mbledhja e asamblesë duket dhe si një make up që po i bën Rama dështimit me negociatat për anëtarësim në BE, që erdhën si rrjedhojë e ndryshimeve në kodin zgjedhor dhe zvarritjes pa kuptim të Gjykatës Kushtetuese. Këto kohë ai ka qenë nën shënjestrën e kritikave ndërkombëtare, qoftë nga Bundestagu qoftë nga eksponentë të Bashkimit Evropian.
Por në opinion publik është parë dhe si frikë që ai ka nga një humbje evidente, jo vetëm për shkak të bashkimit opozitar, por dhe pakënaqësisë në rritje. Foltorja e asamblesë pritet t’i shërbejë për të karikuar sadopak elektoratin me fjalimet propagandistike jo vetëm të tij, por dhe të tjerëve që do marrin fjalën dhe që njihen tashmë në opinionin publik.
Mendohet se në mungesë të alternativës, PS këtë herë do ofrojë një fushatë negativiste ndaj kundërshtarit, njësoj si ajo që aplikoi Nano në vitin 2005, gjë që shihet dhe në diskursin elektoral që po përdor i zgjedhuri i tij në krye të Bashkisë të Tiranës, një diskurs që në atë vit solli dhe një nga humbjet më të mëdha të PS pas vitit 1992./MAPO