Ilir Kalemaj
Duke qenë se koncepti praktik i diplomacisë ka ndryshuar në fizionomi dhe substancë, është e nevojshme që fokusi dhe objektivat e diplomacisë shqiptare të orientohen përherë e më tepër drejt diplomacisë publike, kulturore, ekonomike dhe sportive.
Diplomacia ekonomike-kulturore është më e përshtatshme për vende relativisht të vogla si Shqipëria dhe mundëson maksimizimin e suksesit nëpërmjet rritjes së aksesit institucional dhe zgjerimit të tregjeve. Në këtë kuadër, vlen të theksohet nisma ndër-ministrore Branding Albania si një mënyrë për të nxitur imazhin dhe reputacionin e Shqipërisë në botë, e cila deri tani ka ngelur ne letër dhe e pazbatueshme për mungesë strategjie. Nëse do të funksiononte, e mirëkonceptuar, duke krijuar një imazh më tërhqës për veçantitë e turizmit shqiptar, do të shërbejë për të tërhequr në mënyrë më efikase investime kapitale etj.
Diplomacia shumë-vektoriale shërben për të arritur maksimizimin e interesave të Shqipërisë si vend perspektiv për anëtar të Bashkimit Evropian, si vend anëtar i NATOs, si vend mesdhetar dhe pjesë e Unionit për Mesdheun, si vend i Ballkanit Perëndimor ku shpesh është cilësuar si eksportues sigurie në rajon, si vend anëtar i Organizatës së Konferencës Islamike, me partnerë strategjikë Italinë, Turqinë dhe Greqinë dhe mund të përdoret si mjeti me efikas për të shërbyer si urë dialogu mes aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm shtetërorë dhe jo-shtetërorë.
Nga ana tjetër, diaspora mund të përdoret më efektivisht për të rritur në mënyrë eksponenciale prezencën lobuese, me pak përpjekje në këtë drejtim. Aktivizimi më racional por dhe përzgjedhës në bazë të statusit shoqëror dhe aftësive sociale i individëve të spikatur të diasporës dhe miq dashamirës të huaj në rolin e konsujve të nderit në vende ku mungon prezenca diplomatike dhe konsullore, do ti shërbente si parimit të efiçencës, ashtu edhe atij të rritjes së cilësisë. Nga ana tjetër, këta konsuj nderi do të arrinin të lobonin më energjitikisht për tërheqjen e investimeve nëpërmjet projekteve konkrete. Njëkohësisht, Ministria e Diasporës duhet të shërbejë për të konsoliduar lidhjen me diasporën, për të koordinuar politikat qeveritare që lidhen më shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si dhe për të maksimizuar përdorimin e potencialit të anëtarëve të diasporës në të mirë të Shqipërisë. Kjo duke marrë edhe parasysh trendet botërore në këtë drejtim, duke veçuar faktin që sot anembanë botës ka mbi 77 institucione të diasporës që funksionojnë si institute apo komitete, ku rreth 1/3 e tyre janë krijuar pas vitit 2005 dhe si modele më të përshtatshme për Shqipërinë mund të jenë institucionet e posaçme të vendeve si Italia, Armenia, Izraeli apo Portugalia.
Interesat sikundër thotë Kisingeri duhet ti japin formë premtimeve dhe jo e anasjellta. Pra, një interes kombëtar i definuar qartë, më qëllime specifike afat-shkurtra dhe strategji afatgjata, duhet të jetë koherent me pritshmëritë dhe mundësitë. Nëse të dhënat konstante, të tilla si gjeografia, historia, popullsia dhe kultura nuk mund të ndryshohen, të paktën në akse kohore afatgjata, të dhënat potenciale, si kapaciteti ekonomik, teknologjik dhe ushtarak janë variabla të ndryshueshëm dhe ku shtetet mund të investohen për përfitime të çastit dhe të perspektivës. Në këtë prizëm vlen të eksplorohen kapacitetet realë gjeo-ekonomikë, gjeo-kulturorë dhe gjeo-strategjikë që ka vendi dhe si mund të maksimizohen për të arritur objektiva të matshëm si rritja e shkallës së investimeve të huaja direkte, prezantimi dinjitoz në panaire ndërkombëtare të prodhimeve më të mira artizanale, bujqësore, blegtorale shqiptare, prezantimi i ofertës turistike në formë sa më të diversifikuar dhe holistike, prezantimi i vlerave kulturore unike, i artit, i letërsisë, sportit etj.
Diplomatët duhet të jenë agjentë të një politike koherente dhe të mirë-strukturuar, me strategji të qartë dhe objektiva konkretë dhe të matshëm. Në epokën moderne, sikundër diplomati dhe teoricieni Harold Nikolson na kujton, politika e jashtme është e bazuar mbi konsideratat e vet-mbrojtjes në kushte të ndryshueshmërisë konstante të faktorëve ekonomikë, socialë apo edhe ndryshimeve të qëndrimit të opinionit publik. Për të mundësuar një rifokusim dhe evolucion të natyrshëm të traditës diplomatike shqiptare me leksionet që nxirren si rezultat i variablave të ndryshueshëm, duhet të ketë një debat konstruktiv, profesional dhe përfshirje të aktorëve shoqërorë të interesuar, për të arritur një vizion sa më koherent dhe gjithëpërfshirës, duke krijuar qëndrueshmëri në kohë dhe besueshmëri te partnerët.
*Shkruar enkas për BoldNews.al