Ekspertët ngrenë shqetësimin për mungesën e një sistemi efikas në menaxhimin e mbetjeve urbane, pasi një impiant i ndërtuar në grykëderdhjen e Shkumbinit nga kompania kontroverse “Integrated Technology Services”, u shkatërrua nga prurjet e lumit.
Në 17 maj 2017, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka përuroi në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, pranë fshatit piktoresk Vilë Bashtovë, një impiant të ri të mbledhjes dhe kapjes së mbetjeve pluskuese.
“Ky është një investim në grykëderdhjen e Shkumbinit, është një nga lumenjtë që ka patur dhe vazhdon të ketë problematikë, është një nga lumenjtë që krijon ndotjen më të madhe detare,” tha Koka në një video propagandistike të shpërndarë asokohe për median.
“Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mjedisit ka patur një nga prioritetet kryesore menaxhimin e mbetjeve, është bërë një punë kolosale në të gjithë Shqipërinë,” shtoi ish-ministri i LSI-së, partner koalicioni në qeverinë e parë të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, nga viti 2013 deri në vitin 2017.
Një vit më vonë, barriera e ndërtuar nga kompania “Integrated Technology Services”, ITS Sh.p.k – kompania kontroverse që dominon sektorin e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet kontratave koncesionare, u shkatërrua nga rrjedha e lumit Shkumbin.
Impianti i Vilë Bashtovës bashkë me një barrierë të dytë në grykëderdhjen e lumit Ishëm në rezervatin e Gotullës pranë fshatit Adriatik –vija ndarëse mes bashkive Durrës dhe Laç, ishin pjesë e një projekti pilot të Ministrisë së Mjedisit që kushtoi 324.9 milionë lekë [2.62 milionë euro].
Ekspertët theksojnë se projekte të tilla nuk kontribuojnë në ngritjen e një sistemi efektiv të menaxhimit të mbetjeve dhe si rrjedhojë kanë një ndikim të limituar kundër ndotjes së lumenjve dhe detit.
“Ajo që i mungon realisht Shqipërisë, përveç probleme të tjera, është mungesa e një sistemi menaxhimi mbetjesh të ngurta – kapilar dhe efektiv,” tha Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania.
Të kontaktuara nga BIRN, Ministria e Mjedisit dhe kompania “Integrated Technology Services” nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Ndotja e ujërave nga mbetjet urbane
Gjeto Gjeçi me banim prej 20 vitesh në New York dhe me origjinë nga fshati Adriatik pranë rezervatit të Gotullës në grykëderdhjen e lumit Ishëm, e kujton me nostalgji pastërtinë që dikur ka pasur uji që rrjedh shumë afër shtëpisë ku ai lindi dhe u rrit.
“Lumi ka qenë xham, në atë kohë nona ime ka pas mbush ujë dhe pijshim – përpara se kam shkuar ushtar, si fëmijë ne kena pi ujë atje,” kujton 66-vjeçari, i cili është kthyer nga Amerika për t’u kujdesur për pemët frutore.
“Sot nuk e pin as bagëtia – jo pagure, jo helme, lloj-lloj gjonash, dhe lumi nuk është aq i pastër,” shtoi ai.
Lumi Ishëm, i njohur ndryshe si lumi i Tiranës është një nga lumenjtë më të ndotur në Shqipëri, për shkak të mbetjeve urbane që hidhen në rrjedhën e tij, ndërsa përshkon qytetet e Tiranës, Krujës dhe Fushë Krujës – zona më e populluar e vendit.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, 10 % e popullatës në Shqipëri nuk mbulohet me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane. Edhe kur këto shërbime ekzistojnë, mbetjet shpesh depozitohen në vendgrumbullime të pamenaxhuara afër shtretërve të lumenjve.
Kur lumenjtë fryhen, uji i tërheq mbetjet e ngurta me vete në rrjedhën e poshtme dhe ato derdhen në detin Adriatik – ku depozitohen në plazhet ranore shqiptare, por në varësi të rrymave detare, edhe në vendet fqinje si Mal i Zi dhe Kroacia.
Në maj të vitit 2016, Ministria e Mjedisit lidhi një marrëveshje kuadër me bashkimin e operatorëve Integrated Technology Services, Shijaku dhe Zenit Ambiente për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimin e vijës bregdetare, me vlerë 101.2 milionë lekë.
Në një prokurim të dytë të mbajtur në mars 2017, Integrated Technology Services u shpall fituese e tenderit për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Ishëm dhe rikualifikimit të vijës bregdetare të Gotullës, me vlerë 202.6 milionë lekë. ITS ishte operatori i vetëm me ofertë financiare në tender.
Sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, fondi për këtë projekt është rritur artificialisht me 8.2 milionë lekë.
“Si rrjedhojë e rritjes artificiale të fondit limit në shumën prej 8,256,000 lekë dhe ofertës së paraqitur nga shoqëria ITS sh.p.k në vlerën prej 202,603,181 lekë, rezulton dëm ekonomik dhe përfitim i padrejtë nga shoqëria në vlerën prej 3,153,288 lekë me tvsh,” shprehet KLSH.
E regjistruar në vitin 2010 nga juristi Klodian Zoto – Integrated Technology Services është një shoqëri kontraktore kontroverse, e cila qëndron pas kontratave koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Sharrës në Tiranë.
Impianti në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, i ndërtuar në bregun e lumit pranë kalasë së Vilë Bashtovës në bashkinë Rrogozhinë, u shkatërrua në maj të vitit 2018 nga prurjet e Shkumbinit. Dy vjet më vonë, nga ky impiant mbetet vetëm platforma prej betoni, një kontenier i mbushur me mbetje dhe transportieri i ndryshkur dhe i mbuluar nga bimësia e egër.
Ndryshe, impianti i Gotullës në grykëderdhjen e lumit Ishëm është ende në funksion; megjithatë, banorët e zonës dhe ekspertët vënë në pikëpyetje efikasitetin e tij, ndërsa druhen se mund të pësojë fatin e simotrës në Vilë Bashtovë.
Ndue Ndoja, një blegtor 54 vjeçar, i cili banon pranë grykëderdhjes së Ishmit, thotë se prurjet e Ishmit të fryrë nga reshjet në dimër mund të jenë shumë të mëdha për t’u përballur nga barrierat e impiantit.
“Gjatë dimrit [lumi] më shumë sjell dru, trungje, ndërsa landfilli përballon paguret, këto gjonat, por s’ka me i përballur trungjet,” tha ai.
Sipas Ndues, i zhvendosur në fshatin Adriatik nga Puka në vitin 1992, zona e rezervatit të Gotullës ka një mjedis të pastër, por mbetjet që hidhen në zonat urbane në rrjedhën e lumit e kanë ndotur ujin dhe plazhin.
“Kur kam ardhur unë në qershor ‘92, ishte akoma pa u shkëput ferma, por ujti ka qenë kristal i pastër, shumë i pastër ka qenë,” tha Ndoja, i cili merret me mbarështimin e dhenve për qumësht dhe mish.
“Tash ka ndryshu, se t’u hedh gjona mrena, janë t’u hedhë plastmasë, çfarë s’hedhin, janë t’u hedhë plaçka,” shtoi ai.
Barra e mbetjeve mbi bashkitë
Sistemi i mbledhjes dhe kapjes së mbetjeve pluskuese në grykëderdhjen e Ishmit është i përbërë nga 3 barriera. Barriera e parë është e përbërë nga kavo çeliku, e cila duhet të kapë mbetjet e rënda – trungje pemësh, ndonjë kafshë të ngordhur që mund të sjellë lumi ose degë të ndryshme, kurse barriera e dytë dhe e tretë – të përbëra prej materiali pneumatik, shërbejnë për kapjen e mbetjeve pluskuese.
Gjatë përurimit të punimeve të impiantit në nëntor 2017, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se grykëderdhja e lumit Ishëm ishte një nga zonat më të ndotura të bregdetit shqiptar.
“Sot ndjehem shumë mirë që shteti vuri dorë në një nga gangrenat më të mëdha turistike të vendit tonë, të krijuar nga vetë njerëzit, sepse këto mbetje janë mbetje që i krijojnë qytetet tona,” tha Klosi.
Ekspertët nuk e ndajnë entuziazmin e ministrit të Mjedisit për barrierat e ndërtuara në grykëderdhjet e lumenjve. Ata theksojnë që ky lloj impianti, në rastin më të mirë kap makroplastikat, ndërkohë që nuk adreson ndotjen e lumenjve nga mikroplastika dhe substancat kimike.
“Ajo që shohim ne me plastikën është ndotja nga makroplastika, e cila është përgjithësisht ndotje pamore, sepse plastika do shumë kohë të shpërbëhet, të dekompozohet dhe të çlirojë komponentët e vet kimikë në ujë,” tha Olsi Nika.
“Për t’u shqetësuar është ndotja kimike, e cila vjen edhe nga mikroplastika, kryesisht nga substancat e ndryshme kimike të cilat emetohen ose çlirohen në ujë dhe ne nuk e shohim,” shtoi ai.
Sipas Nikës, mikroplastika kërcënon jo vetëm ndotjen e lumenjve, por edhe shëndetin e popullatës, pasi ajo depozitohet në indet dhjamore të peshkut dhe nëpërmjet zinxhirit ushqimor na vjen ne në pjatat tona.
Drejtori ekzekutiv i Eco Albania tha se në dijeninë e tij, ekspertët nuk janë konsultuar për projektet impianteve të kapjes së mbetjeve në grykëderdhjen e lumenjve, ndërsa thekson se ky projekt pilot nuk adreson problemin kryesor të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, që lidhet me mungesën e një sistemi efektiv të menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane.
“Ajo që ka ndodhur është që me reformën territoriale po ia kalojnë topin bashkive, ndërkohë që ne e dimë në çfarë gjendje janë bashkitë,” tha Nika, ndërsa shtoi se vetëm pak bashki – të cilat mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, janë të afta financiarisht dhe teknikisht të menaxhojnë mbetjet e tyre.
/Reporter.al/