Ndërkohë që autoritetet në Maqedoninë e Veriut po përgatiten për fillimin e mësimit, ka paqartësi se si do të zhvillohet procesi: kush do da ndjekë mësimin në klasë dhe kush ‘online’.
Ekspertët kanë dilema lidhur me përgatitjen e mësimdhënësve për ligjerimin online dhe për furnizimin e shkollave me mjetet e duhura, teksa Ministria e Arsimit thotë se platforma për zhvillimin e mësimit është mjaft moderne.
Ndërsa autoritetet qeveritare dhe Ministria e Arsimit po përgatiten për fillimin e procesit të mësimit më 1 tetor, me një muaj vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, nga ana tjetër ka mjaft skepticizëm lidhur me kapacitetin dhe aftësitë e mësimdhënësve për mësimin në distancë por dhe për furnizimin me mjete të nevojshme teknike dhe teknologjike si të shkollave, po ashtu edhe të nxënësve.
Profesori i Universitetit të Tetovës, Bashkim Ziberi, i cili ka bërë hulumtime në këtë fushë, i tha Zërit të Amerikës se kapacitetet e arsimit institucional në Maqedoninë e Veriut janë shumë të kufizuara, si në aspektin material edhe në atë logjistik, ndërsa shton se sistemi arsimor këtu çalon në shumë segmente.
“Për sa i takon pjesës së organizimit të mësimit online, çalohet kryesisht në infrastrukturën, në furnizimin e çdo klase me kompjuter, siç pretendon tash Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe ështëë, gati e pamundur në këtë periudhë të shkurtër që çdo klasë të furnizohet me një kompjuter ku arsimtari do të mundet pastaj prej në klasë të mbante mësimin online me nxënësit.
Pjesa tjetër ku çalon është edhe pjesa infrastrukturore, një pjesë të shkollave veçse punojnë në kushte normale; kanë punuar në dy ndërrime nga 30 e më shumë nxënës në klasë dhe tash këtu të organizosh mësimin në kushtet e mësimit online ose të kombinuar, do të jetë shumë e vështirë”, thotë z. Ziberi.
Ai thotë se shkollat në Maqedoninë e Veriut do të duhej të kishin filluar të paktën me modelin e kombinuar: ku grupe të ndara të nxënësve do ta ndiqnin mësimin me prani fizike në klasë dhe grupe të tjera online për disa ditë të caktuara, siç është rasti me vende të rajonit.
“Problemi që ekziston këtu është real sepse ne për mësimin online nuk i kemi trajnuar sa duhet arsimtarët për këtë metodë të të mësuarit dhe tash përnjëherë do të ndeshemi pikërisht me këtë problem të komunikimit të arsimtarëve, të cilët ne në gjysmëvjetorin e kaluar e patëm. Ata si prindër e kanë përjetuar që forma më e shpeshtë e komunikimit ishte nëpërmjet dërgimit të detyrave”, thotë profesori Ziberi.
Ndërkohë, Kryeministri Zoran Zaev thotë se Platforma për mësimin online është gjithpërfshirëse, e thjeshtë për t’u përdorur dhe ai beson se do ta duan edhe arsimtarët edhe nxënësit.
“Ajo, shtoi kryeministri Zoran Zaev, ofron mësim në pesë gjuhë: krahas maqedonishtes edhe në shqip, turqisht, serbisht dhe boshnjakisht. Me këtë i konfirmojmë zotimet e kësaj qeverie për kultivimin e bashkëjetesës, multikulturalizmit dhe barazisë në shoqërinë tonë demokratike”, tha ai.
Ministria e Arsimit thekson se fëmijët të cilët nuk kanë mjete të nevojshme për ndjekjen e mësimit online do të jenë të pranishëm fizikisht në klasë, teksa mësuesit ligjerojnë për nxënësit tjerë online. Nxënësit, prindërit e të cilëve nuk duan t’i lejojnë në shkolla për shkak të pandemisë, do të furnizohen me materiale të shtypura, sipas ministres së Arsimit, Mila Carovska.
“Platforma është hapi i parë drejt modernizimit të arsimit; një mjet i ri i cili do të jetë një burim i rëndësishëm edhe pas kapërcimit të krizës së koronavirusit”, shprehet ministrja.
Por, Profesori Ziberi nuk sheh një strategji të mirë të autoriteteve që do të bënte nxënësit, prindërit dhe publikun të bindeshin për një vit të suksesshëm shkollor.
“E kuptoj që është e vështirë, e kuptoj që është kohë pandemie, dhe në shumë vende të tjera gjithashtu kanë hasur vështirësi, por megjithatë çdo vend ka tentuar që në maksimum të shfrytëzojë resurset e veta në mënyrë që të kenë një vit, sadopak të suksesshëm shkollor. Për fat të keq, tek ne nuk i kemi shfrytëzuar në kohë dhe ashtu si duhet këto resurse”, thotë ai./VOA/