Presidenti i Republikës, Ilir Meta në vijim të vizitës së tij të punës në Qarkun e Dibrës, u ndal në qytetin e Peshkopisë, ku me anë të një ceremonie solemne vlerësoi figura të shquara atdhetarësh dhe artistësh dibranë.
Fillimisht, Kreu i Shtetit vizitoi Fabrikën e Lëngjeve në hyrje të Peshkopisë, ku u takua me sipërmarrësin dhe u interesua nga afër për ecurinë e prodhimeve agro-kulturore të bizneseve të vogla të zonës.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Meta theksoi nevojën e mbështetjes më të madhe të fermerëve nëpërmjet skemave konkrete për kultivimin e prodhimeve autoktone shqiptare “bio”, si alternativa më e sigurtë për të orientuar bujqësinë drejt rritjes së prodhimit dhe eksporteve shqiptare.
Më pas, Presidenti Meta i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, Dionis Imeraj, autoritetet vendore, përfaqësues të të gjitha forcave politike, si dhe qindra qytetarë të Peshkopisë të cilit kishin dalë për ta mikpritur, vendosi një buqetë me lule në bustin e Elez Isuf Ndreut dhe u përul me respekt e mirënjohje para veprës dhe jetës së tij.
Gjatë ceremonisë solemne të organizuar në Pallatin e Kulturës së Peshkopisë, ku ndoqi një koncert festiv me këngë e valle dibrane, Kreu i Shtetit çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, atdhetarin Elez Isuf Ndreu (pas vdekjes); me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Ahmet Camin (pas vdekjes); ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Edip Tërshanën (pas vdekjes) dhe Hazis Ndreun (pas vdekjes).
Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Presidenti Meta dekoroi kompozitorin, orkestruesin dhe producentin muzikor z.Edmond Zhulali, si dhe artistin e mirënjohur z.Arif Vladi, ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, z.Muharrem Xhediku.
Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësua Përparim Tomçini (Pas vdekjes), z.Behar Mera, znj.Vera Duka (Laçi), z.Isak Shehu dhe z.Hysen Ndreu.
Kurse me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës dekoroi artistët e shquar dibranë, z.Neshat Ndreu dhe z.Agim Cani.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Presidenti Meta theksoi se për shqiptarët Dibra është shumë e shtrenjtë, siç është edhe Atdheu për dibranët.
FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT META
Vizita në Dibër dhe takimi me dibranët është përherë një kënaqësi e veçantë për mua!
Vizita në Dibër pasi lexon nga fillimi deri në fund edhe librin e njërit prej historianëve më të mëdhenj të vendit tonë, Prof. Kristo Frashërit është edhe më e veçantë.
Për më tepër kur kjo vizitë lidhet me vlerësimin e eposit dibran të këngës, artit, kulturës, folklorit dhe muzikës.
Gjithë kombi përulet me nderim e mirënjohje ndaj kontributit të dibranëve për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, por edhe për ndikimin e madh që Dibra dhe dibranët kanë pasur në botën dhe kulturën shqiptare.
Për shqiptarët Dibra është shumë e shtrenjtë, siç është edhe Atdheu për dibranët. Ajo ka qenë dhe mbetet një nga epiqendrat më spikatura dhe më të flakta të shqiptarizmit dhe betejave për liri!
Mbijetesa e dibranëve është e lidhur ngushtë me mbijetesën e gjithë kombit shqiptar.
Kjo qëndresë e përbashkët i ka rrënjët te shkalla e lartë e atdhedashurisë, solidariteti, sakrifica, përkushtimi dhe kontributi i gjithë brezave të dibranëve ndër shekuj.
Dibranët janë ndjerë përherë ballëlartë dhe krenarë para historisë.
Treva e Dibrës me nëntë malet e saj të lartë ka qenë në shekuj kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve.
Dibra ngeli përherë bastioni dhe barrikada e parë e betejave ndaj vërshimit të hordhive të ushtrive pushtuese në kufirin verilindor të shqiptarëve.
Ndaj dhe gjigandi Hazis Ndreu do të këndonte:
Hajredin Pasha po vjen Radikës/
Pyet ku janë malet e Dibrës?
E ka gjet belaja si e ka gjet/
Shtat taborë i jan ba shkret.
Kjo tokë e lashtë e bijve krenarë ka qenë arena e përgjakshme e luftërave dhe fitoreve të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, për të cilin me të drejtë Fan Noli ka thënë se do të jetë gjithmonë më i gjalli ndër shqiptarët e gjallë, sepse edhe sot ai na frymëzon, na bashkon dhe na jep forcë.
19 nga 24 betejat e tij, Skënderbeu i zhvilloi dhe i fitoi në trojet e dibranëve, dhe jo rastësisht kapedanët ndër më të shquarit e tij ishin dibranët Moisi Golemi, Pal Kuka, Vladan Gjurica e Zakaria Gropa e shumë të tjerë.
Kontributi njerëzor dhe sakrificat e dibranëve kanë qenë biblike, sikurse vetë historia e Skënderbeut.
Në librin e historisë së kësaj epopeje të ndritur do të shkruhej se çdo dibran ishte dhe mbeti një luftëtar i Skënderbeut, këtij simboli të përjetshëm të identitetit tonë kombëtar.
Edhe gjatë sundimit otoman dibranët nuk e ndalën luftën për liri.
Ata mbështetën Lidhjen e Prizrenit dhe u bënë organizatorët Kuvendeve të famshme të maleve, që u drejtuan nga atdhetarët Iljaz pashë Dibra, Selim Rusi, Vehbi Dibra, Isuf Karasani, Ramiz Daci, Elez Isufi, etj.
Në 28 Nëntor të vitit 1912, Dibranët ishin mbrojtës e flaktë të aktit të Pavarësisë dhe njëkohësisht edhe të Qeverisë së Ismail Qemalit.
Ata u përfaqësuan në Vlorë me dy nga përfaqësuesit më të shquar të saj si atdhetarët Nikoll Kaçorri dhe Vehbi Dibra.
Të panumërta janë betejat dhe përpjekjet e dibranëve në luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Të rreshtuar në dy Brigada dhe shumë çeta ata i falën atdheut 6 Heronj të popullit dhe 176 Dëshmorë!
Nder dhe lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të Dibrës e mbarë kombit tonë!” – u shpreh Presidenti i Republikës.
“Para disa ditësh ne festuam me madhështi 100-Vjetorin e Luftës së Vlorës, e cila shënoi jo vetëm çlrimin e Vlorës, por edhe të mbarë Shqipërisë nga pushtuesit që nga viti 1912!
Por Shqipëria e sotme nuk do të ishte kurrë e plotë pa luftën dhe betejat heroike të dibranëve kundër pushtuesve serbë, si dhe të shkodranëve kundër atyre malazezë.
Rrallë ka ndodhur që një krahinë e vetme të zhvillojë për 9 vjet rresht një qëndresë kaq heroike për mbrojtjen e territoreve shqiptare!
Dibranët iu thanë ‘Jo!’ vendimeve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë dhe të vetë Dibrës dhe u hodhën në luftë dhe sakrifica pa fund, derisa ia arritën që t’i detyrojnë ushtritë serbe të tërhiqeshin jashtë kufijve.
Nder e lavdi prijësve dhe komandatëve dibranë Elez Isufi, Ramiz Dibra, Dine e Izet Maqellara, Ramiz Daci, Shaqir e Dine Dema, Dine Hoxha, Selim Noka, Murat Kaloshi e Dervish Lusha, e shumë të tjerë!
Këtë fqe të ndritur të luftëtarëve dibranë populli e ka skalitur:
Elez Isufi, arusha e malit /
Fort po e vret asqerin e krajlit /
Fort po i vret e po bën kërdi /
o në k’to brigjet e Drinit të Zi!’
Kjo trevë e kaq e bukur, me këtë histori dinjitoze, me këtë panoramë mahnitëse dhe me këtë popull me kaq virtyte nuk duhet të braktiset më!
Ky shpopullim është i dhembshëm, pasi braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burimi i identitetit tonë kombëtar edhe kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin.
Ndaj është momenti që të gjithë të kthejmë më shumë vëmendjen ndaj ruajtjes jo vetëm të vlerave më të mira të kulturës e identitetit tonë kombëtar, por mbi të gjitha të njerëzve në këto troje! Në mënyrë të veçantë të rinisë.
Është koha t’i kthejmë sytë seriozisht nga bujqësia dhe nga turizmi, sepse ato përfaqësojnë potenciale të jashtëzakonshme për të gjithë banorët e këtyre trevave.
Është e rëndësishme që për çështjet e mëdha të jemi gjithmonë bashkë, përtej dallimeve politike të ditës. Ashtu sikurse në vitin 1920 që ishte dhe mbetet një viti i bekuar për Shqipërinë, u bënë të gjithë bashkë. U bënë bashkë edhe Sulejman Pashë Delvina, edhe Ahmet Zogu, edhe Avni Rustemi, edhe gjithë burrat e Shqipërisë, duke bërë të mundur çlirimin përfundimtar të vendit tonë, dhe duke na lënë këtë shtet që e kemi sot prej 100 vitesh në atë mënyrë dhe në atë nivel, i cili duhet të ruhet e duhet të mbrohet pasi nuk duhet të kemi iluzione.
Jemi një vend, i cili duhet në çdo moment të mbrojë vetveten, të mbrojë Atdheun, dhe ka forma të reja të ndikimit të të tjerëve, të cilat cenojnë sovranitetin e popullit dhe të kombit tonë.
Ndaj të mos i harrojmë kurrë vargjet e të madhit Hazis Ndreu!
Burrat e Dibrës e kanë lidhun besën /
Hej për vatan o nuk tutën se vdesin!” – nënvizoi kreu i shtetit shqiptar.
“Shoqëria bashkëkohore shqiptare ka çfarë të mësojë nga trashëgimia, tiparet, traditat, virtytet e bashkësisë krahinore dibrane.
Cilësitë e civilizimit dibran sikurse janë organizimi i kuvendeve, alegoria e komunikimit si dhe rregullat kanunore qytetare të trevës së Dibrës përbëjnë shembuj të një shoqërie të emancipuar dhe përcjellin edhe sot mesazhe dinjiteti, progresi dhe zgjuarsie të veçantë popullore.
Përsosmëria në organizim, barazia, respektimi i dialogut, mënyra demokratike e vendimmarrjes, sjellja e kulturuar ndaj kundërshtarëve dhe për më tepër zbatimi korrekt i vendimeve përbëjnë një shembull të lartë integriteti etiko-moral.
Këto gjeste fisnike e atdhetare të dibranëve në Kuvendet e Maleve janë edhe sot një mesazh kuptimplotë për klasën politike dhe për shoqërinë tonë.
Në këngët, elegjitë dhe rapsoditë tuaja ju keni mbajtur gjallë dhe ju keni transmetuar brezave historinë dhe krenarinë e të qenit dibran.
Në vallet tuaja të larmishme keni reflektuar temperamentin, harmoninë, ritmin dhe energjinë e pashtershme!
Në kostumet tuaja popullore ju keni hedhur ngjyrat e jetës, të pyjeve, maleve, lëndinave, ndërsa këngën e zogjve si dhe gurgullimën e lumenjve e keni pasqyruar në muzikën e këngët tuaja.
Ju e keni ruajtur e zhvilluar me dashuri këtë pasuri kulturore deri në ditët tona.
Mbi këtë folklor të lashtë dhe pasuri shpirtërore ju keni ngritur artin, letërsinë, këngën e kulturën dibrane aq të njohur në gjithë vendin.
Sot jam i lumtur të jem mes jush dhe të nderoj një pjesë të atdhetarëve, por edhe të korifenjve të folklorit, si dhe të artistëve të mëdhenj të Dibrës e të mbarë vendit, por në mënyrë të veçantë, duke qenë se jemi në këtë vend që mban edhe emrin e tij jam shumë i lumtur, të vlerësoj me Dekoratën më të lartë, me ‘Urdhrin e Flamurit’ Elez Isuf Ndreun!
Siç thotê populli: “Shqipëria ka lindur burra që nuk njohin dy flamura!”
Dhe Elez Isuf Ndreu është nga burrat më të mëdhenj që nxorri kjo tokë por edhe kombi ynë, i cili luftoi në mënyrë heroike si rrallëkush tjetër, përgjatë gjithë jetës së tij kundër të gjithë pushtuesve që ai njohu dhe ishte kontributi i tij i spikatur sidomos edhe para Pavarësisë, por që nga viti 1912 deri në vitin 1920 që bëri të mundur këtë shtet që ne kemi sot.
Të mësojmë nga gabimet që kemi bërë këto 100 vite, ta ruajmë e ta forcojmë dhe gjithmonë të jemi krenarë për të parët tanë, për historinë tonë dhe të kemi parasysh se fëmijët tanë çdo gjë mund ta gjejnë jashtë. Mund të gjejnë një punë më të mirë. Mund të bëjnë një aktivitet më të mirë. Por Atdhe nuk mund të gjejnë asgjëkundi në botë!
Të mos harrojmë që të parët tanë ishin në Amerikë, ishin në Stamboll, ishin në Bukuresht, ishin gjithandej dhe u mblodhën të gjithë bashkë dhe na kanë lënë këtë shtet që duhet ta ruajmë si sytë e ballit!
Sepse dua t’ju kujtoj se çfarë shkruante një fëmijë në moshën 16 vjeç, Heroina e Popullit Margarita Tutulani, në një hartim që bënte në shkollë: ‘Më pyet shpesh vëllai i vogël, motër po për çfarë na duhet Atdheu? Atdheu na duhet që të jemi të lirë!’
Kështu që do ta ruajmë Atdheu. Dhe Atdheun, siç thonte i madhi Dritëro Agolli, e kanë shpëtuar këngët edhe malet!
Dhe Dibra shkëlqen në të dyja këto drejtime, sepse këngët kanë përcjellë gjuhën, historinë, trimëritë e të parëve tanë dhe malet kanë qenë kështjellat tona më të pamposhtura. Edhe kur na kanë pushtuar, i kemi tërhequr në male dhe pastaj i kemi hedhur në det.” – u shpreh Presidenti Meta.