Nga Erl Kodra
Nëse opozita shqiptare e mendon se largimi i Edi Ramës nga pushteti është thjeshtë çështje zgjedhjesh, gabohet rëndë. Në të vertetë, largimi i tij përmbledh një ndër situatat më komplekse dhe sfidat më të mëdha në të cilat është gjendur ndonjëherë Shqipëria. Kriza e thellë dhe shumëplanëshe, e shtresëzuar në çdo nivel të shoqërisë, por edhe konfigurimi i pazakontë i situatave ndërkombëtare, e kthen krizën shqiptare në një ekuacion gati të pazgjidhshëm.
Shqipëria ka nevojë uluritëse të largojë Edi Ramën. Në këtë shkrim do të projektohet vetëm ajo çfarë pritet të ndodhë, por jo edhe cila mund të jetë rruga që duhet të ndjekë opozita. Në këtë pikë unë nuk mund të bëj asnjë parashikim.
Edi Rama nuk përfaqëson më vetëm qeverinë shqiptare, domethënë vetëm Kryeministrin e Shqipërisë. Ai nuk është më shefi i mazhorancës, ose Kryetari i Partisë Socialiste. Në të vertetë ai përfaqëson shumë më tepër se aq; ai është shumë më tepër se Kryeministër; ai është gjithçka dëshiron të jetë, gjithçka i shkon mendja, gjithçka që ia ka ënda.
Ai është në gjendje, dhe ai ka dhënë prova të bollshme se ËSHTË; të realizojë çdo ëndërr, sado e çmendur të jetë ajo. Ai kontrollon gjithë territorin fizik të institucioneve, të gjitha pushtetet; ekonominë dhe buxhetin e vendit.
Edi Rama kontrollon çdo gjë që lëvizë në territorin shqiptar; përfshirë edhe mafian. Në të vertetë, vet shtetin e ka kthyer në Shtet të Mafias. Deri këtu nuk po them ndonjë gjë të re, ky fakt dihet botërisht.
Ajo çka nuk dimë është se nuk po e analizojmë seriozisht situatën se çfarë mund të ndodhë përgjatë muajve që do vijnë, muaj në të cilët do të vihet në diskutim, as më pak dhe as më shumë, se sa pushteti i njeriut më të pasur të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Imagjinojeni pak; Edi Rama e konsideron Shqipërinë si pronën e tij, territorin e tij, vendin të cilin ai e fitoi falë zgjuarsisë dhe brutalitetit. Ai që zotëron gjithçka, papritur do të kthehet në një ëngjëll demokratik, për të dorëzuar jo vetëm pushtetin, por edhe Shqipërinë? Ai që zotëron mafian e ndërtimit, mafian e konçensioneve, mafian e bankave, mafian e medias, mafian e hidrokarbureve, mafian e karteleve të hashashit, mafian e kokainës?!
Vertetë jeni kaq naiv dhe e besoni se Edi Rama do të dorëzojë pushtet? Dhe çfarë pushteti se! Absolut, më absolut se pushteti i Luigjit të XIV.
***
E verteta është se Edi Rama është në ditët më të errëta të pushtetit. Të paktën tre e katërta e qytetarëve do votojnë kundër tij. Një kombinim fatal i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm i dhanë Edi Ramës fuqi prej pushtuesi. Ai nuk është si kryeministrat e vendeve të tjera që ka ardhur për t’i shërbyer vendit, por është Kryeministri i mafias dhe do t’i shërbejë interesave të saj. Ai ka shumë për të humbur; sepse projektet janë në mes; Korporata e Investimeve, kullat nëpër Shqipëri, nafta, hidrokarburet, autostradat, bypaset, aeroportet. Miliarda euro që presin të pastrohen në lavatriçen më të madhe në Mesdhe përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit.
Prandaj ai kërkon 74 deputet; me çdo kusht, me çdo çmim, me çdo mjet. Ai është gati të bëj çdo pakt, me të gjithë djajtë e botës për të mos rënë nga pushteti.
Me sa duket, ka shkaqe të arsyeshme për të kuptuar tmerrin e Edi Ramës nga humbja e pushtetit. Në botën e nëndheshme, likuidimi i llogarive nuk bëhet njësoj si likuidimi i faturave të Françesko Beketit nga Buxheti.