(Nuk) më kujtohet

Nga Ilir Kalemaj

Më kujtohet:

  • Era që lëshon toka pasi laget nga shiu
  • Shija e domates bio me pak djathë dhe bukën e ngrohtë të sapopjekur nga furrtari i lagjes
  • Bicikleta e parë BMX dhe xhirot dhe lojërat pa orar me top
  • Koha kur politikanët ishin ende elegantë dhe të veshur keq
  • Moda e flokëve bishtpëllumbi e meshkujve apo popullorçe qafëlesh 😊
  • Koha kur prisje me padurim te posta apo komshiu i vetëm me telefon në pallat për të folur me të afërmin në emigrim.
  • Tregu ku shkëmbehej valutë dhe tregjet e gjësë së gjallë
  • Taksistët batutaxhinj dhe policët barkderra 😊
  • Karrocat me kuaj në mes të qytetit ku kalamaqtë u hipnin në rrugë e sipër
  • Plazhet e pazëna nga kulla shumëkatëshe
  • Mbrëmjes e verës nga liqeni ku rinia ngazëllehej me fare pak
  • Diskot e mesit të ditës
  • Muzika classic rock dhe heavy metal
  • Cigaret Rothmans dhe Davidoff shoqëruar me ndonjë teke Skënderbe
  • Portet e trishtë ku rrinin ngucazi disa tragete shkatarraqë dhe varka të brishta
  • Skafet që iknin ngarkuar në terr me fate njerëzore
  • Zhurrma e një vendi përherë në tranzicion
  • Zakonet e mira të mikpritjes me dorë në zemër dhe miqësia e vërtetë
  • Shpresa mes zullumeve që trashen por asnjëherë nuk këputen plotësisht

Nuk më kujtohet hera e fundit:

  • që KM ka mbajtur një konferencë për shtyp
  • pa një vrasje të dhunshme që bën lajm kombëtar
  • hera e fundit që ulesh me dikë në tavolinë dhe smartphon-i anash nuk të lë të përfundosh një bisedë në paqe
  • një xhiro mës ajrit të pastër në Tiranë
  • e një debati për t’u mbajtur mend në parlament
  • e vendosjes së drejtësisë së pandikuar në sallat e gjyqeve
  • e mospasjes stres nga të shkuarit në spital
  • e vajtjes më me gëzim në shkollë dhe biblioteka se sa në kafehane
  • e cicërimës së një zogu në qytet
  • e aromës së portokajve dhe limonave
  • e frutave dhe perimeve pa nitrat dhe hormone
  • e mungesës së vrasjeve brenda familjeve
  • e ikjeve të dëshpëruara dhe refrenit “ky vend nuk bëhet”
  • e orëve të gjata të kaluara me miq të mirë para një gote pa vuajtur nga stresi i kohës që po ikën dhe punët që presin
  • e një vizite të paqtë në varreza pa zhurrma makinash aty pranë, pa plehra që digjen dhe hiena që vijnë vërdallë
  • e një diskutimi filozofik plot pathos në një grup të ngeshëm thjesht për hir të debatit intelektual
  • e një nderi pa pritur gjë në kthim
  • e një telefonate thjesht sa për të të kujtuar