Darian Pavli, gjyqtari shqiptar i Strasburgut, në “konflikt interesi” me paditë kundër Vetingut

Darian Pavli

Nga BoldNews.al

Darian Pavli, gjyqtari shqiptar në Strasburg, mund të jetë në kushtet e konfliktit të hapur të interesave gjatë shqyrtimit të rasteve të depozituara nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë ankimuar procesin e Vetingut pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Pavli ishte një ndër Ekspertët e Nivelit të Lartë gjatë hartimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, para se të zgjidhej përfaqësuesi shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, në një votim të zhvilluar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në Tetor 2018.

Një ndër aspektet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, e miratuar në Korrik 2016 me kontributin edhe të z. Pavli, është procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetting).

Procesi i Vetingut, i cili vijon të jetë në zhvillim në Shqipëri, është kritikuar për njëanshmëri politike në favor të maxhorancës së qeverisë së majtë të Edi Ramës, e kryer nga disa trupa jo-profesioniste, megjithëse ai vijon të ketë mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë.

Për shkak të këtij procesi, të shoqëruar me shumë pikëpyetje, një numër i lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh tashmë janë jashtë sistemit të drejtësisë, ndërkohë që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale prej 3 vitesh.

Të paktën 20 prej tyre, nga radhët e atyre që janë shkarkuar me vendim të formës së prerë nga strukturat shqiptare, i janë drejtuar me ankim Gjykatës së Strasburgut.

Në paditë e tyre, ata pretendojnë shkelje flagrante të proces të rregullt ligjor, të cilat janë në kundërshtim me parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, palë e së cilës është edhe Shqipëria.

Gjykata e Strasburgut i ka regjistruar ankimet, ndërkohë që për një pjesë të tyre pritet të jepet së shpejti vendimi.

Pavli dhe lidhja me Edi Ramën

Darian Pavli u emërua si anëtar i Gjykatës së Strasburgut, pasi kandidaturat e mëparshme të qeverisë shqiptare u rrëzuan tre herë rresht nga strukturat e Këshillit të Europës.

Arsyet e rrëzimit të emrave të mëparshëm nuk u bënë publike, megjithëse, në çdo rast, bëhej fjalë për emra që kishin lidhje të ngushtë me qeverinë e majtë ose me vetë kryeministrin Edi Rama.

LEXO EDHE  Granata pranë banesës së ish-komandatit të FNSH-së, ja çfarë thotë policia

Gjithësesi, edhe Pavli rezulton të jetë një tjetër lidhje e kryeministrit Rama, jo vetëm personale, por edhe më gjerë.

Rama dhe Pavli, referuar pemës gjinealogjike, janë familjarë me njëri-tjetrin (referuar raportimeve mediatike shqiptare është aluduar se gjyshërit e tyre kanë qenë motër e vëlla).

Por nuk është vetëm kjo lidhja mes kryeministrit shqiptar dhe gjyqtarit të kandiduar prej tij për në Gjykatën e Strasburgut.

Darian Pavli ka qenë përfshirë më herët në projekte të ndryshme të fondacionit “Shoqëria e Hapur”, e themeluar nga biznesmeni George Soros.

Fondacioni “Soros” ka shprehur hapur dhe publikisht përkrahjen personalisht ndaj kryeministrit Rama prej vitesh, edhe para se ai të zgjidhej në krye të qeverisë.

Fondacioni Sorros është shprehur publikisht se ka kontribuar financiarisht dhe me ekspertizë në hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ky fondacion ka përkrahur edhe individë që kanë punuar në pozicione të rëndësishme në këtë fondacion për t’u zgjedhur në organet drejtuese në sistemit të drejtësisë.

“Konflikti i interesit”

Bazuar në biografinë profesionale zyrtare (CV), të publikuar në faqen e Gjykatës së Strasburgut, gjyqtari Darian  Pavli ka shënuar se, në periudhën 2015-2016 ka qenë Këshilltar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Hartimin e Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu, ai rezulton të ketë qenë Ekspert i Lartë në Projektin e Bashkimit Europian për Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, në vitin 2018.

Pra, qartësisht, juristi Pavli ka qenë i përfshirë në hartimin e Reformës në Drejtësi, pjesë e të cilës është edhe procesi i ndërlikuar dhe, i anatemuar si i anshëm, i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting).

Tashmë, në pozitën e anëtarit të Gjykatës së Strasburgut, Pavli do të duhet të luajë rolin e paanshëm, përballë ankimeve kundër Vetingut, një produkt që ai vetë ka qenë pjesë e hartimit dhe draftimit.