Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, konstaton pamundësi financiare për blerjen e dy apartamenteve dhe pasaktësi në deklarime. Prokurori Mersini u pyet gjatë seancës dëgjimore për një transfertë 40 mijë euro nga shoqëria ndërtuese që u shiti apartamentin në Tiranë, në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij dhe për përdorimin e një automjeti.
Prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Alket Mersini u përball të hënën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet për burimet financiare për dy apartamente dhe një vlerë 40 mijë euro që një kompani ndërtuese kishte depozituar në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij.
Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Mersini përbëhet nga Etleda Çiftja kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Alket Mersini e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Durrësit dhe atë të Tiranës.
Relatorja Pamela Qirko tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për prokurorin Mersini ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Analiza e Komisionit është shtrirë mbi burimet financiare të deklaruara për blerjen dy apartamenteve, një të porositur në vitin 2003 në qytetin e Elbasanit dhe tjetrin në vitin 2011 në Tiranë.
Mungesë burimesh për apartamentet
Për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2011 për shumën 58 mijë e 406 euro, Mersini ka pasqyruar si burim në deklaratën veting vlerën e përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan në shumën 12.5 milionë lekë, po atë vit. Sipas relatores Qirko, kontrata e shit-blerjes për këtë pasuri është nënshkruar në vitin 2017.
Në seancë u tha se, në vitin 2010, Mersini ka deklaruar tërheqjen e vlerës 2.1 milionë lekë për porositjen e një apartamenti në Tiranë, tek Kodra e Diellit, ndërsa në vitin 2011 ka pasqyruar kontratën e porositjes.
Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimeve për burimin e krijimit të kësaj pasurie, pasi në deklaratën veting është shënuar si burim vetëm vlera e përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan. Qirko tha se subjekti ka shpjeguar se shuma e tërhequr në vitin 2010 kishte shërbyer për pagesën e kaparit. Trupi gjykues vlerëson se Mersini ka qenë i pasaktë në deklaratën veting pasi nuk ka pasqyruar si burim edhe kursimet që kanë shërbyer për pagesën e këstit të parë. Ndërkohë, KPK konkludon se bashkëshortët Mersini kanë pasur mundësi për krijimin e vlerës 2.1 milionë lekë.
Në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore, Mersini e cilësoi si harresë mosdeklarimin e vlerës së kaparit të paguar në vitin 2010 dhe theksoi se kjo shumë rridhte nga burime të ligjshme.
Komisioni ka verifikuar edhe burimin tjetër të deklaruar, vlerën e përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan në shumën 12.5 milionë lekë. Sipas relatores Qirko, bashkëshortët Mersini i kanë kaluar blerësit në vitin 2011 të drejtat mbi apartamentin që kishin prenotuar në vitin 2003.
Nga hetimi administrativ mbi këtë burim ka rezultuar se Mersini në vitin 2003 kishte prenotuar 2 apartamente 1+1 në Elbasan, me sipërfaqe totale 120 m2 për vlerën 4 milionë lekë.
Sipas Komisionit, në vitin 2003 kur është firmosur kontrata e porosisë është paguar edhe vlera 4 milionë lekë. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Mersini nuk ka pasqyruar në vitin 2003 porositjen e kësaj pasurie dhe pagesën e shumës 4 milionë lekë.
Prokurori Mersini ka pranuar pasaktësinë dhe ka shpjeguar para trupit gjykues të KPK se nuk e ka deklaruar këtë pasuri në vitin 2003, pasi ishte deklarata e parë dhe ndërkohë nuk ishte pronar juridik i kësaj pasurie.
Në vitin 2004 ka deklaruar se e ka blerë këtë apartament në shumën 3.3 milionë lekë dhe ka pasqyruar si burime 10 mijë USD të dhëna nga vëllai në këmbim të heqjes dorë nga bashkëpronësia mbi një apartament të përfituar nga familja e origjinës me privatizim; 10 mijë USD të dhuruara nga prindërit e bashkëshortes si dhe të ardhura të tjera shitja e një apartamenti që kishte blerë në vitin 2000.
Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshortja kishin pasur burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në vitin 2000. Gjithashtu, edhe vëllai ka rezultuar se kishte pasur mundësi të kursente vlerën 10 mijë USD që i kishte dhënë në këmbim të heqjes dorë nga bashkëpronësia e apartamentit në pronësi të familjes së origjinës së prokurorit Mersini. Por, për shkak se ne deklaratën noteriale të vitit 2004 cilësohej se vlera 10 mijë USD ishte dhënë po këtë vit dhe jo në 2003-in, Komisioni nuk e ka konsideruar këtë shumë në analizën financiare.
“Deklaroj se vëllai ma ka dhënë këtë vlerë në vitin 2003 dhe Komisioni ta vlerësojë sit ë dojë, edhe si një ndihmë. Vëllai ka pasur burime të ligjshme dhe nga shitja e atij apartamenti nuk kam përfituar asgjë tjetër”, pohoi Mersini gjatë seancës dëgjimore.
Qirko tha se prindërit e bashkëshortes nuk kanë pasur mundësi për krijimin e shumës 10 mijë USD që i kanë dhuruar vajzës së tyre, vlerë që ka shërbyer si një nga burimet për blerjen e apartamentit në Elbasan. Veç mungesës së burimeve për këtë shumë të dhuruar nga prindërit e bashkëshortes, ashtu si në vlerën e dhënë nga vëllai konstatohet pasaktësi në deklarimin e vitit kur janë përfituar. Edhe në deklaratën noteriale të prindërve të bashkëshortes është shënuar se vlera 10 mijë USD është dhënë në vitin 2004, ndërkohë që Mersini ka pretenduar se ia kanë dhënë në vitin 2003 kur ka porositur apartamentin në Elbasan dhe ka paguar vlerën 4 milion lekë.
Edhe vlera e dhuruar nga prindërit e bashkëshortes nuk është përfshirë në analizën financiare.
Mersini deklaroi në seancë se vërtetohej nga derdhjet e kryera në llogari se këto vlera ishin dhënë nga familjarët në vitin 2003. Ai shpjegoi se nëna e bashkëshortes kishte pasur një aktivitet të shitjeve të produkteve ushqimore dhe bulmetit që prej vitit 1991. Prokurori Mersini tha se kishte arritur të siguronte dokumentacion për periudhën 1991-1996 dhe për periudhën pas vitit 1999 kur dyqani ishte dhënë me qira nga vjehrra. Sipas tij, nga rezulton se familjarët e bashkëshortes kanë pasur mundësi të kursenin vlerën 10 mijë USD që i kanë dhuruar vajzës së tyre.
Krahas prenotimit të apartamentit në Elbasan, subjekti ka pasqyruar edhe likujditete – nga të cilat 2.5 milionë në gjendje cash të kursyera nga vetë prokurori Mersini; bashkëshortja gjendje cash në shumën 400 mijë lekë dhe një llogari bankare në shumën 600 mijë lekë. Në këtë periudhë, ai ka deklaruar edhe blerjen e një autoveture në shumën 200 mijë lekë.
Qirko tha se nga analiza financiare e shtrirë në periudhën 1996-2003, është konstatuar një mungesë burimesh për pagesën e apartamentit në Elbasan, krijimin e likujditeteve dhe shpenzimeve në shumën 2.8 milionë lekë.
Mersini kërkoi që në analizën financiare të përfshiheshin edhe të ardhura të përfituara nga bashkëshortja nga një projekt me një universitet në Francë gjatë viteve 1995-1996 në vlerën 25 mijë franga franceze, si dhe të ardhura nga një punë e dytë e saj pranë një agjencie turistike në vitet 1997-1998.
“Nëse konsiderohen të gjitha këto të ardhura, analiza del pozitive”, pohoi Mersini.
Lidhur me apartamentin në Elbasan, Mersini ka shpjeguar se e ka marrë në gjendje karabinaje dhe se në vitin 2004 ka shpenzuar 2.5 milionë lekë për punimet e brendshme. Komisioni konstaton se Mersini e ka deklaruar në vitin 2004 pakësimin e vlerës 2.5 milionë lekë si shpenzim për këtë pasuri.
Mersini kërkoi në seancë që Komisioni të korrigjonte vlerën e shpenzimeve në analizë, pasi ishte shënuar 2.9 milionë dhe jo 2.5 milionë.
Ai ka shpjeguar për Komisionin se ka shpenzuar edhe 10 mijë euro gjatë viteve 2004-2005 për arredimin e këtij apartamenti dhe se vlera totale e shpenzimeve për këtë pasuri është 7.7 milionë lekë.
Komisioni konstaton se Mersini nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat në vlerën 8.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan dhe për pasojë kjo shumë nuk është përfshirë në analizën financiare për blerjen e banesës në Tiranë.
Mersini tha se diferenca e përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan nuk ishte 8.5 milionë lekë, pasi prej zbritjes së shpenzimeve në shumën 7.7 milionë prej vlerës së shitjes 12.5 milionë, diferenca mbetej 4.8 milionë lekë. Ai tha se në vitin 2011 nuk parashikohej në ligj që të paguhej tatim për të ardhurat e përfituara nga shitja e një të drejte reale, por vetëm për të ardhurat e shitjes së një prone. Mersini shpjegoi se ai nuk e zotëronte ende si pronë të tijën apartamentin në Elbasan dhe se kishte shitur të drejtën që gëzonte nga prenotimi. Sipas, tij, vetëm në vitin 2018 legjislacioni parashikonte edhe tatimin e të ardhurave të përfituara nga shitja e një të drejte reale.
“Konsideroj se për këto të ardhura nuk duhet të paguaj tatime dhe se shuma e përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë është e ligjshme”, pohoi Mersini.
Relatorja Qirko vijoi se në vitin 2011 subjekti ka deklaruar krijimin e një depozite me afat 1-vjeçar në shumën 4.7 milionë lekë dhe likujditetet në shumën 700 mijë lekë. Duke qenë se Komisioni nuk e ka përfshirë në analizë pjesën më të madhe të shumës së përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan, Mersini ka rezultuar në pamundësi në vlerën -7.7 milionë lekë për blerjen e apartamentit në vendin e quajtur Kodra e Diellit në vitin 2011.
Transferta në llogarinë e bashkëshortes
KPK konstaton transferimin e një vlere 40 mijë euro nga shoqëria ndërtuese ku kanë blerë apartamentin në Tiranë, në llogarinë e bashkëshortes së prokurorit Mersini. “Subjekti ka shpjeguar se kjo transfertë është kryer gabimisht nga shoqëria dhe se është tërhequr dhe i është kthyer kompanisë ndërtuese”, pohoi relatorja Qirko.
Gjatë seancës dëgjimore, Mersini u pyet nga anëtaret e trupit gjykues dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me këtë transfertë, duke i kërkuar të shpjegojë se përse nuk ishte kthyer në rrugë bankare por në gjendje cash.
Pokurori Mersini tha se në atë periudhë ai punonte në Durrës dhe se bashkëshortja e kishte tërhequr vlerën dhe fillimisht kishte dashur ta depozitonte në llogarinë e saj. Ai theksoi se sapo e kishte mësuar këtë gjë i kishte thënë bashkëshortes që t’ia kthente shoqërisë dhe se kështu kishte ndodhur. “Edhe shoqëria ka deklaruar se ka qenë një gabim dhe vlera i është kthyer në arkë kompanisë ndërtuese. Vërtetohet që kjo vlerë është depozituar në bankë nga llogaria po në atë kohë”, pohoi Mersini.
Prokurori Mersini u pyet gjatë seancës dëgjimore nga kryesuesja Etleda Çiftja për një autoveturë tip Benz që e ka blerë në vitin 2015, por që nga hetimi ka rezultuar se e kishte pasur në përdorim me të drejta të plota prej vitit 2008. Në këtë vit, një shtetas me banim në Itali i ka dhënë prokurorit Mersini prokurë të posaçme për përdorimin e këtij mjeti, pagimin e doganës dhe të ketë të drejtën për ta kaluar në pronësi. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka paguar doganën në vitin 2015.
Mersini pohoi se këtë automjet e kishte pasur në përdorim vetëm për dy ose tre muaj dhe se më pas ia kishte kthyer pronarit. Ai shpjegoi se personin që zotëronte këtë mjet e kishte njohur nga një mik i përbashkët që ishte njëkohësisht edhe koleg i tij, pasi punonte si oficer i policisë gjyqësore. Prokurori Mersini deklaroi gjatë seancës se në vitin 2008 kishte blerë një autoveturë tjetër që e kishte shitur në vitin 2015 dhe se kjo tregonte se ai e kishte përdorur mjetin tip Benz vetëm dy ose tre muaj.
Sipas Komisionit, Mersini nuk ka deklaruar dy kredi të marra nga fondi Besa në shumat 150 mijë dhe 200 mijë të marra në vitet 2002 dhe 2004.
Komisioni konstaton se në vitin 2016, gjendja e likujditeteve rezulton të jetë disa herë më e lartë nga ajo e deklaruar. Relatorja Qirko tha se rezulton një diferencë në shumën 2.5 milionë lekë më shumë nga ato që janë deklaruar.
Prokurori Mersini u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u evidentuan zvarritje të pajustifikuara për dy çështje të denoncuara nga publiku për të cilat është vendosur mosfillim. Mersini shpjegoi se dosjet merren disa ditë më vonë dhe se ka deleguar veprime hetimore. “Jam përpjekur të jem gjithmonë korrekt tha ai.
Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Mersini tha se ishte përpjekur të jepte përgjigje shteruese për çdo gjetje të Komisionit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK do të shpallë vendimin më datë 16 shtator, ora 10:00.
/Reporter.al/