Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima komentuar bojkotin e kampionatit nga klubet e Kategorisë Superiore, teksa deklaroi se mbledhja e fundit nuk ishte iniciuar nga FSHF, por nga drejtuesit e klubeve të Ligës Profesioniste.
“Nuk është e vërtetë që atë mbledhje të përfaqësuesve të klubeve të Ligës Profesioniste e ka inicuar FSHF. Nuk na ka mbledhur FSHF por ne e kemi ftuar të jetë prezente siç kemi ftuar edhe qeverinë. Kërkesat i kemi hartuar në Tiranë dhe jo në Minsk dhe vendimi për bojkotin është marrë në datën 5 gusht. Në Minsk ishte një takim i natyrshëm që të diskutonim ecurinë e këtij aksioni që është vendosur javë të shkuara”, – tha Kokëdhima i fuar në studion e emisionit “Procesi Sportiv”.
Ai theksoi se futbolli në vend shihet si një mundësi që politikanët e çdo lloj rangu të bëjnë politikë dhe tregon se tryeza e iniciuar nga qeveria vitin e kaluar ka qenë thjesht propagandë përpara zgjedhjeve.
“Futbolli është parë si një mundësi trafikimi, si një mundësi që bëjnë politikë edhe politikanët e mëdhenj, edhe politikanët e provincave. Ne kemi formuluar katër kërkesa elementare. E dëgjuat Kryeministrin në marsin e vitit të kaluar? Ka thënë që TVSH ta bëjmë 6%? Në të vërtetë edhe pse deklaroi se do ta bëjmë për 100 ditë, nuk e bënë kurrë. Nuk ka lidhje me pandeminë, ka lidhje me vullnetin, ka lidhje me faktin këta bëjnë vetëm mashtrime, vetëm gënjeshtra, asgjë reale. Ai e inicioi atë tavolinë për propagandë, tre muaj përpara zgjedhjeve. Unë i kam deklaruar edhe presidentëve të futbollit edhe të FSHF që atëherë që e organizuar tryezën se asnjë masë reale nuk do merret”, – u shpreh Kokëdhima.
Ndërkaq, ai shpjegon më tej për opinionin publik edhe kërkesat që klubet i kanë parashtruar qeverisë, të cilat i konsideron si elementare.
“Janë kërkesa elementare që vënë në sprovë vullnetin e një qeverie. Ne i kërkojmë qeverisë: 1. Ndryshime në ligjin për sponsorizimet, zbritje nga tatim fitimi. Ligji për sponsorizimin në çdo vend të kontinentin ka dy aspekte por unë po qëndroj vetëm të njëri aspekt: Sponsorizimi i klubeve dhe projekteve në futboll bëhet nga tatim fitimi. Hungaria e ka ligjin 80% e tatim fitimit. Nga tatim fitimi, ky buxhet është buxhet që mund të lëvrohet në tregun e futbollit që mund të përdoret për infrastrukturë, që mund të përdoret për fusha, që mund të përdoret për palestra, për projekte të tjera, për akademitë, për profesorët që marrin moshat. Qeveria i ka braktisur përgjegjësitë e veta. Tani i thonë Redi Jupit, paguaj ti zotëri që të edukohen fëmijët e Tiranës, i thonë Alban Bushit, paguaj ti që të bësh edhe fushat, edhe ndriçimin, edhe impiantet, bëj gjithçka, vendos dhe trajnerë, bëji ti të gjitha se qeveria nuk ka lekë për ju. 700 mijë euro ka qeveria e Shqipërisë për sportet. Kanë braktisur çdo gjë. Kur bëhet fjalë për futboll, bëhet fjalë për edukimin e gjeneratave të tëra. Sidomos sa peshë ka tani edukimi kur sistemet e edukimit në Shqipëri janë shpartalluar të gjitha për këto politika. Për 1800 banorë, ka shumë vende në Europë që kanë një fushë futbolli, po sa fusha futbolli ka Shqipëria? Për 100.000 banorë, ka 1 fushë futbolli, – vijoi Kokëdhima. – 6% TVSH- 6 % TVSH thotë ai e kam bërë dhe për sektorë të tjerë që kanë rëndësi. Turizmi ose bujqësia. A do bëhet kampionati i Superiores? 5 klube të superiores janë të mbytura sot, nuk mund të bëjnë kampionat. Vetëm nën qeverisjen e këtij zotërisë, sepse ky thotë unë po mbyll sytë se nuk dua të shoh se çfarë jeni ju. Këto janë klube që nuk paguajnë taksa, detyrime, tatime, sigurime e shtetit dhe do vijnë të konkurojnë me këto 5 klubet e tjera. Po me çfarë do konkurojnë këta? Çfarë konkurence është kjo? Çfarë gare, çfarë barazie loje është kjo? Nuk është. Dhe ne i themi që të falë gjobat dhe kamatvonesat, jo detyrimet tatimore, sepse këta të tjerët që kanë paguar nuk i ka bërë lopa. Këta kanë paguar dhe duhet të ndihen të respektuar. Dhe ne nuk themi që këta të tjerët të mos paguajnë, por t’i heqin gjobat dhe kamatvonesat dhe skedulohen borxhet dhe vëri me transparencë të plotë të paguajnë paratë një për një ose skualifikoji.”
Në fund, presidenti i Apolonisë theksoi se kampionati nuk do të shtyhet me një javë por kanë vendosur të mos përfshihen në kampionat derisa kjo histori të marrë fund. Ai thekson se jo vetëm klubi që ai drejton dhe futbollistët e klubit të tij por të gjitha klubet e Superligës do të dalin në protestë përpara kryeministrisë.
“Ne nuk kemi vendosur që të shtyjmë fillimin e kampionatit një javë, por ne faktikisht kemi vendosur që nuk do të përfshihemi në kampionatin e superiores gjatë këtij sezoni. Nuk do ta fillojmë fare, kjo është një vuajtje e pafundme. Kjo është një histori mashtrimesh të pafundme. Kjo histori do të marrë fund një ditë. Palët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, të gjitha palët. Kemi vendosur që të dalim edhe në rrugë dhe do dalim t’i nxjerrim gjithë futbollistët me uniforma t’i bëjnë ndeshjet përpara kryeministrisë, do t’i bëjmë lajm botëror. Do t’i tregojmë tërë dynjasë të vërtetat e këtij pushteti që nuk dëgjon, që ndihet pronar, këta e kujtojnë buxhetin pronë të tyre personale. Shqipërinë e kanë pronë personale”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i Apolonisë.