Nga Gjergji Koja
Një ditë më parë Kryetari i PS-së, njëherazi edhe Kryeministër, Edi Rama, shpalli drejtuesit politikë në qarqe për fushatën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në prill ose në maj.
Ekipi drejtues që do të synojë mandatin e 3-të qeverisës me shumë pak ndryshime është ai i vitit 2013, kohë kur Edi Rama mori mandatin e parë.
Çuditërisht, Rama nuk ia besoi drejtimin politik të qarqeve asnjë prej ministrave të tij, që u mundua t´i promovojë për muaj me radhë si prurje të reja, por as disa prej socialistëve të vjetër, të cilët duket se i ka përfshirë në “grupin armiqësor” të radhës në PS.
Dhe ndoshta këto janë mesazhet e para që Rama përcolli nga Elbasani. Praktikisht duke mos emëruar ministrat si drejtues qarqesh, me përjashtim të Olta Xhaçkës apo Bled Çuçit, Rama ka rrëzuar politikisht qeverinë.
Ai nuk i besoi Sandër Lleshajt, ministrit të Brendshëm, as Belinda Ballukut, ministres së Energjitikës dhe Transporteve, as Ogerta Manastirliut, ministres së Shëndetësisë apo Arben Ahmetajt, ministrit të Rindërtimit. Nuk i besoi as emrave të kuoptuar si ministra, që siç duket kishte si qëllim që nga teknicienë apo pjesëtarë të shoqërisë civile t´i shndërronte në politikanë. Rama riktheu grupin e 8 viteve më parë me Ilir Beqajn, Niko Peleshin, Damian Gjiknurin, Gramoz Ruçin, Lindita Nikollën, ndërsa mungon vetëm Saimit Tahiri, pengesa për angazhimin e të cilit është pikërisht procesi gjyqësor dhe akuzat penale të ngritura nga Prokuroria.
Tiranën ia ka besuar ish-mjaftistit 99-ç, Erion Veliajt, i cili do të mbështetet te Elisa Spiropali, një ish-aktiviste e Mjaft , por edhe nga Ervin Bushati, i njohur si një nga mbështetësit e Lali Erit në përplasjet e tij me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kryeqytetin nuk ia besoi Pandeli Majkos, Mimi Kodhelit, Fatmir Xhafajt, Ditmir Bushatit e shumë e shumë emrave të tjerë brenda PS, që mund të karikonin shumë më mirë se Veliaj apo Spiropali, socialistët jo Rilindas, jo 99 apo Mjaftistë.
Durrësin, Edi Rama, ka vendosur t´a drejtojë vetë dhe ndoshta këtu ka bërë zgjedhjen e duhur. Asnjë tjetër përveç tij nuk mund të zëvendësonte në lartësinë e duhur Vangjush Dakon, me duart si akullore, dhe me një problem të vogël, pasjen e emrit në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Rama ka vendosur që të qëndrojë në ballë të qarkut më të dëmtuar nga tërmeti, ndërsa në prapavijë, ndoshta për herë të parë në 3-4 fushatat e fundit parlamentare dhe lokale, do të qëndrojë Dako dhe pas tij ka plot “ushtarë e kapterë” të kapur ose jo në përgjimet e 339.
Në dallim nga kryeqendra, në Fier, Rama zgjodhi Gramoz Ruçin, që pavarësisht moshës dhe viteve në politikë që nisin që nga koha e PPSH-së, nuk pati fatin e shumë prej shokëve të tij, sikundër i pëlqejnë të quajnë njëri-tjetrin në radhët e socialistëve, që ose i kanë dhënë fund karrierës politike, ose kanë mbetur në pozicione periferike.
Elbasanin ia besoi sërisht Taulant Ballës, i cili ka sërisht shansin të mbështet deri diku te Qazim Sejdini, edhe pse ky i fundit duket se ka kaluar në një pension politik.
Korça iu besua Niko Peleshit, i konsideruar si një makineri votash, edhe pse prej gati 4 vitesh u flak nga Rama si një limon i shtrydhur bashkë me Lindita Nikollën, që do të drejtojë Lezhën.
Si Peleshi edhe Nikolla kanë mbajtur poste ministrore në mandatin e parë të Ramës si kryeministër, por duket se në sytë e Kryeministrit janë shumë më të vlefshëm se të gjithë ministrat që sot ka në kabinet.
Shkodrën ia ka besuar Ilir Beqajt, ku do t´i duhet të koordinohet ndoshta me Tom Doshin, që drejton PSD, por që mandatin e deputetit e vendosi në dispozicion të Ramës, madje i bindur edhe më shumë se Ditmir Bushati, që dikur drejtonte këtë qark për socialistët.
Vlorën dhe Gjirokastrën ia besoi Damian Gjiknurit dhe Bled Çuçit, të dy ish-ministra në qeverinë e parë Rama, por që i dyti vijon të mbajë një post ministror. Gjiknuri, prej kohësh i angazhuar në Vlorën e “tradhëtuar” nga Rama, ndoshta do t´i duhet të mendojë një skemë të re se si mund të realizojë “tërmetin” e rradhës në zgjedhje, pas asaj që drejtoi në Dibër. Do t´i duhet të mbushë edhe boshllëkun e krijuar nga Rama dhe Kryebashkiaku Leli, i cili prej kohësh mban formalisht postin, dhe ndoshta këtu nuk do t´i hyjnë në punë as “djemtë” problematikë.
Olta Xhaçka, e vetmja ministre e vlerësuar nga Rama në qeverinë aktuale, do të drejtojë fushatën në Dibër, ku me siguri zgjedhjet do të jenë në lupën e vëzhguesve, pasi vështirë që mund të harrohet dosja 184. Nuk dihet nëse Xhaçka do të parapëlqejë të bashkëpunojë me personazhet e kësaj dosjeje, të kapur në përgjime, apo do të preferojë një tjetër skemë.
Gjithsesi me një mal akuzash politike në kurriz për abuzime me fondet dhe tenderat, Xhaçka mund të ndjehet e kënaqur përsa kohë shumë prej kolegëve të saj ministra as e kanë emrin në defterin e Kryeministrit.
Pra Rama zbriti në fushë formacionin, më i miri prej të cilëve në aspektin e akuzave duket Bled Cuçi, por që asnjëherë nuk është konsideruar as si drejtues politikë me peshë dhe aq më shumë makineri votash. Ndoshta në krahasim me ministrat aktualë, ato të dikurshmit, edhe për shkak të kalimit të kohës dhe memories së shkurtër mund të trajtohen si me më pak mëkate, edhe pse secili prej tyre mund të bëhet subjekt i veprimtarisë së BKH dhe SPAK.