Nga BoldNews.al
Avokati i Karafil Bregut, përgjegjësit të Bashkisë së Beratit që u arrestua pas vdekjes së një punonjësi, i cili u rrëzua duke punuar për prerjen e një peme tre ditë më parë, ka zbuluar disa të dhëna, të cilat ngrenë dyshime për veprimet e Policisë dhe organeve të drejtësisë.
Karafil Bregu nuk ka qenë në punë as në ditën e ngjarjes dhe as dy ditë më parë, pasi ai ka pasur shenjat e prekjes nga Covid-19 dhe i është rekomanduar të qëndrojë në shtëpi.
Po ashtu, ditën e ngjarjes, Bregu është paraqitur në punë vetëm 30 minuta, ku ka njoftuar eprorët se i ishte kërkuar nga mjekët që të kryente tamponin për të vlerësuar nëse ishte i prekur nga Covid-19.
Por, këto rrethana duket se nuk e kanë bindur Policinë e Beratit, e cila ka kryer arrestimin e tij në flagrancë, pasi punëtori Shkëlqim Metkaj u rrëzua nga një pemë ku po punonte dhe për pasojë humbi jetën.
Thirrja dhe më pas arrestimi i Karafil Bregut, i cili ka shenjat e dukshme të pacientëve të prekur me Covid-19, ishte një rrezik jo vetëm për shëndetin e zyrtarit të Bashkisë, por edhe të personave të tjerë, përfshirë punonjësit e Policisë që e kanë marrë në pyetje apo të tjerë qytetarë që mund të kenë pasur kontakt me të gjatë qëndrimit në paraburgim.
Por, pavarësisht kësaj situate, Policia e Beratit është treguar pedante në mbajtjen në izolim të Bregut, duke ia përcjellë rastin prokurorisë së qytetit.
Gjyqtarja e Beratit. Klejda Capja, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” 30 ditë për zyrtarin Bregu, nën dyshimet se ka kryer veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, duke mbështetur në këtë mënyrë kërkesën e prokurorit Gentian Abazaj.
Në një prononcim për media pasditen e së Shtunës, mbrojtësi i Bregut ka deklaruar se klienti i tij nuk ka qenë në punë ditën e ngjarjes, madje edhe dy ditë më parë.
Sipas tij, Karafil Bregu kishte shenjat e Covid-19 dhe, një ditë para ngjarjes, kishte shkuar me urgjencë në spital, ku i kishin rekomanduar që të kryente analizat e specializuara për të zbuluar nëse ishte prekur nga virusi pandemik.
Ditën e ngjarjes, në mëngjes, ai ka shkuar në punë për të njoftuar se do të kryente tamponin dhe më pas është larguar për të ndjekur procedurat mjekësore.
Por, pasditën e së Enjtes ai është telefonuar nga Policia e Beratit, ku i kanë kërkuar që të paraqitet.
Megjithë situatën e vështirë shëndetësore, Karafil Bregu është prezantuar para oficerëve të Policisë, të cilët kanë kryer menjëherë arrestimin e tij, i dyshuar si përgjegjës për vdekjen e punëtorit Metkaj.
Avokati, duke paralajmëruar ankimin e vendimit të gjykatës për arrestimin e Karafil Bregut, deklaroi gjithashtu se policia dhe prokuroria jo vetëm që nuk kanë asnjë provë ndaj klientit të tij, por edhe se ngjarja tragjike ka ndodhur pasi kishte përfunduar orari zyrtar i punës.
Mbrojtësi ligjor ka paraqitur gjithashtu para gjykatës dokumenta zyrtarë të Spitalit Rajonal të Beratit, në bazë të të cilave konfirmohet se Karafil Bregu ka kryer tamponin, si një ndër personat e prekur me Covid-19.
Në dokumentat spitalorë, avokati ka paraqitur të gjithë skedën mjekësore, si edhe vërtetimin për kryerjen e analizës, të nënshkruar nga Shefi i shërbimeve të epidemiologjisë dhe drejtori i Spitalit të Beratit.
Provat e prezantuara nga avokati i Bregut, përfshirë faktin që nuk ka qenë në punë, si edhe procesin e tamponimit nën dyshime për Covid, nuk janë marrë në konsideratë nga gjyqtarja Capia, e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” 30-ditor.
Ndërkohë, Karafil Bregu është në pritje të përgjigjes së tamponit dhe, në rast se ai rezulton pozitiv, oficerët e Policisë, si edhe prokurori Abazaj e gjyqtarja Capia mund të konsiderohen përgjegjës të drejtëpërdrejtë të përkëqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.