Në Shqipëri mbetet i ndezur debati mbi çështjen e kufirit detar me Greqinë, pas deklaratave të javës së shkuar të kryeministrit grek Kiriakos Micotaqis, për vendimin e shtrirjes së kufirit detar të vendit të tij nga 6 deri në 12 milje. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se bisedimet me Greqinë për përcaktimin e kufijve detar janë ndërprerë që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së zotit Micotaqis, duke përsëritur se vendimi i Athinës nuk lidhet me ujërat territoriale të Shqipërisë. Por ish kryeministri Sali Berisha, qeveria e të cilit nënshkroi marrëveshjen në vitin 2009, të hedhur më pas poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, e konsideron veprimin e Greqisë të dëmshëm për interesat e vendit dhe “një ndryshim të rregullave të lojës, kur loja ka nisur”, duke ju referuar faktit se palët kanë rinisur tanimë një proces bisedimesh.
Në një sqarim të gjatë në faqen e tij në Facebook, kryeministri Rama theksoi se ai dhe kryeministri i Greqisë, nuk kanë folur ende në asnjë prej takimeve apo komunikimeve që kanë patur me njëri-tjetrin. “Qeveria jonë dhe qeveria greke nuk kanë biseduar asnjëherë dhe nuk kanë këmbyer asnjë opinion për këtë çështje, qyshse në krye të punëve në Greqi ka ardhur zoti Micotaqis. Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për të ashtuquajturin delimitim të ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, i kemi zhvilluar me qeverinë e mëparshme greke dhe marrëveshja nuk është arritur të mbyllet, pavarësisht progresit të konsiderueshëm nga pika zero ku jemi rinisur pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, të asaj marrëveshjes së nënshkruar jo nga unë, po nga ata që sot po e mbrojnë detin nga unë”, bëri të ditur zoti Rama, duke ju drejtuar në këtë mënyrë opozitës dhe drejtuesit të saj Lulzim Basha, i cili në vitin 2009 nënshkroi marrvëeshjen për kufijtë detar me Greinë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të asaj kohe.
Partia demokratike kërkoi dje nga qeveria që të jetë transparente lidhur me bisedimet me palën greke. Por zoti Rama edhe sot përsëriti se nuk ka asgjë të re për t’u bërë e ditur, përsa kohë procesi ka ngecur në vend. Për më tepër sipas tij “grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator. Këto ndryshime do të bëhen nëse do të rinisin negociatat dhe këto ndryshime nuk bëhen pa miratimin nga Presidenti të anëtarëve të rinj – jashtë grupit negociator askush, as kryeministri, nuk negocion dot asgjë dhe nuk shet e as blen dot asnjë litër ujë deti”. Kryeministri shpjegoi gjithashtu se “çfarëdo marrëveshje që arrihet në nivelin e grupit negociator, duhet të marrë miratimin e Presidentit, i cili ka thënë se marrëveshjen e mundshme do t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese. Dhe, marrëveshja që të marrë vlerë përfundimtare, shkon në parlament për të marrë vulën përfundimtare të Sovranit”.
Kryeministri Rama përsëriti se vendimi i Greqisë nuk prek ujërat e Shqipërisë. “E drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit dhe Greqia nuk ka kufij detarë vetëm me Shqipërinë, po edhe vende të tjera, kështu që kryeministri grek është në të drejtën e vet kur flet në parlamentin e tij, për detet e Greqisë. Ndërkohë, për sa i përket deteve tona, Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990 të drejtën e saj të shtrirjes në ato milje, në bazë të asaj konvente ndërkombëtarë të vitit 1982. Zgjerimi i bërë nga Shqipëria në marsin e 1990-ës është depozituar në Kombet e Bashkuara dhe as është kontestuar, as mund të kontestohet nga Greqia”, theksoi zoti Rama.
Por për ish kryeministrin Berisha, rezulton të jetë e kundërta. “Në aparencë, sipas Konventës së Montego Bay për Detin, Greqia në këtë rast aplikoi një të drejtë që neni 3 i ligjit ndërkombëtar të Detit i njeh çdo vendi. Por, në realitet, disa nene të tjera të kësaj konvente si neni 15 e të tjera, të cilat Greqia për zmadhimin e atdheut helen nuk i perfilli, rregullojnë e kufizojnë ushtrimin e kësaj të drejte. Ato përcaktojnë kushtet për zbatimin e nenit 3 të Ligjit, të cilat në rastin e kufirit detar me Shqipërinë nuk ekzistojnë”, shkruajti ai në një postim të gjatë në Facebook.
Sipas ish kryeministrit “me vendimin e saj për të kaluar nga 6 ne 12 milje, Greqia i ka lejuar vetes në raport me Shqipërinë të ndryshojë rregullat e lojës në mes të lojës, gjë të cilën në botën e qyteteruar nuk ka palë të interesuar por mendoj as dhe gjykatë të pavarur që mund ta pranojë”. Zoti Berisha thotë se me “zgjerimin nga 6 në 12 milje të kufirit detar nga Greqia, Shqipëria humbet vetëm në territor, pothuaj aq sa pushton det kalimi nga 6 në 12 milje. Për ata të cilët duan të dinë të vërtetën, Shqipëria e cila ta zëmë në një distance 18 km midis dy vendeve do të kishte të vetat 12 milje, tani do të ketë vetëm 9 milje dhe kjo humbje vazhdon gjer në distancën 12 milje. Në tërësi, po të kemi parasysh hapësirën e kufizuar të saj në detin Jon, Shqipëria humbet qindra e qindra km nga territori i saj aktual detar. Ky vendim – thekson më tej zoti Berisha – nuk ka asnjë implikim për zonat si Kanali i Korfuzit në vendet ku distanca është 12 milje e më pak. Kjo sepse në këtë rast, secili vend do marrë nga 6 milje ose barabarësisht më pak”./ VOA/