Nga BoldNews.al
Sondazhi i zhvilluar për rreth 3 javë në “Boldnews.al”, arriti një rekord votuesish prej më shumë se 250 mijë IP të personalizuara, çka do të thotë se rreth çerek milioni votues ju drejtuan faqes sonë për të shprehur preferencën e tyre.
Si fillim duam të falënderojmë çdo kandidatë që ishte i pranishëm dhe të gjithë lexuesit tanë të cilët edhe të nxitur nga kandidatët respektivë, harxhuan kohë nga koha e tyre për të na dhënë mundësinë e një analize të indikatorëve që do i rendisim më poshtë. Gjithashtu duam ta nisim këtë analizë me defektet e këtij sondazhi për të mos lejuar keqkuptime apo keq interpretime dashakeqe ose edhe dashamire.
Defektet e sondazhit
BN nuk zotëronte listën e plotë të kandidatëve të propozuar nga baza e Partisë Demokratike dhe u përpoqëm ta përqendrojmë listën tek më të propozuarit, apo te ata kandidatë që shfaqën dëshirën të shtojnë emrin e tyre në listë edhe pasi sondazhi kishte filluar. Sondazhi kishte një kampion prej 321 kandidatësh ku pjesën më të madhe e zinte kryesisht Tirana me 95 të tillë. Mospasja e listës së plotë sigurisht që nuk na jep një pamje më të plotë siç do kishim dashur ne ta kishim.
Së dyti, duke qenë një sondazh online, kandidatët mund të nxisnin edhe votues që nuk i përkasin kësaj force politike, duke u kërkuar të jepnin votën në mbështetje të tyre, çka në një farë mënyre tregon mbështetjen publike, por jo reale brenda subjektit politik.
Së treti, për shkak të një fluksi shumë të madh votuesish dhe lexuesish që hynin për të parë rezultatet pati edhe problem teknike.
Së katërti, tentativat për të votuar me programe robotike sillnin probleme teknike herë pas here dhe gjejmë rastin të falënderojmë ekipin tonë të IT, që ia doli ti mbylli çdo dritare kujtdo që tentoi të votonte nëpërmjet programeve robotike, si një tentativë për të deformuar rezultatin.
Së pesti, eksperienca jonë e vogël në drejtim të krijimit të një sondazhi kaq të madh me përfshirje në të gjithë Shqipërinë solli ndikimin e vet në manaxhimin e sondazhit ku herë pas here u shfaqën problemet që kemi listuar më sipër.
Sukseset e sondazhit
Së pari, numri rekord i pjesëmarrësve është një tregues se lexuesit besuan tek ne dhe kandidatët besuan në këtë sondazh duke i nxitur mbështetësit e tyre drejt një votimi me numër sa më të lartë. Numri rekord i klikimeve me një mesatare ditore rreth 100 mijë klikime të drejtuara vetëm te rubrika sondazh dhe nën rubrikat e saj. Të gjitha këto shifra i mbështesim te saktësia e “Google Analytics”.
Së dyti, nëpërmjet këtij votimi online na u dha mundësia që të hedhim një këndvështrim mbi disa pika që lexuesit tanë presin nga opozita në këtë rast. Këto janë pjesëmarrja e femra në lista raporti mes votave për ish-deputetë të PD ndër vite dhe atyre që janë të rinj në kuptimin që se kanë pasur asnjëherë mandatin e deputetit në posedim.
Analiza – Çfarë mësuam nga sondazhi
Vetëm 4 qarqe u votuan ish-deputet të kësaj partie dhe konkretisht në Tiranë, Fier, Elbasan dhe Korçë. Anipse edhe në këto qarqe, vendet e dyta sfidantët ishin shumë pranë kryesuesve.
Në 8 qarqet e tjera ata që udhëhoqën dhe luftuan mes tyre ishin njerëz të thjeshtë figura të ashtuquajtura dytësore ose tretësore në kupolën e PD. Kjo tregon që njerëzit janë të lodhur nga fytyrat e konsumuara të drejtuesve të opozitës qofshin këta në pushtet deri dje apo në opozitë këto 7 vitet e fundit.
Ne mendojmë se ky është mësimi kryesor që drejtuesit e opozitës duhet të marin nga sondazhi, sigurisht që ne sugjerojmë por vendimi u takon atyre. Nga shifrat e votimit ne vëmë re se qarqe si Dibra, Durrësi, Elbasani, Tirana, Lezha, Shkodra dhe Fieri kanë një angazhim shumë të lartë elektoral që do të thotë se në qarqet e tjera opozitës do ti duhet të ndezë motorët dhe ti angazhojë strukturat e saj për zgjedhjet e radhës.
Përvijimi gjinor i sondazhit
Femrat ishin 21% e listës prej 321 kandidatësh dhe kanë marrë në total mbi 13% të votave. Sigurisht një rezultat i ulët në shkallë kombëtare, por me specifikat e veta ku në disa qarqe janë drejt një barazimi mes pjesëmarrjes në lista dhe votave të mbledhura ndërsa në disa të tjera kanë marrë shumë pak vota duke treguar mjedisin maskilist shqiptar. Por kryeqyteti Tirana, kishte 29% femra në listë të cilat kanë marë 38% të votave, duke treguar edhe një herë se nëse janë kandidatët e duhur qofshin këta femra ose meshkuj janë në gjendje të jenë bindëse për elektoratin ose simpatinë e opinionit publik.
Ajo që ne si redaksi kuptojmë nga votimi i lexuesve tanë është që nëse vë kandidate femra që e meritojnë dhe jo për shkak të barazisë gjinore, ato mund të marin vota të cilat i duhen opozitës për të ardhur në pushtet.
Analizë qark pas Qarku
Shkodra
Shkodra ka 14 676 votues me IP unike dhe rreth 150 mijë klikime në rubrikën e saj. Me një listë prej 23 kandidatësh 7 prej të cilave femra ku me përqindje i bie 30% femra në listë të cilat kanë marrë 25% të votave.
Ramiz Çobo udhëheq solid qarkun e Shkodrës
Ajo që bie në sy në Shkodër është renditja e ish numrit 2 të Partisë Demokratike Jozefina Topalli, si e dyta e këtij sondazhi. Zonja Topalli e udhëhoqi garën në ditët e para të sondazhit duke krijuar një avantazh të qartë me ndjekësit e saj, por me futjen në listë të Ramiz Çobajt, balancat në këtë qark ndryshuan dhe për rreth 10 ditë pati një garë të fortë mes të dyve. Në fund lexuesit tanë nga Shkodra votuan në masë për zotin Ramiz Çobo me 3664 vota dhe 25% të totalit të votave i ndjekur nga zonja Topalli me 2774 vota ose 19% të votave.
Rreth 73% e votive në këtë qark janë dhënë për kandidatë të cilët nuk kanë qenë deputet dhe vetëm 27% për ish deputetët e këtij qarku. Pra është një verdikt i qartë në favor të gjakut të ri që duhet të përfshijë kjo parti në listat e saj të radhës për deputet.
Kukësi
Qarku Kukës ka 6156 votues ku katër të parët janë figura të reja publike të cilat reflektojnë votën e qytetarëve kuksianë. Lista udhëhiqet nga Zylfi Gashi, Aledin Spahiu dhe Ylber Zeneli. Gjatë dy javëve të para këta tre kandidatë i kanë ndërruar shpesh vendet me njëri tjetrin derisa më në fund pati një rezultat më solid, në fund në favor të zotit Zylfi Gashi. Raporti i fytyrave të reja me ish-përfaqësues të kësaj partie. Është rreth 69% i të rinjve përkundër 31% të ish zyrtarëve. Pjesëmarrje e femrave në listë dhe votat e mara janë në nivele minimaliste.
Qarku Lezhë
Në qarkun e Lezhës morën pjesë 26 252 votues. Edhe ky qark pati garë të fortë në kreun e tij dhe në fund të maratonës mbërriti i pari zoti Danjel Gjoka me (26%, ose 6,729 Vota). Ndjekësi i tij më i afërt me të cilin alternuan shpesh vendet ishte Gjovalin Laska me (25%, ose 6,579 Vota). Ajo që është trend i këtij sondazhi është edhe në Lezhë raporti mes ish përfaqësuesve dhe të propozuarve të rinj. Vetëm 17% kanë zgjedhur ish zyrtarët ndërkohë që rreth 83% e votave ka shkuar për fytyrat e reja njerëzit pa ofiqe në këtë parti.
Në qarkun e Lezhës elementi femëror i afrohet 15% të votave të totalit.
Qarku Dibër
Qarku Dibër ka 23283 votues me 17 kandidatë dhe me më të votuarin prej tyre zotin Luan Haka. Dibra ka një numër shumë të lartë votuesish dhe ka pasur një garë të fortë për shumë ditë me radhë kokë më kokë mes Luan Hakës dhe juristit Jordan Daci që duhet thënë që hyri javën e dytë të sondazhit si pjesë e listës së Dibrës. Në fund Luan Haka mori 7699 vota përkundrejt 6033 votave të Jordan Dacit. Sidoqoftë ajo që bie në sy është fakti që qarku Dibër ka votuar në masën 95% figura të reja të cilat nuk e kanë përfaqësuar ndonjëherë partinë demokratike në ekzekutiv ose legjislativ, përkundrejt 5% që kanë marë zyrtarët e kësaj partie. Gjithashtu edhe në këtë qark vihet re pjesëmarrje e ulët e votave për gjininë femërore.
Durrësi
Qarku Durrës pati 18 431 votues dhe një luftë të fortë për vendin e parë. Ardian Muka, Enri Çeno, Redi Varaku dhe Igli Cara. Këta 4 kandidatë udhëhoqën dhe ndërruan shpesh vendet me njëri tjetrin mund të thuhet se Durrësi ishte një nga qarqet më të balancuara. Në fund të maratonës triumfoi Ardian Muka me 4383 vota, Enri Çeno 3914 vota, Redi Varaku 3056 vota dhe Igli Cara 2485. Ajo që bie në sy edhe në rastin e Durrësit është fakti që 3 të parët janë qytetarë që se kanë përfaqësuar Partinë Demokratike në nivel ekzekutiv ose legjislativ. Më saktë, totali i listës tregon se 81% e votave kanë shkuar për të përfaqësuar të rinj dhe 19% për ish zyrtarë të kësaj partie. Ndoshta për dobësi të listës edhe këtu votimi i femrave është në nivele të ulëta të pallogaritshme.
Qarku Tiranë
Qarku Tiranë pati 96627 votues dhe një garë shumë të fortë thuajse në 20 kandidatët e parë. Që nga fillimi i sondazhit e mori kryesimin Grida Duma Duke pasur pas vetes Nënkryetarin e partisë demokratike Edi Palokën, Aktivistin Julian Deda dhe disa femra të tjera të forta në radhë si Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Oriola Pampuri. Në fund podiumi u mbyll me Grida Dumën me 8532 vota (kandidatja më e votuar në të gjithë Shqipërinë), Julian Deda me 8132 vota i dyti në Tiranë dhe i dyti më i votuar në Shqipëri, i treti nënkryetari i kësaj partie Edi Paloka.
Në Tiranë, ndryshe ndoshta nga sa pritej, u votuan figura të forta politike dhe publike, Grida Duma, Edi Paloka, Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Oriola Pampuri dhe figura publike si Julian Deda, Aurel Plasari, Flutura Açka, Robert Budina. Pati pak vend për kandidatët të cilët nuk kanë qënë prezentë në media në kontrast me pjesën tjetër të territorit, ku u votuan edhe kandidatë thuajse të panjohur për opinionin e gjerë publik. Sidoqoftë edhe këtu raporti i ish përfaqësuesve legjislativë dhe ekzekutiv përballë të rinjve ishte në një disavantazh më të ngushtë 44% me 56% në favor të të
Përfaqësimi gjinor
Tirana është i vetmi qark ku femrat në listë ishin në një përqindje më të ulët se numri i votave që ato morën. Femrat përfaqësonin 29 % të listës së Tiranës ndërkohë që morën më shumë se 38% të votavë në total për këtë qark.
Qarku Elbasan
Qarku i Elbasanit pati një numër total të votuesve prej 22,566 qytetarësh.
Ky qark u mbyll në kryesim nga një ish deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi me (28%, ose 6,354 Vota), pas tij u renditën Edmond Biçoku me (21%, 4,647 Vota), Eliona Gremi (18%, 4,050 Vota) dhe Endri Hasa (17%, 3,751 Vota).
Elbasani është një qark disi i balancuar mes ish zyrtarëve të PD dhe të rinjve në nivelet 46 me 54. Ndërsa vihet re një prezantim dinjitoz edhe i femrave në këtë qark.
Qarku Fier
Në qarkun Fier, numri total i votuesve kapi një shifër prej 21,337 votuesish. Që në ditët e para u konstatua një shkëputje mes pesë kandidatësh më të përzgjedhur duke ndërruar vendet mes tyre. Në fund me një diferencë të vogël votash në vendin e parë u rendit Enkelejd Alibeaj (25%, 5,231 Vota) në vendin e dytë Ardit Kërçuku (24%, 5,152 Vota), në vendin e tretë Erald Shulla (15%, 3,305 Vota) dhe më pas Indrit Sefa, Shkëlqim Krasniqi dhe të tjerë me diferencë të theksuar nga pesëshja e parë. Në Fier gjithastu vihet re që është votuar Enkelejd Alibeaj, ndërsa mungojnë në listën e preferencave deputetë që kanë përfaqësuar PD në këtë zonë. Vihet re mungesa e listët me kandidate femra, por që kjo vjen edhe si rezultat se anëtarësia e PD-së në fazën e parë të përzgjedhjes së kandidatëve të ardhshëm për deputetë nuk kanë propozuar shumë gra në listë. Interesi i votuesve gjithsesi ka qenë mjaft i lartë për këtë qark dhe mbetet një tregues i rëndësishëm i pjesëmarrjes qytetare për të votuar si të preferuar individët që më parë ishin propozuar nga anëtarësia e PD-së.
Qarku Berat
Në Qarkun Berat numri total i votuesve kapi shifrën 7,111. Arenc Berati (29%, 2,035 Vota), në vendin e dytë në sondash renditet Petrika Stasa (25%, 1,772 Vota), më pas Namir Lapardhaja (13%, 953 Vota), Denis Satçiu (12%, 830 Vota), Arben Dyli (8%, 601 Vota), Astrit Veliaj (4%, 319 Vota), Eno Bozdo (3%, 209 Vota) dhe Justin Zyka (2%, 133 Vota). Pojesa tjetër e kandidatëve edhe pse u votuan nuk e kaluan shifrën mbi 2%. Dukshëm edhe në këtë qark ka kandidatë që kapën treshën e parë duke u shkëputur nga pjesa tjetër. Ajo që bien ë sy është se votuesit kanë përzgjedhur emra të cilët më parë nuk kanë përfaqësuar PD-në Parlament, si deputetë të zgjedhur në këtë qark.
Qarku Gjirokastër
Në Qarkun Gjirokastër numri total i votuesve është 3,908 persona. Gara ka qenë mjaft e fortë në emra, por gjithsesi në krahasim me qarqet e tjerë numri i votuesve konsiderohet më i ulët. Pavarësisht kësaj, ata votues që morën pjesë ishin mëse të qartë. Në vendin e parë renditet Roland Bejko (63%, 2,442 Vota), në vendin e dytë Genc Ruli (10%, 384 Vota), më pas Tritan Shehu (5%, 198 Vota), Ylli Asllani (5%, 193 Vota), Arben Ristani (4%, 169 Vota), Ivi Kaso (4%, 143 Vota), Hatixhe Qëndro (2%, 96 Vota), Bardhyl Londo (2%, 66 Vota) dhe Niko Shupuli (2%, 62 Vota). Pjesa tjetër e kandidatëve nuk e kanë kaluar shifrën e 2% të votuesve. Ajo që vihet re është renditja e kandidatit të parë Roland Bejko me 63% të votave me një diferencë të theksuar me vendin e dytë që edhe ai është një emër domethënës në ish-strukturat drejtuese të qeverisë si Genc Ruli apo Tritan Shehu.
Qarku Vlorë
Në Qarkun Vlorë numri total i votuesve është 4,498 persona. Ata kanë përzgjedhur kandidatët e preferuar duke sjellë një tablo interesante, duke miksuar emra të papërfshirë më parë si deputetë, me individë të tjerë me reputacion në këtë zonë. Në vendin e parë u rendit Kreshnik Bozho (18%, 821 Vota), Ornela Kulla (17%, 772 Vota), Agron Shehaj (16%, 729 Vota), Jolio Dine (14%, 639 Vota), Skerdilaid Sulozeqi (11%, 484 Vota), Bujar Leskaj (7%, 302 Vota), Dashamir Tahiri (4%, 185 Vota), Nada Meçorapaj (3%, 157 Vota), Edmond Fetahu (2%, 85 Vota), Genci Deromema (2%, 71 Vota). Pjesa tjetër e kandidatëve kanë marrë vota, por në numër të ulët dhe nuk e kanë kaluar shifrën 2%. Ajo që konstatohet në këtë zonë nga sondazhi është gjithashtu një preferencë mikse, duke sjellë figura të përfshira më parë në politikë, si rishtar në mandatin e fundit, ashtu edhe emra të tjerë të rinj. Po ashtu edhe përfaqësimi gjinor është interesant duke listuar tre femra përkrah kandidatëve të tjerë meshkuj.
Qarku Korçë
Në Qarkun Korçë numri total i votuesve është: 6,885 persona. Në vendin e parë si përzgjedhje e qytetarëve është Ervin Salianji (26%, 1,790 Vota), Alban Haxhi (14%, 967 Vota), Ledina Alolli (11%, 748 Vota), Eduard Kapri (7%, 514 Vota), Andrea Mano (7%, 502 Vota), Ridvan Bode (6%, 445 Vota), Edmond Spaho (6%, 414 Vota), Erald Kapri (5%, 367 Vota) dhe Klevis Balliu (5%, 363 Vota). Ajo që vihet re në këtë qark është distanca mes vendit të parë dhe pjesës tjetër, ndonëse rivaliteti duket i madh, në përafërsi mes vendit të tretë dhe më pashtë listës. Kandidatët e preferuar janë një miksim mes atyre që kanë qenë aktiv si deputetë, por edhe personazhe të tjerë të cilët kanë mbajtur poste drejtuese më përpara. Aktivizimi në jetën publike dhe politike duket se ka qenë arsyeja që votuesit kanë pasur një tendencë të dukshme që të votojnë Salianjin si më të preferuarin dhe më pas pjesa tjetër.