Kur ish-nënpresidenti Joe Biden të pranojë emërimin në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate të enjten, nuk do të ketë turma që brohorasin. Atij mund t’i duhet gjithashtu të mbajë distancën e duhur fizike nga kandidatja për nënpresidente, Kamala Harris.
Edhe Presidenti Donald Trump nuk do të flasë në një sallë mbushur me mbështetësit e tij, në Kuvendin e Partisë Republikane javën e ardhshme. Ka mundësi që ai ta mbajë fjalimin në Shtëpinë e Bardhë.
Të dyja partitë arritën në përfundimin se nuk është ide e mirë të grumbullosh në një vend mijëra vetë që brohorasin, në një kohë pandemie globale që prek rrugët e frymëmarrjes. Fjalimet, festat dhe aktivitetet për mbledhje fondesh, po bëhen të gjitha virtualisht.
Nga sonte, demokratët po mbajnë katër netë fjalime televizive dhe aktivitete nga distanca, pasi hoqën dorë nga Kuvendi i parashikuar për të në qytetin Milluoki të shtetit Uiskonsin.
Të hënën e ardhshme më 24 gusht, disa qindra zyrtarë dhe delegatë republikanë do të mblidhen për pak kohë në Sharlotë të Karolinës së Veriut, sa për të emëruar zyrtarisht presidentin Trump si kandidat për rizgjedhje dhe pastaj do të largohen.
Ndryshimi në ngjarjet më të mëdha të politikës amerikane, është vetëm simptoma e fundit në një sezon politik të shndërruar plotësisht nga pandemia. Tubimet e mëdha janë anuluar, ashtu si edhe aktivitetet e tjera zgjedhore, ku kandidatët zakonisht takonin elektoratin.
Shpresa është që sezoni zgjedhor i vitit 2020 të mos përsëritet më, megjithatë disa nga mësimet e nxjerra mund të shërbejnë në të ardhmen.
Për shembull, kuvendet si aktivitete masive mund “t’i mbeten së kaluarës”, thotë studiuesja e Institutit “American Enterprise”, Karlyn Bowman.
“Ka nga ata që kanë argumentuar se kuvendet janë të mbivlerësuara, që nuk kanë ndonjë rëndësi aq të madhe. Ka nga ata që thonë se tubimet me njerëz nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Këtë vit do të shohim se sa të vërteta janë këto”, thotë John Hudak i Institutit Brookings.
Më poshtë janë shtatë ndryshime që ka sjellë COVID-19 për zgjedhjet e 2020-ës deri tani.
- Çështja kryesore
Për shumë votues, COVID-19 ka ndryshuar çështjen kryesore të zgjedhjeve.
Fushata e zotit Trump për rizgjedhje nisi në fillim të vitit nga një pozitë e favorshme. Papunësia ishte e ulët dhe ekonomia e fortë.
“Ai mund të përdorte si argument, shifrat pozitive ekonomike dhe paqen dhe mirëqenien”, thotë për Zërin e Amerikës, Kyle Kondik, analist në Qendrën për Politikë të Universitetit të Virxhinias.
“COVID-19 e ndryshoi këtë”, shton ai.
Papunësia është rritur në nivelet e Depresionit të Madh dhe ekonomia është tkurrur ndjeshëm. Me mbi 5.4 milionë raste me koronavirus dhe mbi 170 mijë vdekje në Shtetet e Bashkuara, shumica e votuesve nuk e miraton menaxhimin e pandemisë nga presidenti Trump. Në mungesë të gjendjen së mirë ekonomike, kritikët thonë se presidenti e ka pasur të vështirë të artikulojë një argument për rizgjedhje.
- Kuvende të minimizuara
Kuvendet e partive janë reduktuar në mënyrë dramatike, por ekspertët thonë se kjo mund të mos ketë edhe aq shumë ndikim.
Kuvendet zakonisht ia shtojnë disi mbështetjen kandidatëve, por zonja Bowman thotë se kjo rritje është shpesh e përkohëshme.
“Nuk besoj se ka shumë ndikim tek rezultati përfundimtar”, shtoi ajo.
Këtë vit, ky ndikim mund të jetë edhe më i vogël pasi shumë votues e kanë vendosur se për kë do të votojnë, thotë analisti Kondik.
“Të gjithë ata që mbështesin njërën parti ose tjetrën, janë pozicionuar me kandidatët e tyre”, thotë ai.
Por efekti për vetë partitë mund të jetë më i madh. Kuvendet shërbejnë për të mbledhur fonde. Dhe aktivistëve të partive do t’u mungojnë “bisedat me njëri-tjetrin” për objektivat dhe strategjitë që do të ishin në gjendje t’i bënin kur të takoheshin personalisht, thotë zoti Hudak.
- Anulimi i takimeve të fushatave
Ashtu si kuvendet, edhe tubimet e mëdha të fushatës, mund të jenë më efektive për të tërhequr votuesit e pavendosur.
“Fushatave do t’u duhet të gjejnë mënyra të tjera për të ngjallur entuziazëm”, thotë zoti Hudak për Zërin e Amerikës.
Mungesa e këtyre tubimeve, mund të dëmtojë më zhumë zotin Trump, sesa zotin Biden, shton ai, pasi ai fiton energji prej tyre.
“Mendoj se mungesa e tyre dëmton aftësinë e tij për të ngjallur entusiazëm tek baza. Mendoj se ai vetë personalisht e ndjen këtë mungesë”, thotë ai.
Fushata e zotit Biden mund ta ndjejë më pak mungesën e tubimeve, por më shumë atë të kontakteve njerëzore, shtrëngimin e duarve.
“Mendoj se ndonjëherë Joe Biden është akuzuar se e tepron në komunikimet me njerëzit, por ai njihet edhe si natyrë e ngrohtë që afrohet me njerëzit. Sot nuk e bën dot një gjë të tillë”, thotë zoti Kondik.
- Grumbullimi i fondeve në distancë
Koronavirusi jo vetëm që ka eliminuar pjesëmarrjen fizikisht në fushata, por e ka zhvendosur grumbullimin e fondeve online.
Por nuk duket se kjo ka sjellë shumë pasoja negative.
“Kam parë shumë pak ndikim tek grumbullimi i fondeve”, thotë zonja Bowman.
Duket se asnjëra nga palët nuk po vuan për fonde. Sipas një përllogaritjeje të radios publike, NPR, kandidatët dhe mbështetësit e tyre kanë grumbulluar deri tani mbi 1.6 miliardë dollarë.
- Mobilizimi i votuesve
Në kushte normale, vullnetarët dhe punjësit e fushatave tani do të ishin shpërndarë në gjithë vendin, duke trokitur derë më derë për të mobilizuar zgjedhësit të votonin. Këto aktivitete janë minimizuar së tepërmi. Për shembull, shumë sindikata që normalisht dërgojnë një numër të madh punonjësish për të mbështetur fushatat e demokratëve, kanë anuluar daljen në terren për këtë qëllim.
Megjithëse të dyja partitë po mbështeten kryesisht tek televizioni, posta dhe reklamat, fushata e zotit Trump, po e përdor fushatën derë më derë. Republikanët në përgjithësi kanë treguar më pak shqetësim për pandeminë.
Fushata derë më derë ka një efekt të vogël por të rëndësishëm në pjesëmarrje, thotë analisti Kondik dhe “ndonjëherë është një epërsi e vogël që përcakton se kush i fiton zgjedhjet”.
- Regjistrimi i votuesve
Edhe fushatat për regjistrimin e votuesve, janë ndalur thuajse plotësisht. Një studim në 12 shtete dhe në kryeqytetin Uashington vënë në dukje se shumica e njerëzve regjistrohen në zyrat e marrjes së patentave dhe dokumentave të identifikimit, shumë prej të cilave kanë qenë të mbyllura nga pandemia.
Regjistrimi person për person, në panaire, nëpër pika të ngritura për këtë qëllim nëpër rrugë dhe vende të tjera publike, është reduktuar ndjeshëm.
Ky lloj regjistrimi “ka ndikim jo vetëm tek numri i votuesve, por edhe tek cilët janë ata që votojnë. Kështu që reduktimi i tyre, mund të ketë efekt të konsiderueshëm”, thotë zoti Hudak.
Ky efekt ndjehet nga të dyja partitë, kështuqë është e vështirë të llogaritet se cili është ndikimi përfundimtar.
- Votimi me postë
Shumë shtete e kanë mbështetur votimin me postë, si një alternativë më të sigurt ndaj shkuarjes në qendrat e votimit. Presidenti Trump ka thënë vazhdimisht dhe pa prova se kjo do të çonte në çrregullime të gjera.
Si rezultat, votuesit republikanë janë shumë më hezitues për votimin me postë.
Me një shifër të pashembullt votash me postë në këtë cikël zgjedhjesh “efektet mund të ndjehen jo vetëm nga presidenti por edhe republikanë të tjerë”, tha zoti Hudak.
Mund të shkaktojë gjithashut konfuzion në Ditën e Zgjedhjeve.
“Nëse shumë republikanë votojnë në Ditën e Zgjedhjeve dhe ato vota numërohen të parat, mund të krijohet përshtypja se Donald Trump-i po kryeson në një shtet, kur në fakt në fund, ai edhe mund të humbasë”, thotë analisti Kondik.
Përllogaritja totale mund të dojë ditë, ndoshta edhe javë të tëra, kohë gjatë së cilës, zoti Kondik druhet se mund të ketë një shpërthim teorish konspiracioni.
“Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë t’u komunikojmë votuesve që ka gjasa që të mos ta dimë rezultatin e zgjedhjeve që atë natë, siç jemi mësuar. Dhe se nuk ka asnjë qëllim të keq prapa kësaj”, tha ai./VOA