Kërkimi shkencor dhe inovacioni në bisht të kalldrëmit

Nga Ilir Kalemaj

Një nga studimet e OECD-së, vlerësonte që arsimimi ka një impat më të madh sesa thjesht ai i të gjeneruarit të të ardhurave apo mundësive të punësimit pas shkollës apo universitetit. Ndaj është edhe një nga kriteret që përfshihen në shumë indekse ndërkombëtare zhvillimi apo mirëqënënie si ai i HDI (Indeksi i Zhvillimit Njerëzor).

Në studimin që përfshinte mbi 80 vende, të rriturit me më pak arsimim raportonin problem më të shumta shëndetësore, kishin më pak besim te njerëzit e tjerë dhe e perceptonin veten rëndom si objekte (jo aktorë) në proceset politike. Studimi konkludonte duke u shprehur se në vendet që dështojnë t’i pajisin qytetarët e tyre me aftësitë e duhura, progresi teknologjik nuk përkthehet në rritje ekonomike dhe një pjesë e mirë e popullatës margjinalizohet.

Nga ana tjetër, inovacioni është sot një motor i zhvillimit ekonomik, vençarisht në vendet e Europës Perëndimore, Amerikës së Veriut, Japonisë por edhe vendeve që pavarësisht vonesave historike apo madhësisë së kufizuar (në territor dhe numër banorësh) si Singapori, Izraeli, Irlanda apo Estonia, kanë arritur të kapërcejnë dekada dhe të pozicionohen ndër vendet liderë në këtë drejtim. Siç kanë demonstruar studime të panumërta, inovacioni nuk mund të zhvillohet në eter, pra nga individë që punojnë të izoluar, por është gjithnjë produkt i punës në grup dhe lind nga bashkëpunimet profesionale kombëtare apo ndërkombëtare.

Bota shumë-kulturore dhe me kufij të hapur përsa i përket ndarjes së informacionit në shkencë dhe teknologji, të lejon, nëse ekziston infrastruktura e duhur mbështetëse që të marrësh frytet e investimit të sotëm në kohë reale, nëse ekziston vullneti i duhur, njërëzit e mençur në drejtim, akademikët dhe profesionistët e zotë që lejohen dhe mbështeten në punën e tyre krijuese dhe menaxheriale dhe ku politikat shërbejnë për të nxitur dhe jo për të mbështetur interesa klienteliste dhe parokiale.

Të rinjtë sot e kanë imperative të zhvillojnë qoftë aftësitë bazë të zanatit apo profesionit që zgjedhin, qoftë aftësi të përgjithshme që janë sine qua non për t`u përshtatur në një botë gjithnjë e më fluide, që kërkon maksimizim të fleksibilitetit individual për t’iu përshtatur, aftësi që kanë të bëjnë me punën në grup, komunikimin dhe aftësitë negociuese që shkolla ka për të detyrë jo vetëm t’i përfshijë si pjesë qëndore të filozofisë së saj edukuese, por ti kthejë në detyra të dorës së parë për t’ua lehtësuar nxënësve dhe studentëve të sotëm tranzicionin drejt profesionistëve të së nesërmes.

Nëse marrim vetëm një prej elementëve që kanë të bëjnë me investimin për të nesërmen dhe vizionin që duhet të ketë një qeveri në shekullin e 21-të ku gara bëhet nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit që bëhen dyfish më të domosdoshme për komb-shtete të vogla si ky i yni, mund të themi që jemi ende mjaft larg si në vizion, ashtu dhe në aplikim. Për shembull, buxheti 2019 parashikonte rreth 2 milionë euro per kerkimin shkencor ne universitete, ose as 0.2 përqind të PBB-së, nderkohë që pagat e pedagogëve dhe kërkuesve shkencore nuk janë rritur për të shtatin vit radhazi. Kjo tregon më së paku mosvëmendje ndaj një fushe që është jetike për të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë dhe zhvillimit afatgjatë të vendit.

LEXO EDHE  Zbardhet lista e kandidatëve të PD-së për deputetë në Kukës/ Nesër votimi

Niveli i mbështetjes për kërkimin shkencor në Shqipëri është i një niveli të papërfillshëm dhe shumë larg standarteve europiane, duke qenë në shifra absolute sa 0.1 përqind e PBB-së. E krahasuar kjo me atë britanik që zë 1.7 përqind të PBB-së apo të Koresë së Jugut që është e barabartë me 4 përqind të PBB-së apo me të shtetit të Katarit që shpenzon sa 12 përqind e shpenzimeve buxhetore apo 13 miliardë dollarë (përafërsisht sa krejt vlera e ekonomisë shqiptare), atëherë krahasimi bëhet edhe më i plotë.

Pra e krahasuar me të paktën tre rajone të ndryshme gjeografike që shtrihen nga Europa në Azinë e Largët apo vendet e Gjirit, Shqipëria shpenzon në mënyrë të papërfillshme për kërkimin shkencor, si dhe për inovacionin dhe teknologjinë. Gjithashtu mungojnë burimet e duhura dhe mbështetja shtetërore për të mbështetur teknikisht dhe financiarisht projektet e Universiteteve dhe qëndrave kërkimore-shkencore në vend që të kthehen në konkurruese për projektet e Horizon 2020-ës.

Sot, shënojmë disa hapa mbrapa në këtë drejtim, ku kësaj ministrie jo vetëm i është ndryshuar profili dhe inovacioni nuk figuron nën asnjë ministri dhe kjo duket edhe nga rënia pikiatë në renditjet ndërkombëtare kur vjen puna te inovacioni, ndërsa teknologjia nuk ekziston më as si akronim dhe as si prioritet. Mjaft të përmendim këtu raportin e fundit të The Global Creativity Index të 2015-ës që i rankon vendet sipas teknologjisë, talentit, tolerancës, kreativiteti, konkueshmërisë dhe prosperitetit ku Shqipëria zë“krenarisht”një ndër vendet e fundit ndër 131 vende të listuara, në grup me vende si Moldavia, Kenia dhe Jemeni, ndërkohë që edhe Bosnia-Herzegovina dhe Maqedonia janë një kategori më lart, ndërsa Sllovenia është në të 16-tin.

Masa të tjera që duhen marrë sa më shpejt në kuadër të reformimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, duhet të përfshijnë inter alia forcimin e kontrollit të cilësisë, akreditimin dhe rankimin e besueshëm, rritjen e autonomisë reale për Universitetet shoqëruar me fonde adekuate, ndryshe autonomia mbetet në letër, mbështetjen e degëve që janë prioritet të ekonomisë kombëtare dhe rrisin shkallën e avantazheve krahasimore të vendit në rajon e më gjerë, rritja e konkurrencës bazuar në cilësi, depolitizimi i sistemit arsimor, riaktivizimin e programeve reformatore si ai i Fondit të Ekselencës dhe ai i Brain Gain për rikthimin e trurit dhe punësimin e tij në vend, mbështetje të vazhdueshme dhe cilësore për arsimin në diasporë dhe arsimimin dhe edukimin në vazhdim të fëmijvë të prindërve të kthyer nga emigrimi, si dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të këtyre të fundit etj.