Edi Rama dhe Mark Marku/ Sprovë e “dështuar” për të shpjeguar politikisht një Kryeministër

Nga Erl Kodra

Në përpjekjen time për të shpjeguar Edi Ramën, kam hasur në disa vështirësi kuptimore të një natyre të veçantë. Problemi qëndronte në faktin se këndështrimi politik nuk i jepte analizës ndonjë kuptim të arsyeshëm. Diçka nuk shkonte në qasjen time; domethënë, ose unë nuk isha në gjendje të kuptoj origjinalitetin e tij, ose vet Edi Rama ishte një subjekt i pashpjegueshëm me ideologji politike ose shembuj historik. Rreth një vit më parë, ndërsa po ndiqja një debat të Kryeministrit në një studio televizive, për një moment ai ndaloi duke iu kthyer audiencës:

“Marku! Mark Marku më thotë mua! Ah, Mark Marku! E kush na qenka Mark Marku?!”

Ai i mëshonte herë emrit, herë mbiemrit me një ton të çuditshëm përbuzës, sidomos faktit se zotëria e ka emrin të tillë, për më tepër edhe mbiemrin e ka të njëjtë me emrin. Pastaj i shtonte edhe tonin denigrues, sikur donte të thoshte se “shifni kush flet keq për mua, dikush me emrin Mark”.

E gjithë skena shoqërohej me gjestkulacione të forta dhe irrituese. Në atë moment mendova:

Kjo monster nuk mund të luftohet me argumenta politike ose ligjore. Sepse vet lufta e tij nuk ka lidhje me arsyen politike.

Megjithatë, unë akoma nuk e kisha kristalizuar mendimin se çfarë duhet të jetë qasja për një shpjegim të pranueshëm, dhe cila duhet të jetë përpjekja për t’a ndalur atë. Rrugëtimi i tij drejt pushtetit absolut, duke asgjësuar çdo pushtet tjetër, duke dhunuar çdo ligj, përfshirë edhe Kushtetutën e vendit, duhet të gjente një përgjigje adekuate. Shqipëria nuk duhej dhe nuk mund të ishte viktima e përjetshme e bijëve të saj bastardë.

II

Më herët kam shkruar se aktet politike të Opozitës, megjithse akte ekstreme, përsëri mbetën akte “politikisht korrekte”, pa arritur dot presionin e nevojshëm, të mjaftueshëm për t’a ndalur pushtetin e Ramës. Megjithatë, një fije e hollë e ka ndarë fillimin e fundit të tij, që mund të ishte i dhunshëm, por për mendimin tim i domosdoshëm. Fundja, nuk ka gjë më të rëndësishme se sa mbrojta e interesave të qytetarëve, qoftë edhe me kosto të lartë siç është rrëzimi me forcë i Edi Ramës.

Edi Rama ka shkuar aq larg, sa e ka të pamundur të kthehet pas. Krimet e tij kundër interesave të shqiptarëve kanë tejkaluar edhe fantazitë më të çmendura. Ai ka provuar gjithçka, domethënë duke kryer akte të drejtëpërdrejta kundër pronës dhe jetës së qytetarëve. Ai ia ka dalë të kthejë shtetin shqiptar në një organizatë kriminalo-terroriste, të ngjashëm me Zimbabwe-në e diktatorit Robert Mugabe. Ai nuk mund të ndalet me mjete politike, as nuk mund të kontrollohet nga asnjë faktor ndërkombëtar. Nevoja për pushtet i është kthyer në obsesion; ai mendon se ka të drejtë për të gjithçka, edhe kur vjedh, edhe kur mashtron, edhe kur asgjëson pushtetet e tjera, edhe kur mbjellë Shqipërinë me drogë, edhe kur shembë Teatrin Kombëtar, edhe kur ndryshon Kushtetutën.

LEXO EDHE  Zgjedhjet e anëtarësisë së PD-së në Pukë e Vau i Dejës, përjashtohen nga një kandidat

Edi Rama ia ka dalë të imponojë egon e tij, në të vertetë formën asgjësuese për çdo mendim tjetër, ose formë kundërshtuese. Ai nuk pyet për prova ligjore, fakte ose argumenta politik. Këto “vogëlsira” ai i asgjëson me një batutë denigruese, ashtu siç e “asgjësonte” personalitetin e Profesor Mark Markut.

Më kujtohet njëherë në fillimet e mandatit të parë si Kryeministër, gjatë një vizite në Shkodër duke inspektuar punimet në Stadiumin “Loro Boriçi”, teksa shpotiste paturpësisht ish Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, në mënyrë seksiste. Për arsye etike unë nuk mund të sjellë këtu batutën e tij, por ju siguroj se, sipas kodit moral të shqiptarëve, Edi Rama duhej të paguante rëndë fyerjen e tij. Në të vertetë, ky incident i rëndë kaloi ashtu lehtë, pa ndonjë reagim serioz. Me kohë, gjuha e tij vazhdoi të agravojë, duke u shthurur përditë e më shumë, aq sa për qytetarët, fyerja kryeministrore u kthye në njëlloj normaliteti. Si të thuash, gjuhështhurja shoqërohej gjithmonë me trashje zullumi, paligjshmëri dhe fyerje të dinjitetit të çdo qytetari shqiptar.

III

Një gjë është e qartë si drita e Diellit; Edi Rama do t’i vjedhë zgjedhjet, do t’i manipulojë ato, ai do të kthejë përmbysë Tiranën dhe Shqipërinë për pushtetin e tij; ai nuk do të hezitojë të zhytë vendin në kaos dhe luftë civile, të marrë jetë shqiptarësh. Ai nuk do të ndalojë as para faktorit ndërkombëtar, as para interesave të integrimit, ose qenies tonë vend anëtar i NATO-s. “Broçkulla” të tilla, për të janë të pakuptueshme.

Ndalja e Edi Ramës tani nuk është çështje qeverisje, as çështje pushteti, as çështje demokracie. Në të vërtetë, ndalja e tij është çështje e interesit kombëtar, nga ato lloj interesash kombëtare që kombet serioze i quajnë “çështje të sigurisë kombëtare”. Së pari, është detyrë e Opozitës, por edhe e atyre pak njerëzve që u ka mbetur sadopak ndërgjegje qytetare, që të mendojnë seriozisht se si mund të ndalet ky njeri. Për një popull të vogël dhe të lodhur në kujfinjtë e ekzistencës fizike, është kosto e madhe të pranojmë “eksperimente me zgjedhje demokratike”, duke e ditur që në krye se çfarë kasaphane elektorale i pret qytetarët.

IV

Teksti i ardhëm do të jetë në vëzhgim për njerëzit e medias dhe bashkëpunëtorët e Edi Ramës, pa të cilët do të ishte e pamundur dominimi i tij. Rrallë mund të ketë ndodhur në historinë e një kombi që kaq shumë gazetarë dhe “personalitete” të medias t’i jenë nënshtruar vullnetit përvers të një njeriu.

Për më shumë në këtë temë më ndiqni në shkrimin e rradhës.