Nga Juli Ristani
Në datat 15-16 korrik 2020, u zhvillua në Tiranë, në Qendrën e Personel Rekrutimit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, konkursi për përzgjedhjen e kandidatëve, që do të ndjekin me bursë të plotë, studimet në Akademi Ushtarake, në Greqi.
Pas testimeve të kandidatëve në disa disiplina (test inteligjence, test fizik, test për gjuhën angleze dhe ekzaminimeve shëndetësore), Qendra e Personel Rekrutimit bëri renditjen sipas pikëve.
Pikëve të fituara në konkurs, (ku pas çdo testimi, kandidatët hidhnin firmën), ju bashkëngjitën edhe pikët nga mesatarja.
Sipas listës, në vend të parë, për degën Mjekësi Ushtarake, u rendit Aldo Bledar Graceni.
I gjithë konkursi u zhvillua, bazuar në Urdhërin 1014, datë 22.05.2017 të Ministrit të Mbrojtjes. Kjo listë që ne e zotërojmë, dhe që normalisht duhej publikuar në faqen e institucionit, u dërgua në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pasi u përpunua në këtë dikaster, vendin e Aldo Gracenit e zë një tjetër konkurent, me 14 pikë më pak dhe që në listëmeritën e dalë nga Qendra e Personel Rekrutimit renditej i katërti.
Familja e djalit fitues, si palë e interesuar, siguroi një mesazh, ku vartësit e Ministres së Mbrojtjes, zonjës Olta Xhaçka, e informonin për ndryshimet, që i kishin bërë listës.
Në të thuhet: “Shefe, vërtet që Aldo Graceni është fitues, por ne vendosëm të llogarisim notat e Kimisë, Biologjisë dhe lëndës me zgjedhje të gjimnazit.”
Kjo, në fakt, është në shkelje të hapur me Urdhërin 1014, në të cilin ishin përcaktuar qartë kriteret e konkursit. Urdhër ky, që zbatohet kur bëhet konkursi, dhe që në rastin e Aldo Gracenit, anashkalohet totalisht.
Me këtë logjikë të ndjekur nga punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, Kimia, Biologjia dhe lënda me zgjedhje, llogariten dy herë, një herë me mesataren, dhe një herë tjetër se kështu do, dhe i duhet Ministrisë së Mbrojtjes.
Pyetja që shtrojmë është: Po pikët e testimeve ku shkuan, ku t’i çojnë konkurentët?
Përse u zhvillua gjithë ai testim dyditor?
Mbi ç’kritere u përfitoka bursa e plotë, që ofron shteti grek, anëtar i NATO-s.
Në fakt, sipas Urdhërit 1014, Atasheu Ushtarak i Greqisë, duhet të jetë mbikëqyrës në gjithë procesin përzgjedhës të kandidatëve.
Por a është vënë në dijeni Atasheu, për “kriteret e reja”, që u aplikuan nga Ministria e Mbrojtjes, pas daljes së rezultateve?
Nëse “po”, cili ka qenë qëndrimi i tij?
Rregullorja e konkursit e thote qartë, mesatarja ka 15 pikë, dhe Pikë!
Që do të thotë, se në Ministrinë e Mbrojtjes kanë shpikur një formulë të re, (më saktë kanë gjetur një alibi) për të nxjerrë patjetër fitues, personin e paracaktuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Pikët e testimeve nuk u morën fare në konsideratë nga Ministria e Mbrojtjes, duke e bërë kështu nul gjithë testimin e bërë. Megjithatë, situata që u krijua në ditët pas daljes së listëmeritës, ku Aldo Graceni renditej i pari, ndoshta u jep përgjigje pyetjeve të familjarëve dhe gazetarëve.
Diten e hënë, më datë 3 gusht 2020, një zonjë me emrin Belioza Çoku, Shefe Kabineti e Ministrisë së Mbrojtjes, mori në telefon, në orën 20.17 minuta të darkës, babanë e djalit fitues, zotin Bledar Graceni.
Zonja i foli atij në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Për rreth 15 minuta zonja Çoku shantazhoi familjarët duke ju thënë, se do të procedohen penalisht, nëse nuk tregojnë, se si ka rënë në duart e tyre, lista me renditjen e konkuruesve, ku djali i tyre renditej i pari.
Zyrtarja përsëriste, se ishte ngarkuar nga Ministrja e Mbrojtjes, zonja Olta Xhaçka, që t’u komunikonte familjarëve, arsyen përse djali ishte spostuar nga vendi i parë. Zonja Çoku zgjodhi t’ja komunikonte “zyrtarisht” këtë lajm familjes, jashtë orarit dhe kanaleve zyrtare.
Familjarët thonë gjithashtu, se po përballen me presione të formave të ndryshme, nga njerëz, që kanë lidhje me personat e interesuar në këtë aferë.
Për këtë padrejtësi, familja thotë, që ka vënë në dijeni shkresërisht Ministrinë e Mbrojtjes, Qendrën e Personel Rekrutimit, Kryeministrin, Avokatin e Popullit, dhe së shpejti do t’i drejtohen edhe Selisë Qëndrore të NATO-s në Bruksel, pasi në fund të fundit, kjo organizatë duhet ta di, sesi keqpërdoren financimet e saj nga ana e Ministrisë Shqiptare të Mbrojtes.
Shpresojmë që e gjithë kjo procedurë, të mos klasifikohet nga Ministria e Mbrojtjes si sekret shtetëror, por të bëjë transparente gjithë procedurën e ndjekur për këtë konkurs. /SHQIP