Për Egla Harxhin, jeta është një e papritur e vazhdueshme dhe ndaj ka hequr dorë nga radikaliteti, duke gjetur veten plotësisht te shprehja “Kurrë mos thuaj kurrë”.
Ish-Miss Shqipëria i rikthehet marrëdhënies me fotografin e njohur, që njihet si “Princi i Libofshës”, Alexandër de Basseville, tashmë që keqkuptimet janë zbehur dhe lidhja është bërë më e fortë, duke shijuar edhe më shumë prindërimin e djalit të tyre, Luxifer.
Për “Panorama Plus”, Egla thyen heshtjen duke rrëfyer historinë e ribashkimit të një çifti jo si gjithë të tjerët e që u përballën me dashakeqësinë e disa njerëzve që donin t’i përçanin.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde nga fillimi i pandemisë e deri tani? Si e ke e përjetuar dhe a ka qenë e vështirë për ty koha e kaluar në izolim?
Egla Harxhi: Të jem e sinqertë, prej vitesh tashmë përmes kërkimeve të mia personale kisha kuptuar që po jetonim në një periudhë historike, ku sistemi i ndërtuar që mbas revolucionit industrial ishte në degradim e sipër.
Të dhënat për këdo që ka dashur të informohet në një epokë të informacionit ku jetojmë, kanë qenë të dukshme dhe kushdo që ka lexuar sadopak histori, e kupton që civilizimi botëror është i përbërë nga cikle zhvillimi dhe degradimi. Covidi është një pretekst, i cili nxori në pah të metat dhe përshpejtoi degradimin e pashmangshëm të sistemit aktual lokal për një vend si i yni, por gjithashtu për gjithë planetin.
Personalisht e shoh si një mundësi për të korrigjuar, riorganizuar dhe ristrukturuar shumë elemente dhe vlera të shoqërisë sonë. Ndaj për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, personalisht e kam përjetuar në një formë ambigue, sigurisht me shumë keqardhje për pasojat që ky virus ka pasur në jetë njerëzish dhe impaktin e thellë në ekonomi.
Por njëkohësisht si një fatkeqësi natyrore, që e vuri njerëzimin para sfidës së vetvetes për t’u parë para pasqyrës, sigurisht në një formë psikoanalitike. Kohën e izolimit personalisht e kam shfrytëzuar për t’u izoluar brenda vetes duke reflektuar, analizuar dhe kuptuar më mirë vetveten.
E shoh veten si një qenie, e cila është në mënyrë të përhershme në evolucion që nuk ndalon asnjëherë, gjithmonë në kërkim të shpirtërores dhe në kërkim të vërtetës absolute personale. Të pasurit e kurajës të shihesh në pasqyrë dhe t’i thuash vetes të vërtetat në sy nuk ka çmim, pasi nga aty rrjedh dhe ndjesia e lirisë.
Para pandemisë, ti sapo kishe hapur biznesin tënd, studion e arkitekturës, si ka ndikuar kriza në projektet tuaja? Pra, si e shihni përshtatjen me rregullat e reja?
Egla Harxhi: Në fakt, një nga sektorët që nuk u prek shumë gjatë pandemisë, ishte ndërtimi, sigurisht kjo nuk do të thotë që nuk jemi hasur me sfida dhe me vështirësi nga më të ndryshmet. Megjithatë, në të njëjtën kohë na mundësoi të krijonim koncepte dhe ide të reja. Një nga gurët e themelit të studios sonë është pikërisht dizajni i personalizuar që krijojmë për çdo klient. Çdo projekt është unik dhe i përshtatet në detaj klientit. Në një projekt shtëpie, për shembull, detyra jonë është që klienti të ndieje personalitetin e tij të manifestuar në ambientin se ku do të kalojë të përditshmen e tij.
Ndërkohë, të kemi parë së fundmi në një dalje publike me Aleksandrin, ku tregonit që ishit rikthyer bashkë. Si ndodhi ky ribashkim?
Egla Harxhi: Si në çdo marrëdhënie ku ka ulje-ngritje, e jona ka kaluar shumë sfida dhe momente të vështira, të cilat janë zbehur tashmë me kohën, sepse komunikimi i ndërsjellë ka zgjidhur çdo paqartësi.
Kur kalon përtej atyre sfidave më të vështira dhe krizave më të forta, kjo bën që një marrëdhënie të forcohet dhe çdo gjë tjetër të të duket e papërfillshme. Një gjë që kam mësuar nëpërmjet ndodhive të fundit është që kurrë nuk duhet thënë kurrë. Jeta është një e papritur e vazhdueshme dhe personalisht kam hequr dorë nga radikaliteti dhe jam bërë shumë më fleksibël ndaj jetës dhe sfidave, me të cilat përballem.
Në intervistën e fundit shprehe që disa njerëz kanë ndikuar për keq në përçarjen tuaj. Çfarë mund ta na thuash më shumë për këtë histori?
Egla Harxhi: Kjo nuk ka më rëndësi pasi rezultati është që marrëdhënia ishte më e fortë se çdo keqkuptim dhe se çdo faktor i jashtëm. Kushdo që ka ndikuar për keq, i është treguar vendi me kohën.
Sigurisht që ky ribashkim duhet të ketë gëzuar shumë djalin tuaj, Luxiferin? Si ka reaguar ai edhe pse është ende i vogël?
Egla Harxhi: Prezenca e babait është shumë e rëndësishme në jetën e një fëmije dhe sot e kuptoj më mirë edhe urimin që gjyshet bëjnë zakonisht për fëmijët: “Të rritet me nënë dhe baba!”. Kjo nuk duhet të thotë që dy prindërit duhet të qëndrojnë me patjetër bashkë për hir të fëmijës, pasi kjo do të bënte më shumë dëme sesa mirë, por rigjetja jonë ka reflektuar për mirë, rigjetja e balancës, e respektit dhe mirëkuptimit kanë ndikuar jashtëzakonisht për mirë te Luxifer, i cili e manifeston këtë në formë gëzimi çdo ditë. Për mua personalisht si nënë më përmbush fakti që Luxifer ka një figurë atërore, nga i cili ka shumë për të mësuar dhe trashëguar.
Ky ribashkim do të thotë gjithashtu se planet tuaja vazhdojnë të jenë të njëjtat?
Egla Harxhi: Shumë gjëra kanë evoluar dhe janë përmirësuar nga koncepti fillestar. Personalisht jam e fokusuar te studioja dhe zhvillimi profesional, por mbështes fort, dhe gjithmonë e kam bërë, vizionin e Alexandrit.
Kur u largova nga Shqipëria në 2015-ën, u largova me idenë që nuk kishte më shpresë në Shqipëri dhe këtë e them me keqardhje të madhe, sepse, përveçse është vendi im, nuk do kisha dashur të jetoja në vend tjetër, por sistemi mbytës dhe shtypës në këtë vend po bën sot të largohen me mijëra të rinj nga vendi.
Por mendoj se Shqipëria do të ketë mundësi për zhvillim, dhe Covidin e shoh më shumë si oportunitet sepse kjo situatë do t’i japë shtysën e fundit degradimit të një sistemi që na mban peng për 30 vjet. E di që shumë nuk e besojnë që në vendin tonë do ketë ndryshime, por ndryshimi është i pashmangshëm. Gjatë pandemisë, shumë ndryshime kanë ndodhur në qarqet e larta dhe ekonomia dhe politika botërore është në nevojë për ristrukturim.
Marrëdhëniet me Kinën nuk janë më të njëjtat dhe ajo që Alexandër propozon është një delokalizim i disa kompanive të licencuara nga NATO në Ballkan, fillimisht në Shqipëri. Kjo do të sillte një imazh tjetër të Shqipërisë, siguri dhe mundësi për zhvillim të shumë strukturave dhe infrastrukturave.
Personalisht, aktualisht po punoj për një strukturë të licencuar në NATO, në sektorin e projektimit për prodhimin e elasomerëve dhe kallçukut për produkte të nevojshme për ushtrinë. Është një pozicion, nga i cili po mësoj shumë dhe po më bën të kaloj në një tjetër dimension në aspektin profesional.
/PanoramaPlus