Të izoluar pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, qindra familje në varfëri ekstreme apo me probleme ekonomike në Tropojë u vunë në vështirësi dhe në pritje të ndihmave nga qeveria dhe pushteti vendor.
Falë një sërë dhurimesh nga biznesmenë dhe nga komunitetet fetare, dhjetëra prej tyre morën në mars dhe në prill pako standarde që përfshinin disa produktesh bazë – kryesisht vaj, makarona, oriz, sheqer dhe pluhur larës – e në pak raste edhe miell.
Por më 1 maj, katër ditë përpara se Tropoja të shpallej ‘zonë e gjelbër’ nga qeveria dhe jeta t’i rikthehej njëfarësoj ritmit normal të saj, bashkia njoftoi një tender për blerje pakosh ushqimore për familjet në nevojë me vlerë 3.5 milionë lekë.
Më 8 maj, një javë pas shpalljes së tenderit, u dorëzuan vetëm dy oferta. Njëra nga ofertat vinte nga Bekim Hajdarmataj – biznesmen që ka në pronësi një hotel në qytetin e Bajram Currit ndërsa oferta tjetër nga daja i tij, Sami Danaj, oferta e të cilit u skualifikua për mosparaqitje të dokumentacionit.
Me skualifikimin e Danajt, nipi i tij Hajdarmataj lidhi kontratën me Bashkinë e Tropojës për shumën 4.1 milionë lekë me TVSH për 875 pako ushqimore. Sipas dokumenteve të tenderit, kontrata u lidh më 13 maj dhe duhej të përmbushej tre ditë pas nënshkrimit të saj.
Por një ish-zyrtar i bashkisë Tropojë, i cili foli në kushtet e anonimatit, i tha BIRN se tenderi kishte qenë fiktiv dhe se pakot ushqimore në ndihmë të personave në nevojë nuk ishin dorëzuar në bashki dhe as ishin shpërndarë te njerëzit.
Dyshimet për tenderin fiktiv mbështeten edhe nga një duzinë familjesh në nevojë apo në varfëri ekstreme në listat e Bashkisë së Tropojës, të cilat i thanë BIRN se kishin marrë pako ushqimore vetëm gjatë muajve mars dhe prill. Shumica prej tyre theksuan se ndihma u kishte ardhur nga shoqata humanitare apo dhurues dhe jo nga bashkia.
“Herën e dytë i ka sjellë administratori do çokollata, 2 kg vaj, miell dhe milva e vogël (pluhur larës),” tha Gramoz Buçpapaj, njëri prej banorëve i cili theksoi se ndihmat ishin shpërndarë në muajt mars dhe prill. Buçpapaj pretendoi se asnjë nga pakot nuk ishte prej bashkisë, ndërsa u ankua se diskriminohej ngaqë ishte i djathtë.
I pyetur për dyshimet se tenderi ishte fiktiv, kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberaj – i zgjedhur nga Partia Socialiste në një bastion historik të së djathtës pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita të vitit 2019, e referoi fillimisht BIRN te nënkryetari Abedin Kërrnaja.
Por Kërrnaja mohoi të kishte dijeni për tenderin e pakove ushqimore, ndonëse e ka emrin si nënshkrues i kontratës në dokumentet e ngarkuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike.
“Me tenderin nuk jam marrë unë”, tha Kërrnaja gjatë një bisede telefonike, ndërsa shtoi se “çështje [të] tjera nuk di unë ça të them.”
Kërrnaja i tha BIRN se Bashkia e Tropojës kishte shpërndarë ndihma deri në fillim të korrikut, ndërsa pretendoi se qytetarët që deklaronin se nuk ishin ndihmuar nga bashkia apo se kishin marrë pako vetëm në mars dhe në prill “gënjenin për të marrë pako të tjera”.
Biznesmeni Bekim Hajdarmataj mohoi që të kishte pasur probleme, ndërsa tha se kishte zbatuar kontratën dhe i kishte dorëzuar pakot siç parashikohej aty. I pyetur për lidhjet familjare me konkurrentin në tender, Hajdarmataj tha se duhej të merreshim me bashkinë dhe se nuk ishte detyra e tij të jepte sqarime.
“Përsa më përket mua, (e) kam bërë me korrektësinë më të madhe dhe në formë të ligjit, për shitjen e pakove, me standardin që ka vënë qeveria shqiptare,” tha Hajdarmataj.
“Na fikët, jemi të varfër”
Në një përgjigje zyrtare për BIRN, Bashkia e Tropojës pretendoi se gjatë periudhës së emergjencës shëndetësore si pasojë e COVID-19 ajo vetë kishte ndihmuar 724 familje me pako ushqimore, 920 familje ishin ndihmuar nga komuniteti i biznesit, 400 familje nga Rezervat e Shtetit dhe 70 të tjera nga Këshilli i Qarkut Kukës – për një total prej 2114 familjesh. Ndërkohë, bashkia tha se nuk kishte lista për 1500 pako të ndara nga Myftinia e Tropojës.
Ashtu siç gjeti BIRN në një shkrim të mëparshëm, shumica e ndihmave për banorët në nevojë edhe në Tropojë erdhën nga biznesi, kleri dhe organizata jo-qeveritare.
BIRN telefonoi dhe kontaktoi një duzinë familjesh që u zgjodhën në mënyrë të rastësishme nga listat e vëna në dispozicion nga bashkia e Tropojës. Shumica e personave deklaruan se ndihmat që kishin marrë ishin dhuruar nga biznese ose qytetarë të ndryshëm. Ata i akuzuan drejtuesit e saj socialistë për diskriminim për shkak të bindjeve politike.
“Edhe këtë me shoqni na e kanë ep, se jemi kundra Partisë Socialiste,” tha një prej personave të kontaktuar nga BIRN, ndërsa shtoi se pakoja me vlerë 20 mijë lekë të vjetra në ushqime ishte marrë në mars.
BIRN vendosi të ruante identitetet e personave nga familjet në nevojë me të cilët kontaktoi për të shmangur ndonjë pasojë të mundshme në dëm të tyre.
Një burrë tjetër, që tha se kishte 6 anëtarë në familje dhe më pak se 5 mijë lekë të ardhura mujore, tregoi se kishte marrë ndihmë vetëm prej dy shoqatash.
“Nuk na ka sjellë gjo as bashkia, as rrethi. As i sen tjetër. Këto kam marrë, pasha fëmijët as i sen tjetër. Na fikët more. Jemi të varfër,” theksoi ai.
Të tjerë të intervistuar nga BIRN pranuan se kishin marrë pako nga Bashkia gjatë muajve mars ose prill. Në një rast, një grua tha se familjes së saj i ishin dhënë dy herë ndihma. Ajo shpjegoi se nuk mbante mend nëse ishin të bashkisë, por në një rast, pakoja ishte nga Rezervat e Shtetit pasi e kishte të shkruar në kuti.
Gjatë intervistave me pjesëtarë të familjeve në nevojë nga listat që bashkia i vuri në dispozicion, BIRN mësoi se një pjesë e pakove ushqimore të shpërndara nuk ishin nga bashkia, ndërsa dhanë detaje të ngjashme të përbërjes së pakos – kryesisht me nga 2 kilogramë vaj, makarona, oriz, fasule dhe të ngjashme.
Disa nga të pyeturit thanë se në pako kishin pasur edhe një thes me 25 kilogramë miell, por të gjithë e vendosën kohën e marrjes së ndihmës në mars dhe prill, një muaj para tenderit që supozohet se do t’i ndihmonte ata me ushqime.
Në listat e dërguara për BIRN, Bashkia e Tropojës nuk specifikoi se cilat ishin familjet e ndihmuara prej saj, ndërsa dorëzoi rreth 2 mijë emra që përfshinin familjet në varfëri ekstreme në bashkinë e Tropojës, familjet në ndihmë ekonomike, familje me persona me probleme shëndetësore dhe një listë në të cilën janë 111 persona, ku shkruhet “të trajtuar me pako ushqimore gjatë periudhës së COVID-19”.
Nënkryetari Abedin Kërrnaja tha se ndihmat që kishte dhënë bashkia ishin ndarë mes personave në këto lista. Ai deklaroi se bashkia kishte ndihmuar familjet në nevojë, ndërsa i pyetur për kriteret, tha se u ishin referuar listave siç kishin ardhur nga Tirana.
Kërrnaja po ashtu tha se pretendimet që ndihmat nuk ishin dhënë nga bashkia, por nga shoqata dhe biznese nuk ishin të vërteta.
“Nuk e besoj që kanë thënë të vërtetën,” tha nënkryetari i Bashkisë, ndërsa shtoi se banorët thonin ashtu, pasi kërkonin më shumë ndihma.
Kërrnaja shtoi se kishte pasur bashkëpunim edhe me bizneset dhe dhuruesit e tjerë dhe se bashkia u kishte dhënë atyre emrat e familjeve në nevojë.
Denoncimi për tenderin
BIRN mori një denoncim nga një ish-zyrtar i bashkisë Tropojë, i cili kërkoi të mos identifikohej, që pretendoi se e gjithë procedura për tenderin e pakove ushqimore me vlerë 3.5 milionë lekë ishte fiktive dhe e paligjshme.
Sipas tij, bashkia e Tropojës kishte ndarë ndihma të dhuruara nga biznesi dhe shoqatat dhe më pas kishte organizuar tenderin me vlerë 3.5 milionë lekë në mënyrë fiktive.
Ish-zyrtari pretendoi se malli i supozuar i blerë, nuk është magazinuar asnjëherë në magazinë.
“Malli nuk ?sht? magazinuar asnjëherë, nuk ?sht? dorëzuar flet?-hyrja dhe fatura tatimore n? Drejtorinë Ekonomike,” tha ai.
“Kalimi i lek?ve ?sht? b?r? n? Deg?n e Thesarit pa kryer veprimet e m?sip?rme, gjithashtu nuk ?sht? hartuar lista e familjeve n? nevoj?, e cila k?rkon edhe miratimin nga Këshilli Bashkiak,” shtoi denoncuesi.
Ai pretendoi se në mënyrë fiktive malli ishte konsideruar hyrje në datën 20 maj, por theksoi se kjo nuk ka ndodhur të paktën deri më 26 maj – periudhë për të cilën ai ka dijeni. BIRN nuk arriti të konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimin nëse mallrat ishin dorëzuar nga kompania e kontraktuar ose jo.
Sipas ish-zyrtarit të Bashkisë, fakti që dy garuesit për tenderin 3.5 milionë lekë ishin të afërm, konkretisht dajë e nip, i shtonte dyshimet për fiktivitet të garës midis operatorëve pjesëmarrës në tender. Marrëdhëniet fisnore mes dy konkuruesve u konfirmuan edhe nga BIRN në mënyrë të pavarur.
Kryebashkiaku i Tropojës Rexh Byberaj i pyetur për këtë denoncim dhe dyshimet për fiktivitet në tender, i transferoi përgjegjësitë te dy nënkryetarët e bashkisë, Abedin Kërrnaja dhe Zyra Islamaj.
Fillimisht ai referoi BIRN te Kërrnaja, por ky i fundit tha se nuk kishte dijeni për tenderin edhe pse rezulton se ka emrin si nënshkrues i kontratës me fituesin sipas Agjencisë së Prokurimit Publik. Megjithatë, Kërrnaja insistoi se bashkia i kishte ndarë ndihma vetëm ato pako sipas tenderit.
“Mund të mos shkojnë datat, ne pakot ushqimore me tenderin e bashkisë i kemi ndarë, nuk kemi pas tjetër,” tha Kërrnaja.
Nënkryetarja tjetër e Bashkisë, Zyra Islamaj i tha BIRN përmes një mesazhi në Ëhatsapp se tenderi ishte zhvilluar në rregull. Islamaj pretendoi se denoncuesit ishin njerëz që “duan të dëmtojnë sa më shumë, duke e kthyer çdo të mirë të përbashkët në të keqe personale”.
Islamaj i tha BIRN të martën më 21 korrik se do të vinte në dispozicion deri të enjten më 23 korrik listën e 724 përfituesve të pakove ushqimore nga bashkia, foto të shpërndarjes së ndihmave të bashkisë në terren dhe dokumente të tjera. E kontaktuar të enjten dhe të premten përmes telefonit, Islamaj nuk ktheu përgjigje.
Biznesmeni Bekim Hajdarmataj mohoi çdo parregullsi me tenderin. Ai tha se çdo gjë kishte qenë korrekt, ndërsa theksoi se kishte dhuruar edhe vetë 100 pako. Ai pretendoi se kishte dorëzuar sipas kontratës të gjitha pakot ushqimore tek bashkia./Reporter.al/