Nga BoldNews.al
Prokurorja Donika Prela zgjodhi të tregohej shantazhuese dhe intimiduese ndaj anëtareve të trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj dhe Ina Rama, kur, në shkelje të rëndë proceduriale dhe të etikës së prokurorit, prezantoi detaje hetimore, për më tepër me nota përçmuese, ndaj disa personave të afërt me dy gjyqtaret.
Ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda argumentoi kërkesën për përjashtimin e dy anëtareve nga trupa që po shqyrton ankimin e Komisionerit Publik për shkarkimin e saj nga detyra, duke i përmendur Mulajt se ,”si prokurore në Tiranë, unë kam nën hetim dy vëllezërit e tu”.
Ndërkohë, Prela i përmendi Ina Ramës se gjyqtarja “duhet të jepte vetë dorëheqjen, pasi i ka hetuar mbesën, një sekretare, që aplikoi për psikologe me diplomë false”.
Duket qartë se Prela ka zgjedhur strategjinë për të deligjitimuar moralisht trupën gjykuese me problematikat e të afërmëve të tyre, pasi, me shumë mundësi, është e bindur se argumentat për “konflikt interesi”, e dy anëtareve të trupës gjykuese, nuk kanë bazë ligjore.
“Boldnews.al” shqyrtoi kuadrin ligjor që zbaton Kolegji i Posaçëm i Apelimit në veprimtarinë e tij institucionale, përfshirë edhe rastet e kërkesave për dorëheqjen e gjyqtarëve.
Të dhënat treguan se Donika Prela nuk legjitimohet për të kërkuar përjashtimin e Natasha Mulajt dhe Ina Ramës, edhe nëse argumentat e prokurores për “konflikt interesi” do të qëndronin.
Donika Prela ka humbur afatet ligjore për të kërkuar përjashtimin e anëtarëve të trupës gjykuese, krahas faktit që, siç ka raportuar “Boldnews.al” më herët, Natasha Mulaj dhe Ina Rama nuk janë në kushtet e konfliktit të interesave me subjektin e rivlerësimit.
Madje, jo vetëm kaq. Donika Prela mund të gjobitet nga trupa gjykuese, për shkak të abuzimit me kërkesën për përjashtim të gjyqtarëve tej afateve ligjore, sipas parashikimeve të nenit 76 të Kodit të Procedurës Civile.
Kërkesa për përjashtim, tej afateve ligjore
Për të sqaruar konkretisht se përse kërkesa e Donika Prelës për përjashtimin e anëtareve të trupës gjykuese është nul, si pasojë e tejkalimit të afateve, shërben sqarimi i bazës ligjore, mbi të cilën ushtron veprimtarinë Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA).
KPA është “seksion” i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese. Kolegji, në rolin e gjykatës, funksionn sipas ligjit për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting).
Ligji për Vetingun parashikon që procesi gjyqësor që zhvillon Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbështetet në ligjin për “Gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Ky ligj nuk ka të parashikuar shprehimisht trajtimin e rasteve të kërkesave të palëve për dorëheqjen e anëtarëve të trupës gjykuese.
Por, megjithatë, në nenin 1, pika 2 e tij, parashikohet se “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
Pra, zgjidhja për rastet e kërkesave për përjashtimin e gjyqtarëve, duhen parë në Kodin e Procedurës Civile.
Dhe, ky Kod, i ka të parashikuara në mënyrë ezauruese rastet e kërkesave për përjashtimin e anëtarëve të trupës gjykuese, norma që vlejnë edhe për proceset gjyqësore të zhvilluara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).
Kodi i Procedurës Civile, në nenin 74 të tij, parashikon:
“Kërkesa e nënshkruar nga pala përkatëse ose nga përfaqësuesi i saj, duhet të depozitohet në sekretarinë e gjykatës kur është bërë i ditur emri i gjyqtarit apo gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen dhe në rastin e kundërt menjëherë pas shpalljes së gjyqtarit apo gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen…”.
Po në të njëjtin nen parashikohet se:
“Paraqitja e mëvonshme e kërkesës lejohet vetëm kur pala ka marrë dijeni më vonë për shkakun e përjashtimit …, por sidoqoftë jo më vonë se tri ditë nga marrja dijeni”.
Pra, Kodi i Procedurës Civile ka vendosur afate të ngurta për kërkesat për përjashtim të gjyqtarëve; menjëherë pas shpalljes së gjyqtarëve ose brenda 3 ditëve nga marrja dijeni e fakteve që përligjin kërkesën për përjashtim të gjyqtarëve.
Pikërisht, këto afate i ka humbur tashmë Donika Prela, edhe në rast se argumentat e saj për “konflikt interesi” do të qëndronin.
Përballë Ina Ramës
Donika Prela kërkoi përjashtimin e gjyqtares Ina Rama, me argumentin se, në vitin 2017, kur kishte qenë prokurore në Durrës, kishte hetuar “mbesën” e gjyqtares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Të dhënat e siguruara më herët nga “Boldnews.al”, treguan, në fakt, se, në Qershor 2017, Donika Prelës i ishte caktuar të ndiqte procedimin penal në ngarkim të shtetases U.D, e dyshuar për falsifikim diplome.
Donika Prela, pas kryerjes së disa veprimeve paraprake hetimore, heq dorë nga hetimi i çështjes, duke e kaluar rastin në Prokurorinë e Kavajës, me argumentin e “konfliktit në dukje të interesave”, pasi personi nën hetim kishte ushtruar detyrë administrative në Prokurorinë e Durrësit.
Pra, megjithëse Donika Prela nuk ka kryer hetimin e personit të rrethit jo të afërt familjar me Ina Ramën, e përdori si argument në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për përjashtimin e anëtares së trupës gjykuese.
Por, kërkesa për përjashtim është bërë shumë vonë. Trupa gjyqësore që do të shqyrtonte rastin “Prela” në KPA, ku bënte pjesë edhe Ina Rama, është shpallur publikisht dhe i është vënë në dijeni subjektit Donika Prela në datën 2 Maj 2019.
Referuar përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile, Donika Prela, me marrjen në dijeni për anëtarët e trupës gjykuese, duhet të kishte kërkuar përjashtimin e Ina Ramës brenda 3 ditëve nga shpallja, pra, maksimumi në 5 Maj 2019.
Por, siç rezultoi, Donika Prela e depozitoi kërkesën për përjashtimin e Ina Ramës në seancën gjyqësore në KPA, në dt. 17 Korrik 2020, rreth 380 ditë pas përfundimit të afatit ligjor.
Përballë Natasha Mulaj
Ndërsa, kërkesa e Donika Prelës për përjashtimin e gjyqtares Natasha Mulaj, jo vetëm që është tej afateve, por është edhe në shkelje flagrante të ligjit si prokurore.
Donika Prela i kërkoi gjyqtares Mulaj që të japi dorëheqjen nga trupa gjykuese, pasi, sipas saj “si prokurore e Tiranës, po hetoj dy vëllezërit e tu, V.M dhe A.M (Vladimir dhe Admir Mulaj)”.
Është e paqartë se kur është përfshirë Donika Prela në hetimin e shtetasve Vladimir dhe Admir Mulaj.
Por, në çdo rast, ajo po e ndjek këtë procedim penal në një periudhë më të vonë se 12 Dhjetori 2019, kohë kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë e caktoi si prokurore në Tiranë. Pra, shumë muaj pasi Natasha Mulaj ishte caktuar si pjesë e trupës gjyqësore.
Rrjedhimisht, këtë situatë konflikt interesi, kishte detyrimin ligjor për ta zgjidhur Donika Prela, duke dhënë dorëheqjen nga hetimi i shtetasve V.M dhe A.M, pasi motra e tyre, Natasha Mulaj, ishte caktuar më herët gjyqtare e trupës që do të shqyrtonte procesin e Vetingut në KPA.
Por, Donika Prela, jo vetëm që nuk ka dhënë dorëheqjen, për të shmangur konfliktin e interesave, por së fundmi i kërkoi Natasha Mulajt që të largohej nga trupa gjykuese.
Nga ana tjetër, është e paqartë se kur Donika Prela ka marrë dijeni se personat nën hetim V.M dhe A.M. ishin vëllezërit e anëtares së trupës gjykuese.
Ajo paraqiti kërkesën për përjashtimin e Natasha Mulajt në seancë, me një pretendim jo fort të besueshëm, sipas të cilit kishte rënë në dijeni të këtij fakti vetëm ditët e fundit.
Megjithatë, Donika Prela nuk sqaroi nëse, edhe pas marrjes në dijeni të lidhjeve familjare ndërmjet Natasha Mulajt dhe personave nën hetim, e kishte ende nën hetim rastin e vëllezërve Mulaj apo jo.
“Boldnews.al” është në pritje të përgjigjes, pas një kërkese zyrtare drejtuar Prokurorisë së Tiranës, për informacion se kur dhe si i është përcaktuar Donika Prelës hetimi i shtetasve V.M dhe A.M, dhe, nëse ajo ka dhënë apo jo dorëheqjen nga çështja, pasi mori dijeni për lidhjen e tyre familjare me gjyqtaren Natasha Mulaj.