Nga Tiffanie Wen
“Nëse shoh turmën, nuk do të veproja dot kurrë. Nëse shoh një person të veçantë, atëherë po”. Janë këto janë fjalët e një gruaje, aktet e bamirësisë dhe mirësisë të së cilës i dhanë titullin e Shenjtores, Nënë Tereza. Ato ilustrojnë më së miri një nga aspektet më shqetësuese të reagimit njerëzor ndaj gjendjes kritike të të tjerëve.
Ndërsa shumica prej nesh e shohim vdekjen e një njeriu si një tragjedi, e kemi shumë të vështirë të njëjtën qasje ndaj humbjes së jetëve njerëzore në shkallë të gjerë. Shumë shpesh, vdekjet e shumë njerëzve, shndërrohen për ne thjesht në një statistikë.
Për shembull, miliona jetë të humbura në fatkeqësitë natyrore, luftërat apo krizat e urisë janë harruar. Edhe sot mund të shohim të njëjtin proces të çuditshëm, përballë numrit të madh të të vdekurve në të gjithë botën, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Numri i viktimave i ka kaluar gjysmë milionë njerëz, dhe mbi 10 milionë raste janë regjistruar në 200 vende të botës. Çdo vdekje është një tragjedi e përjetuar në një nivel individual, me një familje që mbetet e tronditur dhe hidhëruar. Por, a mundet që dikush të përjetojë njëlloj humbjen e një numri kaq të madh njerëzish?
Në SHBA, vend që ka tashmë mbi 100 mijë të vdekur, gazetarët kanë gjetur mënyra për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë përmasat e katastrofës. Kjo shifër është “sa 2-shi i numrit të amerikanëve të vdekur gjatë gjithë Luftës së Vietnamit”, dhe e “tejkalon numrin e viktimave ushtarake amerikane në çdo konflikt që nga Lufta e Koresë”.
Por paaftësia jonë për të kuptuar vuajtjet që shkaktojnë shifra të tilla viktimash, mund të dëmtojë mënyrën se si ne reagojmë ndaj tragjedive të tilla. Edhe tani, ka prova që njerëzit po vuajnë lodhjen psikologjike nga lajmet mbi koronavirusin, dhe po lexojnë gjithnjë e më pak mbi pandeminë.
Kjo mund të ndodhë pjesërisht nga një dukuri psikologjike e njohur si mpirja psikike, ideja se “sa më shumë njerëz vdesin, aq më pak ne interesohemi për ta”. “Ndjesia e shpejtë intuitive është e mrekullueshme, por ajo ka disa të meta”-thotë Pol Sloviç, psikolog në Universitetin e Oregonit, që po studion prej dekadash këtë fenomen.
“Njëra është se ajo nuk reagon si duhet përballë numrave në përmasa shqetësuese. Nëse po flasim për jetë njerëzore, një e tillë është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur dhe shpëtuar atë. Por, ndërsa numrat e viktimave rriten, ndjenjat tona ndaj tyre nuk rriten në mënyrë proporcionale”- shton ai.
Studimi i Sloviç sugjeron që teksa numrat statistikorë të lidhur me një tragjedi bëhen më të mëdhenj, ne bëhemi më pak të ndjeshëm, dhe kemi më pak reagim emocional ndaj tyre. Kjo nga ana tjetër, kjo bën të kemi më pak gjasa të ndërmarrim llojin e veprimeve të nevojshme për të ndaluar gjenocidet, për të dërguar ndihma pas katastrofave natyrore, apo për të miratuar ligje që luftojnë ngrohjen globale.
Në rastin e pandemisë së Covid-19, ajo mund të jetë duke na çuar drejt një lloj apatie, që po i bën njerëzit të vetëkënaqur, duke shmangur gjerësisht larjen e duarve apo mbajtjen e maskës – të dyja masa që janë vërtetuar se e zvogëlojnë transmetimin e virusit.
Një pjesë e shpjegimit, mund të jetë që ndërsa numri i viktimave shtohet, domethënia e tyre është gjithnjë e më e vogël për ne në aspektin personal.“Nga një këndvështrim evolucionar, ne jemi të fokusuar tek gjërat që na kërcënojnë jetën aty për aty, apo në ndërveprime në grupe të vogla”-thotë Melisa Finukan, shkencëtare veterane mbi sjelljen e shoqërisë në qendrën e politikave të Korporatës Rand, SHBA.
Por kjo gjë mund të ketë pasoja të rënda mbi mënyrën sesi ne përballemi me tragjedi në shkallë të gjerë. Në një seri studimesh në Suedi në vitin 2014, Sloviç dhe kolegët e tij treguan se ne jo vetëm që mpihemi në aspektin e ndenjave teksa rritet numri i viktimave, por empatia jonë mund të zbehet ose edhe të zhduket fare me rritjen e numrave.
Në një eksperiment, pjesëmarrësve iu tregua fotoja e një fëmije të varfër, dhe në një tjetër fotoja e dy fëmijëve të varfër. Ata u pyetën mbi gatishmërinë që kishin për të dhuruar para për ta. Në vend se të ndjeheshin dy herë më të trishtuar, dhe dy herë më të gatshëm për të ndihmuar, njerëzit dhuruan më pak kur panë dy fëmijë në vend të njërit prej tyre.
Sloviç thotë se kjo ndodh pasi një individ është një njësi më e lehtë për t’u kuptuar nga njerëzit, apo që ata të kenë dhembshuri për të. “Nëse sheh në foto vetëm një fëmijë, mund të përqendrohesh vetëm tek ai. Mund të mendosh se ai është si fëmija juaj. Dhe mund të fokusoheni më thellë tek një person, sesa mbi dy të tillë. Me 2 persona përballë, vëmendja nis të zbehet, dhe po kështu ndodh edhe me ndjenjat tuaja”- shprehet studiuesi.
Kjo sjellje justifikohet me faktin, se sa ndikim mendojnë njerëzit që mund të kenë veprimet e tyre. Kur numri i njerëzve që vuajnë apo vdesin rritet në një tragjedi, dhurimi i parave apo përpjekjet tona na duhen si një pikë ujë në një oqean.
Pas gjenocidit në Ruanda në vitin 1994 , kur 800.000 njerëz u vranë në vetëm 100 ditë dhe miliona të tjerë u shpërngulën, një grupi vullnetarësh iu kërkua ta imagjinonin veten si përfaqësues nga një vend fqinj, i ngarkuar me drejtimin e një kampi refugjatësh.
Ata duhej të vendosnin nëse do të ndihmonin apo jo 4500 refugjatë të kishin qasje tek uji i pastër. Gjysmës iu tha që kampi strehonte 250.000 njerëz, ndërsa pjesës tjetër u tha që ai kishte vetëm 11.000 refugjatë. “Njerëzit ishin shumë më të gatshëm të mbronin 4500 njerëz nga grupi prej 11.000 njerëzish, sesa nga ai me 250.000, pasi ata reaguan ndaj proporcionit, dhe jo shifrës totale”- thotë Sloviç.
“Në skenarin e parë, nuk duket se ia vlen. Por nëse mund të përgjysmoni numrin e njerëzve që vuajnë, kjo duket si një punë më e madhe, edhe pse është i njëjti numër njerëzish”- shton ai. Sigurisht, ka arsye se përse disa njerëz zgjedhin të shmangin një lajm të trishtuar, apo të mos mendojnë shumë mbi tragjeditë.
Ndjekja e përsëritur i lajmeve të ngjarjeve të dhunshme, shoqërohet me nivele më të larta të stresit akut, që nga ana e tyre mund të ndikojnë negativisht mbi shëndetin tonë mendor. Për shembull, një studim disa ditë pas sulmit terrorist në Maratonën e Bostonit në vitin 2013, zbuloi se pjesëmarrësit që kishin ndjekur për 6 orë ose më shumë në ditë lajmet në televizion mbi sulmin, kishin 9 herë më shumë të ngjarë të raportonin nivele të larta të stresit akut, madje disa javë më vonë.
“Është si një rreth ciklik”-thotë Roksana Silver, psikologe në Universitetin e Kalifornisë, dhe një nga autoret e studimit. “Sa më shumë i stresuar të jesh, aq më shumë do të duash të ndjekësh lajmet në media. Dhe kjo mund të jetë e vështirë, sidomos kur lajmet janë të këqija. Sa më shumë lajme, aq më shumë stres, dhe sa më shumë stres, aq më shumë lajme”- thotë ajo.
Ndërsa ndjekja e lajmeve për t’u përditësuar mbi rregullat e fundit të masave kufizuese dhe përhapjen e virusit, ka qenë e rëndësishëm gjatë pandemisë, ajo ka shërbyer nga ana tjetër edhe si një burim i rritjes së nivelit të ankthit për shumë njerëz. Atëherë, si duhet vepruar?
Ka raste kur jemi më mirë kur e kuptojmë peshën e numrave, thotë Sloviç. Llogaritjet e rrumbullakosura, na tërheqin më shumë vëmendjen. Shifrat e plota si 100, 1.000 ose 100.000 ose 1 milionë, janë si piketat që zakonisht na tërheqin vëmendjen.
Ndërkohë, është bërë e zakonshme që gazetarët t’i humanizojnë tragjeditë, duke përshkruar histori individuale të atyre që janë prekur. Kjo është arsyeja pse raportet mediatike, fokusohen shpesh në detaje në dukje të parëndësishme si mosha e një personi, puna, apo nëse ata kishin fëmijë.
Është kjo arsyeja pse fotot e sendeve personale të viktimave, si një palë këpucë ose një lodër e braktisur, përdoren shpesh për të risjellë në vëmendjen e publikut një tragjedi në shkallë të gjerë, por të portretizuar në një nivel individual.
Dhe atëherë ka raste kur një tragjedi e vetme, e vendosur brenda një konteksti më të madh, mund të ketë një ndikim të thellë në psikikën e shoqërive në përgjithësi. Kjo po ndodh sot në SHBA dhe në mbarë botën, kur protestuesit dolën në rrugë për të demonstruar kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit sistematik, pas vrasjes së afro-amerikanit Xhorxh Floid.
Sloviç thotë se protestat janë të ngjashme me reagimin global ndaj fotos së Alan Kurdit, djalit 3-vjeçar kurdo-sirian që u mbyt në Detin Mesdhe në vitin 2015, kur familja e tij u përpoq të mbërinte në Evropë për t’i ikur Luftës Civile Siriane.
Deri atëherë, lufta, që nisi në vitin 2011, i kishte marrë jetën 250.000 njerëzve, dhe kishte shkaktuar miliona refugjatë. “Ishte një imazh kaq tronditëse dhe emocional, sa që izgjoi njerëzit. Fotoja u bë virale në të gjithë botën, dhe krijoi një ndërgjegjësim dhe shqetësim të madh, që nuk u prodhua nga statistika e 250.000 të vdekurve”-shprehet studiuesi.
Për shembull, pasi u bë publike fotografia, numri i donacioneve për një fond të krijuar nga Kryqi i Kuq në Suedi, u rrit me 100 herë në javë. Por nuk kaluan as 6 javë pas shfaqjes së fotos, dhe donacionet ranë në nivelet e tyre të mëparshme. Por çdo krizë është e ndryshme. Dhe Sloviç beson se protestat për të drejtat civile nga aktivistët zezakë në SHBA, mund të mos zbehen dhe aq shpejt. / “BBC Future”