Arlind Çaçani, një prej deputetëve të listave, që mori mandatin pas largimit të opozitës, PD-LSI nga Parlamenti, sot është i rreshtuar në krah të ligjvënësve që kërkojnë lista të hapura, ndalimin e koalicioneve dhe rritjen e pragut elekoral në 5 %.
Të tre kërkesat mund të diskutohen, mund të pranohen, mund të miratohen, po të kihet parasysh estrada parlamentare.
Por duket se ligjvënësi i Qarkut të Korçës, i përfshirë ndoshta aksidentalisht në listën e kandidatëve për deputet të Lulzim Bashës, është shumë largpamës.
Aq largpamës, sa është gati që jo vetëm të marrë kazmën dhe të shembë sistemin që i dha mundësinë të bëhet deputet, por edhe të shpëtojë Kolonjën.
Çaçani po sakrifikon, po lufton batakun 30 vjeçar që ka drejtuar shtetin, por harron që 15 vjet ky shtet është drejtuar nga partia që i dha mundësinë që të hyjë në sallën e atyre që quhen “baballarët e Kombit”.
Në një postim mjaft të rëndësishëm në rrjetet sociale, deputeti shkruan se po punohet për të bërë të mundur lotin e dytë të rrugës Korçë-Ersekë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, madje edhe kur shkruan se do të mbështesë qeverinë për t’i hapur rrugën projektit mjaft të rëndësishëm.
Sikur ta linte postimin te bashkëpunimi pa dallime partiake, deputeti mund të falenderohej nga disa, mund t’a quanin disa të tjerë tradhëtarë apo të shitur, por në fund të fundit me këto do jetë mësuar në gati 1 vit që ndodhet në Parlament.
Por deputeti i opozitës parlamentare është shumë largpamës. Aq largpamës sa nuk është çudi që nesër ose javën e ardhshme të marrë ndonjë ftesë për tu bërë pjesë e minishengenit ballkanik, idesë së Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Dhe dritën jeshile për të marrë një ftesë, ndoshta edhe si “këshilltar” për mini-shengenin, ia ka hapur fundi i postimit, kur Çaçani thotë se është gati të bashkëpunojë edhe me Vuçiç për të bërë të mundur ndërtimin e rrugës.
Sakrifica e deputetit duhet vlerësuar. Ndoshta po t’a zgjaste edhe pak më shumë postimin mund të shkruante edhe se ishte i gatshëm të sakrifikohej si një dëshmitar i ndonjë sekti fetar, vetëm që rruga të bëhej. Ndoshta si ka vajtur mendja deri këtu, por nëse Qeveria e shtyn pak në kohë projektin, Çaçani mund të bëjë një tjetër reagim në rrjet dhe mund të “sakrifikojë” veten, atje në sallën e Kuvendit, njëlloj si ato “dëshmitarët e sekteve fetare…”