Nga Bujar Qesja
Një ngjarje e trishtueshme, pushtoi në këtë të dielë të 28 qershorit 2020 Durrësin, vendlindjen tonë. Pesha e lajmit është e rëndë, sa vetë ngarkesa e ngjarjes. Besnik Myshketa, i datëlindjes 7 prill 1956, mbylli sytë për gjithnjë, duke lënë të hapur sytë tanë të mos-harresës dhe të kujtimit të përjetshëm. Në vëmëndjen e një populli të tërë dhe një njeri i thjeshtë, një mjek që nuk binte në sy dhe të rrihte gjoksin, një masovik i lindur, një burrë zotni që vinte në lëvizje dhe i jepte shpresë dhe optimizëm një kolektivi të tërë, mund të bëjë përshtypje dhe mund të përjetosh një tronditje të thellë kur mëson largimin nga jeta. Kështu ndodh edhe në rastin e dermatologut të njohur në Poliklinikën Qendrore të Durrësit Besnik Myshketa.
Lajmin e largimit nga jeta të Besnikut, si çdo kush edhe ne po e përjetojmë në mënyrë të dhimbshme. Më tërheqin vëmëndjen, një pjesë e fotove të këtij njeriu më shumë se i mirë. Gjithnjë i qeshur dhe mbi të gjitha dallonte për një humor të shkëlqyer, që të bënte të entuziazmoheshe dhe ta merrje ditën me shumë optimizëm. Ishte shumë origjinal në këtë drejtim dhe dominonte në faqen e tij të rrjetit social. I pritnim me padurim batutat e tij, mënyrën se si e servirte këtë humor, që veçse një njeri me zemër të madhe dhe të gjerë sa vetë madhështia e tij, mund ta bënin, mund t’ia jepnin publikut për t’ia rrëmbyer atë buzëqeshje që vlente shumë në ditët e trazuara shpirtërore që po kalojmë. Tërmeti në një anë, covid 19 në anën tjetër, e kanë copëtuar moralin e njerëzve dhe komunikim i i Besnik Myshketës duke nxjerrë një arsenal të rrallë të një humori të thellë dhe fin, na e hiqnin si me dorë stresin, ankthin, pse jo edhe dhimbjen shpirtërore.
Besniku ynë, vuante pre vitesh nga një tumor i rrezikshëm në stomak. U detyrua të operohej në dy raste. Gjërat rrodhën për së mbari dhe të gjithë u gëzuam. Ndër ta që e uruam ishim edhe ne. Njerëz zotni si Besnik Myshketa janë një aset për shoqërinë. E bardha e bluzës së mjekut, ishte në një ngjasim perfekt me ngjyrën e bardhë të zemrës së tij. E qeshura e tij, sikur lëvizte qiellin dhe dielli sikur ndriçonte më shumë. Mezi pritnim ta takonim. Kurrë nuk mendoi, se do të vinte një ditë e tillë që na pikëlloi dhe na ligështoi sa ska ku të shkoj më. Optimizmi dhe besimi i tij për t’ia dalë, ishin mbi sëmundjen. Qeshte, punonte, shërbente me zell të madh, komunikonte në mënyrë brilante dhe të gjithë gëzoheshim.
-Besniku thonim, ndër to edhe unë, ia hodhi. Nuk do të na e rrëmbejnë lehtë mikun tonë, vëllain, prindin, bashkëshortin, njeriun e çmuar që aq shumë e donim dhe që akoma më shumë na donte.
Lajmi në këtë ditë të nxehtë, na nxehu edhe më shumë, jo fizikun se sa shpirtin. Diçka u shkëput nga vetja e jonë. Nuk ndjejmë qetësi. Kemi siklet, pasi dhimbja veçse këto pozicione krijon. Dhe kemi të drejtë. Na është ndarë përgjithmonë ai i shtrenjti, i miri, i dhëmbshuri, mjeku flori, kolegu aq i këndshëm, shoqëruesi i një miqësie të thellë dhe pa interes. Dhe ky është Besnik Myshketa. Teuta e shoqja, vajza e mikut tonë të hershëm Ismal Hyka, nga një derë e fisme dhe e njohur në Durrës, është në dhimbje. Gjithashtu edhe pjesa tjetër e familjes. Gjithashtu edhe të afërmit. Gjithashtu edhe ne miqtë dhe shokët e tij.
Të ndjekësh komentet e qindra e qindra reaguesve në rrjetet sociale, për këtë humbje të ndjeshme, e prek, e kupton, e ndjen se kemi humbur një njeri të çmuar, një degë në rrënjën gjithnjë të rëndë e të palëkundur të qytetarisë durrsake.
Më preku një foto, ku Besnik Myshketa kishte dalë me një pemë të mbjellur në shkurt të vitit 2017. Ai e përkëdhel këtë krijesë të natyrës. Pasi një pemë, duket se është një jetë, një mundësi frymëmarrje, një fisnikëri e çmuar. Dhe Besniku e ka merak dhe shumë për zemër, që kjo pemë, që ngjason me një pishë të shëndetshme, e mbjellur m’u në derën e poliklinikës të rritet dhe të bëhet madhështore si vetë puna dhe jeta e tij. Dhe punët rrodhën, që kjo kërkesë e tij ka vlerën e një amaneti, të një lloj kushtrimi të një njeriu që e donte jetën, e donte familjen dhe shoqërinë, e donte punën dhe njerëzit.
Kjo pemë do ta quaja, pema e Besnik Myshketës. Kujtimi më i çmuar për këtë njeri të çmuar. Prekëse është edhe dedikimi që i bën kolektivi i Poliklinikës Qendrore të Durrësit, kolegut të tyre me rastin e ditëlindjes, ku me 7 prill 2020 Besnik Myshketa mbushi 64 vjeç. Dhe ky dedikim për fat të keq, ishte i fundit për së gjalli të Besnikut, por jo u findit në memorien e gjithkohëshme që do të kemi për të.
I qeshur, i dashur, i respektueshëm, i gjindshëm, human dhe fisnik.
Kështu do të mbetesh gjithnjë për ne, i shtrenjti ynë Besnik Myshketa.
Dheu i lehtë dhe paqja e përjetshme të shoqëroftë!