Shkencëtarët ndodhen ende në fillim të zbulimit të dëmeve shëndetësore që shkakton koronavirusi dhe disa prej tyre mund të kenë efekte tek pacientët për vite me radhë, sipas ekspertëve të sëmundjeve infektive.
Përveç problemeve me frymëmarrjen, virusi që shkakton Covid-19 sulmon edhe organe të tjera, duke shkaktuar në disa raste dëme katastrofike.
“Ne mendonim që ky ishte një virus i sistemit të frymëmarrjes. Por virusi sulmon edhe pankreasin, zemrën, mëlçinë, trurin, veshkat dhe organe të tjera”, tha Eric Topol, kardiolog dhe drejtor i institutit “Scripps Research” në Kaliforni. Përveç shqetësimeve me frymëmarrjen, pacientët me Covid-19 mund të përjetojnë probleme me koagulimin e gjakut dhe inflamacion ekstrem që sulmon sisteme të shumta të organeve.
Virusi mund të shkaktojë gjithashtu ndërlikime neurologjike që variojnë nga dhimbja e kokës dobësimi i shijes apo nuhatjes e deri tek dridhjet e pakontrolluara të trupit. Rimëkëmbja nga virusi mund të jetë e ngadaltë, jo e plotë dhe e kushtueshme, me ndikim të madh tek cilësia e jetës. Sadiya Khan, kardiologe tek qendra “Northëestern Medicine” më Chicago, thotë se manifestimet e ndryshme të Covid-19 janë unike.
Gjatë gripit, njerëzit me problem të zemrës ndodhen gjithashtu në rrezik më të lartë të ndërlikimeve, sipas saj. Ajo që është habitëse me koronavirusin, është përmasa nën të cilën ndodhin ndërlikimet jashtë mushkërive. Khan mendon se do të ketë një barrë shëndetësore për njerëzit që i kanë mbijetuar Covid-19. /SCAN